Toni Morrison: Duke bërë plane për të ardhmen, vdekja nuk më kap në befasi

Toni Morrison është një legjendë e gjallë. 15 vjet më parë, sapo kishte mbaruar së shkruari romanin e saj të shtatë, “Parajsa”. Atëherë ishte në të 60-at dhe në kulmin e shkëlqimit të saj. Kishte marrë “Nobelin” dhe nuk kishte asnjë lloj tolerance për gazetarët dhe kritikët letrarë. Proza e saj dallohej nga një stil individual dhe personal, që edhe sot vazhdon të jetë i tillë, unik dhe i pakrahasueshëm. 15 vjet më pas duket sikur koha nuk ka kaluar për të. Ajo ndodhet në Nju Jork, në një shtëpi botuese dhe ka të njëjtën pamje madhështore që ka pasur gjithnjë, edhe pse vihen re ndryshime në disa linja. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Është 81 vjeçe dhe vështirë ta besosh këtë gjë për të. Romanin e saj të parë “Sytë blu” e nisi në moshën 39-vjeçare dhe ndërkohë ishte redaktore në “Random House”. Shkrimet e saj duket se janë “të pakoha”. Ato mund t’i referohen të gjitha vendeve, të gjithë njerëzve dhe të gjitha kohëve. Personazhet e saj janë heroikë, mitikë dhe realë. Tani rrëfen se memoria e “shkurtër” i ka humbur fare, ndërsa ajo e “gjatë” është e tëra aty. Për të, e shkuara është kaq e qartë, ndërsa e tashmja, e vagullt.

Romani i saj i fundit, “Shtëpia”, i vendos ngjarjet në përfundim të luftës së Vietnamit dhe përkon me një periudhë të sentimentalizuar të letërsisë amerikane, të cilën Morrison e kujton fare mirë. “Doja që me anë të këtij libri të nxirrja në pah gjithë frymën dhe tharmin e viteve ‘50, atë anën e tyre romantike, të lumtur, të atij momenti familjar dhe personal që më pas humbën dhe u tretën”. Dhe këtë botë, ajo e sjell përmes njerëzve që kanë vuajtur nga lufta dhe përjetojnë dramat dhe tragjeditë e tyre personale në një kohë të veçantë. Si edhe në libra të tjerë, edhe në këtë vepër ajo e ka të pamundur që të shkëputet nga jeta e saj, nga njerëzit, nga familja dhe ata që e rrethuan për shumë vite. Po të lexosh librin, do ta shohësh qartë se aty gjendet pak nga mamaja e Tonit, babai, apo vëllezërit e saj. Ajo u rrit në Ohajo dhe ishte vajza e dy prindërve që sollën në jetë katër fëmijë. Ajo mban mend mirë karakterin e mbyllur dhe inatçor të të atit dhe hapjen e transparencën e së ëmës. Ajo thotë se është ndjerë gjithnjë superiore krahasuar me fëmijët e tjerë të prindërve të saj, ka pasur gjithmonë një shpirt kundërshtimi të lindur, të cilin e ushtronte në mënyrë të vazhdueshme dhe e ka bërë gjatë gjithë jetës. Në vitin 1940 ishte një fëmijë. Ishte epoka kur ligjet e segregacionit ishin ende në fuqi dhe zezakët shiheshin si skllevër.



Ajo nisi që të shkruajë që e vogël dhe këtë ia vunë në vëmendje edhe mësuesit në shkollën fillore. Por shkrimet e saj ishin në njëfarë mënyre rebelime të racës dhe të gjinisë së saj. Dhe disi të tilla mbetën gjithmonë, madje edhe sot. Morrison u shndërrua në përfaqësuese të racës dhe gjinisë së saj. Ajo vetë nuk e pranon shpesh hapur këtë lloj këndvështrimi, por të gjithë ata që e njohin personalisht dhe në vepër, e dinë se Morrison është pa dyshim edhe përfaqësuesja e letërsisë zezake dhe asaj femërore.

