Të rinjtë amerikanë dhe bindjet rreth seksit

Të lumtur, të vendosur, krenarë. Në SHBA vazhdon të rritet numri i të rinjve që deklarojnë seksualitetin para moshës 14-vjeçare. Kjo është zgjedhje e guximshme por që shpesh i gjen të papërgatitura shkollat dhe familjet

Gregor nuk di çfarë të veshë në festën e parë si homoseksual. Për 13-vjeçarin nga Oklahoma, kjo është një situatë pak e vështirë, sepse i duhet të shkojë në festë pa të dashurin e tij, i cili është një vit më i madh. Si të mos mjaftonte kjo, ka probleme edhe me veshjen. “Nuk kam asgjë për të veshur”, thotë. Atij nuk i pëlqen të shkojë në festa i pashoqëruar. “Nëse i ati do t’ia merrte vesh që është homoseksual, do ta dëbonte nga shtëpia”, thotë Gregor. “Është shumë i sertë, madje ndonjëherë të ngjall frikë. Kështu është i detyruar të dalë me femra për të shmangur dyshimet”. Ndryshe nga i dashuri i tij, Gregor nuk shtiret më. Ia ka treguar ndjenjat e tij miqve më të ngushtë, të cilët i kanë qëndruar shumë pranë. Madje ka edhe ndonjë mikeshë që i ka rrëfyer se është biseksuale. Ai thotë se nuk kishte ndërmend të fliste me të ëmën për homoseksualitetin e tij, por ajo zbuloi gjithçka rastësisht. “Personi i vetëm që e sheh homoseksualitetin tim si problem është ime motër. Vazhdon të thotë se kjo e imja është një fazë kalimtare”.

Në festën “Openarms Youth Project”, që organizohet në Tulsa, na shoqëron një mik i familjes. Shkojmë në orar dhe Gregor zë vend menjëherë në një kolltuk që gjendet në një cep të lokalit, por afrohet nga Ben, një 16-vjeçar që i frekuenton rregullisht festat e “Openarms”. Ben e fton të bëjnë një shëtitje, pastaj ia prezanton së ëmës, e cila ndonjëherë ndihmon në rregullimin e lokalit.



Klubi është mbushur me mama të hapura dhe të kuptueshme. Ndërsa Austin dhe Ben bisedojnë me njëri-tjetrin. Ndërkohë një 14-vjeçar me emrin Nick vjen i shoqëruar nga e ëma. Ai i ka treguar asaj se ishte gej, që kur mbushi 11 vjeç. Pas një ore lokali “Openarms” është mbushur me 130 adoleshentë të ardhur nga çdo cep i Amerikës. Disa kërcejnë nën ritmin e këngës “Poker face” të Lady Gaga-s, dikush luan bilardo, ndërsa të tjerët puthen e përqafohen me partnerët. Në një cep të lokalit, një vajzë e shkurtër me trup të mbushur, që është në klasë të tetë, po puthet me një student tjetër që është një vit më e madhe se ajo. Kur e pyesin se ku janë njohur, ajo përgjigjet në kishë. Pak më tutje, Misti 14 vjeçe, që u ka rrëfyer seksualitetin e saj shokëve të shkollës kur ishte 12 vjeçe dhe prej asaj kohe duron ngacmimet e tyre, është ulur në një stol druri dhe përqafon të dashurën e re.

Për shkak të festës, Gregor e ka harruar të dashurin, ndërkohë që nuk ngurron të tregojë se zemra i rreh për Laddie-n, 16 vjeç, i cili prej pak kohësh është transferuar në Tulsa, në një qytet të vogël të Teksasit. Si për Gregor, ashtu edhe për Laddie-n është hera e parë që marrin pjesë në një ballo homoseksualësh, por duket që kanë shumë admirues dhe ndihen mirë përkrah njëri-tjetrit. Laddie thotë se e ka deklaruar homoseksualitetin kur ishte në klasë të tretë, duke i lënë gojëhapur shokët e klasës. “Sigurisht që humba shumë miq, por askush nuk më ka vënë në lojë, apo të më ketë fyer. Ndoshta sepse atëherë isha një nga djemtë më popullorë të shkollës. Nuk besoj se do të kisha rrëfyer diçka të tillë nëse nuk do të admirohesha nga të tjerët”. “Kur e kuptova se isha homoseksual, – thotë Gregor – mendova se do ta tregoja kurrë homoseksualitetin tim. Por pastaj kuptova se kështu nuk do të isha asnjëherë i lumtur dhe ndryshova mendim”.

