Vjedh gabimisht emrin e trafikantit të femrave, dënohet me 22 vjet burg

Identiteti

Historia e Dritan Lilës, i cili vuan dënimin në Spanjë

Kanë tentuar të më vrasin dy herë në burg dhe askush nuk e ka ngritur këtë problem

Prej tetë vitesh gjendet në burgjet e Spanjës, pavarësisht se gjithmonë ka pretenduar se po vuan dënimin e një tjetër personi dhe kërkon të rigjykohet, pasi autori i vërtetë është i lirë. Për të drejtën e tij ka kërkuar edhe ndërhyrjen e mbretit të Spanjës, por deri më sot, është lënë në harresë, ku e presin dhe 13 vjet të tjera heqje lirie. Bëhet fjalë për Dritan Lilën, për të cilin drejtësia spanjolle mendon se është Arben Muka dhe se ka trafikuar femra me qëllime prostitucioni, si dhe ka kryer një vrasje. Në një intervistë për “Shqip”, Lila, në linjë telefonike nga burgu në Madrid, ka treguar historinë e tij, ku shpjegon se dy herë kanë tentuar ta vrasin, persona të paguar nga jashtë burgut, me qëllim që personi i vërtetë të mos kapet asnjëherë.

Kush jeni dhe çfarë ju ka ndodhur?

Unë jam Dritan Lila, lindur në Librazhd dhe banues në Durrës. Një fat i zi më ka rënë në Spanjë nga fundi i vitit 2003, kur kam bërë një dokument te një avokat në Madrid. Ai ka shkruar çfarë i kam thënë, duke marrë parasysh se me emrin tim nuk mund të hyj në Spanjë, pasi e kam të ndaluar. Në këto kushte jam prezantuar me emrin si Arben Muka. Në mars të vitit 2004 jam kapur nga policia spanjolle dhe ata më kanë plotësuar një formular. Më pas kanë detyruar një vajzë rumune të flasë me mua, kundrejt fitimit të shtetësisë spanjolle. Në shtatorin e vitit 2004, më thirri prokurori në Madrid dhe më tregoi se isha i akuzuar për vrasjen e Muhamet Tahirit më 14 qershor të vitit 1998, në zonën e Kombinatit në Tiranë. Për këtë vrasje, Arben Mukës i është dhënë dënim në mungesë më 12 mars 1999, me 23 vjet burg. Deri në ato momente, unë nuk e kisha treguar emrin tim të vërtetë. Ditën që më akuzuan në Madrid, unë u detyrova të jap emrin tim të vërtetë, Dritan Lila. Në sallën e gjyqit, ata kontrolluan emrin tim dhe sipas kompjuterëve të policisë, u vërtetua se unë isha tjetër njeri. Më pas, emrin tim të vërtetë ia kanë sjellë autoriteteve të drejtësisë shqiptare, të cilët kanë kërkuar që të mbahem në burg. Por, në Madrid del që nuk jam Arben Muka.

Pse mbaje emrin Arben Muka?

Në vitin 2001 jam dënuar nga drejtësia spanjolle për vjedhje, kur kam kryer një dënim gjashtë muaj dhe më pas jam dëbuar në Shqipëri. Në këto kushte, hyra në Spanjë me emër të rremë. Kisha dy muaj që kisha ardhur në Spanjë, kur më arrestoi policia. Madje, policia më kapi në një banesë, që sapo kisha marrë me qira, në të cilën kishin qëndruar persona problematikë.

Kur ju arrestuan, për çfarë ju akuzuan?

Mua më kanë akuzuar për trafik femrash për prostitucion, por në të vërtetë akuzojnë Arben Mukën dhe jo mua, megjithatë këtë fakt nuk duan ta pranojnë dhe nuk më japin të drejtë. Në vitin 2005, kam bërë gjyq pa avokat dhe pa përkthyes, me akuza që nuk i kam dëgjuar më parë dhe më kanë dënuar me 23 vjet burg, për diçka që unë nuk e kam bërë, duke më përdorur si “kokë turku”.

Si keni vepruar për këtë dënim?

Pasi më kanë dënuar, i jam drejtuar sallës së gjyqit të dënimit të Spanjës në Madrid, duke ia shpjeguar të gjitha prokurorit. Në vitin 2009, kam bërë dy herë grevë urie, në njërën shtatë ditë dhe në tjetrën 45 ditë. Pas këtyre, prokurori kërkoi gjyq të ri për mua, por Gjykata e Lartë e Spanjës nuk e pranoi. Në vitin 2011 i jam drejtuar me shkrim ministrit të Drejtësisë së Spanjës, të më caktojnë një avokat, i cili u vendos në mars të vitit 2012 dhe kërkoj një rekurs, për të cilin kam prova dhe dëshmitarë. Sallat e gjyqit, duke marrë parasysh se jam shqiptar dhe ngaqë kam kaluar shumë vite në burg, nuk duan të më japin pafajësinë dhe ia kalojnë dosjen njëra-tjetrës. Gjithashtu, i jam drejtuar edhe Mbretit të Spanjës, duke kërkuar ndërhyrjen e tij.

Pra, ju vuani dënimin e një personi të quajtur Arben Muka, i cili rezulton i dënuar edhe në Shqipëri për vrasje, por thoni që nuk keni asnjë lidhje me këtë emër?

Kështu është e vërteta dhe madje për ta fshehur janë paguar shumë njerëz. Mua kanë tentuar të më vrasin dy herë në burg dhe askush nuk e ka ngritur këtë problem, pasi edhe avokati është treguar indiferent. Në këto kushte i bëj apel drejtësisë shqiptare të mos më lënë më në burg padrejtësisht. Të kërkojnë rigjykimin tim, derisa të dalë e vërteta. Nëse ka prova se unë jam ai person që vërtet paskam trafikuar femra për prostitucion, atëherë lë të më vrasin, ose të mos më mbajnë vetëm me dyshime. Ble. Gi.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.