Ajo gjithnjë ka dashur që të shkruajë nga brenda vetes, nga ajo çka dinte personalisht dhe çka i dhembte brenda. Idenë për të shkruar për një vajzë zezake, Morrison e mori fillimisht nga një takim që pati në fëmijëri me një shoqen e saj zezake, e cila i rrëfeu se kishte parë në ëndërr sikur i kishte sytë blu. Dhe prej këndej vjen edhe romani “Sytë blu”. Në kohën e fëmijërisë, ajo quhej Chloe Wofford dhe më pas, vendosi që të përdorte Toni, që është emri i pagëzimit, Anthony, sipas shenjtorit Shën Anton. Një nga përvojat më të mira sa i përket ardhmërisë si shkrimtare ishte lagjja e saj, në të cilën ishin bërë bashkë raca dhe njerëz me kombësi të ndryshme dhe të qenit zezak, apo i verdhë nuk kishte rëndësi, sepse të gjithë ishin shumë të varfër dhe në këtë varfëri, diskriminimi racor binte më pak në sy. I ati i Tonit ishte një njeri që nuk i besonte shumë njerëzve të huaj. Ishte i mbyllur dhe hermetik, pa besim te bota, e megjithatë, i dha leje Tonit që në adoleshencë të punonte si pastruese te një familje e bardhë. Aty shkrimtarja kujton se sa i bërtiste e zonja e shtëpisë, duke e sharë, sepse nuk dinte që të përdorte fshesën me korrent, sepse Toni nuk e kishte parë kurrë atë instrument. Këto të bërtitura i mori shumë personale dhe shkoi në shtëpi e stresuar. E ëma i tha që ta linte punën, por asaj i duheshin ato dy dollarë në javë. Ndërsa i ati i dha një mësim të gjatë që asaj i mbeti në mendje gjatë gjithë jetës: “Mos u tërhiq, por shko, puno, merri paratë dhe ik. Ti nuk jeton aty. Merr atë për të cilën ke shkuar dhe mos u emociono shumë”. Rrugës për në shtëpinë ku duhet të punonte i përsëriste me mendje fjalët e babait dhe falë këshillës së tij, shmangu konfliktin, por edhe zemëratën dhe emocionin negativ brenda vetes dhe ia doli mbanë. Më pas, mban mend se në shkollë kishte probleme me shoqet, por duke pasur parasysh fjalën e babait, nuk i hodhi benzinë zjarrit, por eci përpara, këtë herë, pa derdhur lot. “Është një sjellje që në njëfarë mënyre të kufizon dhe të bën të pandjeshme ndaj disa gjërave, të cilave duhet t’u kushtosh ndjenja dhe emocione”, thotë shkrimtarja. Ajo kurrë nuk mori drogë dhe nuk piu cigare, madje as kur ishte adoleshente, kur gjithkush rreth saj pinte si oxhak. “Nuk kam dashur kurrë të bëja diçka që nuk përputhej me atë çka desha në të vërtetë, pra të bëja diçka vetëm sepse e bënin të tjerët, apo sepse ishte në modë. Nuk kam dashur kurrë në jetë që të provoj diçka, pas së cilës mund të krijoja varësi, ndaj kam refuzuar gjithçka që do të më rrezikonte pavarësinë dhe të qenit ajo që isha në të vërtetë”. Kur nisi që të shkruante “Sytë blu”, ajo ishte një nënë e vetme, që kishte dy djem për të rritur dhe jetonte në Sirakuza të Nju Jorkut. Çohej nga gjumi çdo ditë, në orën katër të mëngjesit për të shkruar, para se të shkonte në punë. Nëse ndihej e dekurajuar nga situata në të cilën ndodhej, atëherë e çonte mendjen te gjyshja e saj, e cila iku në Jug të vendit, e vetme dhe me shtatë fëmijë dhe pa asnjë ndihmë tjetër. Çdo panik ekzistencial lidhej me të ardhurat e saj. Pra me gjendjen financiare, perspektiva e saj si shkrimtare, pamundësia për të qenë një nënë e mirë zhdukeshin të gjitha përballë vështirësive të jetës së përditshme, me të cilat i duhej që të përballej. “Kam nisur të shkruaj në një moshë që do ta quaja më të mirën e jetës, majën e saj, pikën më të arrirë, në moshën 39 vjeçe. Kisha lënë pas një jetë të tërë dhe ndërkohë kisha përpara gjithë jetën”. Për sa i takon fëmijëve, Toni thotë se ata kanë qenë çlirimi për të dhe qeniet e mbajtën gjallë dhe i dhanë shumë shpirtërisht, edhe në kohë të vështira.

