Kuvendi i Kosovës nuk heq nenet 37 dhe 38, Kuçi jep dorëheqjen

Në datën 27 prill ai kishte kërkuar të mos miratoheshin dy nenet e Kodit Penal, pasi në të kundërt do të dorëhiqej

Ashtu siç kishte paralajmëruar dhe premtuar më herët, zëvendëskryeministri  kosovar Hajredin Kuçi, njëkohësisht ministër i Drejtësisë, dha dorëheqjen nga postet politike në Qeverinë e Kosovës. Shkas për tërheqjen e numrit 2 të qeverisë së Hashim Thaçit, nga funksionet politike ishte miratimi i Kodit Penal me nenet 37 dhe 38, të kontestuara nga mediat, shoqëria civile dhe Presidenca.

Në datën  27 prill të këtij viti, ai kishte deklaruar se: “nëse Kodi Penal i ri i Kosovës, me dy nene kundërthënëse 37 dhe 38, miratohet në formën siç është, atëherë ai do të paraqesë dorëheqje”.

Ai ka ftuar presidenten Jahjaga që t’i kthejë mbrapsht këto dy nene për amandamentim në Kuvend, gjë të cilën presidentja e ka bërë, por Kuvendi nuk ka miratuar ndryshimet. Procedura e votimit ka sjellë si rezultat 59 vota për, 4 kundër dhe 5 abstenime. Kryesuesi i seancës, Sabri Hamiti tha se kërkesa e presidentes nuk miratohet, pasi kërkohen 61 vota.

Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare, më 20 prill të këtij viti. Ai ka zgjuar më pas reagime e protesta të gazetarëve dhe mediave, të cilat kanë konsideruar se si i tillë, ky Kod, përkatësisht këto dy nene, cenojnë dhe rrezikojnë punën e tyre.

22 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Lumjani says

    Traci merr leksione nga Berisha. Te dy jane anti shqiptare te pashembullt.

Comments are closed.