Katërshja europiane, takim për krizën

Franca, Italia, Spanja, Gjermania tensione para takimit të BE-së

Në Romë do të mbahet një samit i vogël i katër vendeve të BE-së, ndërkohë që situata financiare e tyre sa vjen e keqësohet.Franca, Spanja dhe Italia duan në një formë apo tjetër para nga Gjermania, por Kancelarja Merkel nuk lëshon pe. Nevojat në Spanjë dhe Itali ndërkohë janë të mëdha. “Shpenzimet e obligacioneve shtetërore nuk mund të përballohen edhe shumë gjatë nga Spanja”, pranoi sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Spanjolle (AEB), Pedro Pablo Villasante, në prag të takimit të nivelit të lartë të katër vendeve më të rëndësishme në zonën e euros në Romë. Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, nuk ka nevojë vetëm për afro 100 miliardë euro për të mbështetur bankat që në Spanjë, por ai kërkon urgjentisht gjetjen e blerësve për obligacionet e qeverisë spanjolle.

Për to Spanja duhet të paguajë norma rekorde të interesit në tregun e lirë. Po kështu, është rritur edhe kostoja për obligacionet e qeverisë italiane. Prandaj, Kryeministri Mario Monti, si nikoqir i takimit të nivelit të lartë, ka propozuar që partnerët europianë të blejnë bono të qeverisë italiane. Monti dëshiron tani të arrijë të bindë Bankën Qendrore Europiane, që si në vitin e kaluar të blejë masivisht borxhet e qeverisë italiane dhe spanjolle. Por Banka Qendrore Europiane heziton, për shkak të rreziqeve të mëdha për bilancin e vet. Prandaj, kryetari i bordit drejtues, Benoit Coeure, propozon që financimi i bonove qeveritare të merret përsipër nga fondi për shpëtimin e vendeve të euros. “Fondi EFSF i ka mjetet e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë”, thotë Coeure. Por blerjen e letrave me vlerë të borxhit nga ana e EFSF, tani dëshiron ta shmangë Monti, edhe pse fillimisht kjo ishte propozuar nga vetë ai. Gazeta italiane “Corriere della Sera”, shkruan se Monti i trembet një aksioni shpëtimi nëpërmjet fondit të emergjencës. Një aksion i tillë mund t’i kushtojë humbjen e postit. Kjo, për faktin se kritikat ndaj qeverisë së tij janë gjithnjë e më të zëshme në Itali. Partitë, të cilat deri tani e kanë mbështetur atë aktualisht, refuzojnë për të miratuar një reformë të rëndësishme për tregun e punës. Sipas raporteve të mediave italiane, Monti mund të detyrohet të japë dorëheqjen nëse Italia do të ketë vërtet nevojë për ndihmën e fondit të shpëtimit. Pastaj Italia në vjeshtë do të kishte zgjedhje të reja. “Vendet që bëjnë përpjekje nuk duhet të dënohen me nivele jonormale të larta të borxhit”, thotë Monti, i cili e sheh si detyrim që Europa të japë ndihmën e saj. Gjermania nuk e mbështet propozimin e Kryeministrit italian, Mario Monti. Merkel hedh poshtë, siç ka ndodhur herën e fundit në Samitin e G20-s, bashkimin e çfarëdo lloji të borxhit ose detyrimi për borxhet e vjetra. Merkel tha javën e kaluar, gjatë një fjalimi në një mbledhje të partisë së saj konservatore, se përgjegjësia e përbashkët mund të ekzistojë vetëm në qoftë se do të ketë edhe kontroll të përbashkët.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.