Ajo ishte martuar me Harold Morrison, një arkitekt, pasi e takoi në Universitetin e Harvardit në Uashington. Ata u ndanë gjashtë vite pasi u martuan dhe sollën në jetë dy djem. Ai u largua dhe e la me dy djemtë vetëm, Haroldin dhe Slade. Toni, ndërkohë, punonte si redaktore në “Random House”. Më pas u zhvendos në zyrat e Nju Jorkut dhe u bë redaktore e librave artistikë. Duke qenë e zënë gjatë gjithë kohës me punë, për rritjen e fëmijëve u ndihmua nga një rrjet grash, shoqe të saj, të cilat iu gjendën pranë. Libri i saj i parë, “Sytë blu”, u botua në vitin 1970 dhe tri vite më pas, ajo botoi të famshmin “Sula”. Në përfundim të këtij libri thotë se ishte hera e parë që e ndjente se kishte nxjerrë jashtë zërin e saj. Në vitin 1993 mori çmimin “Nobel” dhe sipas saj, fama është një nga shpërqëndrueset më të mëdha me të cilat ndeshet një shkrimtar dhe që mund ta dëmtojë shumë në punën e tij. Ka shkruar në mënyrë të vazhdueshme, pa ndërprerje dhe vetë thotë se, nëse i qëllonte ndonjëherë që të mos shkruante, kjo ndodhte sepse kishte rënë në dashuri, ose ishte shndërruar në objekt të dashurisë së dikujt. Këtu, ajo qesh dhe thotë: “Këto janë periudha shumë të shkurtra, por jo të këqija”. Për vite me radhë, pa ndërprerje, Toni i është kushtuar shkrimit të librave dhe këtë e quan edhe dashurinë më të madhe dhe më jetëgjatë, ndërkohë që shpesh dashuria për një mashkull mbaron në një kohë shumë më të shkurtër se sa koha që të duhet për të shkruar një libër. Romanet e Morrison shpesh karakterizohen si vepra të vështira për t’u kuptuar, ose më mirë romane poetike dhe nuk bëhet fjalë për një moment. Pikërisht këto momente e çmendin atë. Ajo thotë se shkruan gjërat siç i vijnë dhe nëse kjo, sipas kritikëve, është: “Të shkruash në mënyrë të vështirë”, atëherë kritikët “le të shkojnë në djall”.

Shkrimtarja kaloi tre vjet duke u menduar për romanin “I dashuri”, para se të hidhte fjalën e parë në letër. Ai është një libër që bazohet në një histori të vërtetë, historinë e një skllaveje në arrati, që vrau vajzën e saj vetëm e vetëm për të mos u kthyer më në kushtet e skllavërisë. Ishte një sfidë shumë e madhe për Tonin ky roman dhe ajo e di mirë këtë dhe me gjithë vështirësitë, fitoi çmimin “Pulitzer”. Sot, ndërsa avancon në moshën e tretë, Morrison e gjen shpesh veten “teksa lundron” në vitet e së shkuarës së largët. E tashmja i duket realisht brutale, ndërsa e shkuara me hijet dhe dritat e mjegullta e josh më shumë dhe i duket një lëndë më e përshtatshme për të shkruar. Kur ulet në tryezën e punës, është ndërkohë e kthjellët, teksa shkruan një libër të ri… një libër të ri në të cilin flet për një dhimbje të vjetër. “Gjithsesi, thotë Morrison, e rëndësishme është që në çdo moment të jetës të kesh plane për të ardhmen. Vetëm kështu vdekja nuk të kap në befasi”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. landi firenze says

    Bravo!Ketu grate nuk e arrijne dot ate moshe.

Comments are closed.