Tim Gillean është një prej themeluesve të “Openarms” dhe qëndron në kabinën e dixhejt. Tim është 52 vjeç, një burrë i gjatë, me syze dhe flokët e krehura bukur. E ka themeluar “Openarms” në vitin 2002 bashkë me një shokun e tij, Ken Draper. Përveç festave të përjavshme, çdo të enjte çifti organizon grupe debati që diskutojnë rreth temave të ndryshme, siç është vetëvlerësimi, marrëdhëniet ndërpersonale dhe për Sidën. Kur e pyesin se ç’mendon për këta djem e vajza të rinj, ai thotë se si shumë homoseksualë të tjerë që e kanë treguar seksualitetin e tyre në gjimnaz ose shkollë të lartë, nuk mund të imagjinonte që ekzistonin nxënës të shkollave fillore dhe nëntëvjeçare të ishin të tillë. “Por ja që paska dhe shumë madje”, thotë duke bërë me kokë nga tufa. “Ajo që më çudit më shumë është fakti se nga java në javë, numri i tyre vazhdon të rritet”.

Kam dëgjuar të njëjtat tregime nga persona të tjerë që punojnë me homoseksualët e rinj në të gjithë vendin. Edhe pse shumë e deklarojnë homoseksualitetin në shkollë të lartë, kur janë të vegjël hapen me shokët, familjen ose mësuesit pa të keq, a thua se këta të rinj do të arrijnë t’ia dalin mbanë në një botë që nuk është ende gati t’i pranojë. Çështja është shumë e komplikuar. Zakonisht djemtë homoseksualë të jugut dhe të zonave rurale hasin më shumë vështirësi sesa bashkëmoshatarët e tyre që jetojnë në zona bregdetare. Megjithatë ka edhe nga ata djem që jetojnë për bukuri në vende si Tulsa dhe të tjerë që kanë frikë ta deklarojnë homoseksualitetin e tyre në qytete moderne. Është e qartë se për shumë të rinj homoseksualë, media është një shkollë mbijetese. Sipas një sondazhi të bërë në vitin 2007 nga “Gay, lesbian and straight education network” (Glsen) te 626 studentë të një shkolle të mesme homoseksualësh, biseksualësh dhe transeksualësh të të gjithë vendit, 81 për qind pohonte se ishin ngacmuar nga njerëzit për shkak të bindjeve seksuale, ndërsa 39 për qind deklaronte se ishte dhunuar fizikisht. Mes atyre që ua kishin treguar mësuesve këto akte vandale, vetëm 29 për qind deklaronte se më pas shkolla mori masa të rrepta.

Opinioni i shumë edukatorëve dominohet nga mendimi se shkolla është totalisht e papërgatitur ndaj nxënësve që e kanë deklaruar hapur seksualitetin e tyre. “Dihet që në këtë moshë formohet personaliteti i gjithsecilit, por shpesh ne jemi të pafuqishëm për të kundërshtuar bindjet e tyre në lidhje me seksin. Ne duam t’i mbrojmë, sepse e dimë se çfarë e ardhme i pret”. Megjithatë mes prindërve dhe mësuesve është përhapur bindja se duhen luftuar ngacmimet nga njerëzit e zakonshëm, sepse ka pasoja të mëdha psikologjike. “Nuk mendoj se shkollat duhet t’ia imponojnë komunitetit programet e tyre të edukimit seksual”, thotë një psikolog. “Por nuk mund të mbyllim veshët dhe të injorojmë ngacmimet. Vështirësitë janë pohuar nga shumë studentë homoseksualë dhe studente lesbike, por edhe nga vetëvrasjet e fëmijëve në shkollat fillore”. Sipas disa studimeve të kryera në vitet ‘80-‘90 adoleshentët homoseksualë janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të depresionit, abuzimit me substanca narkotike dhe vetëvrasjes, se bashkëmoshatarët e tyre heteroseksualë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

3 Comments
  1. Alface says

    Skandal! Cfar jane keto deklarime te sjelljes seksuale ne kete moshe akoma pa dale nga veza!

  2. Ina says

    e per cfare duhet ky artikulli se nuk e po e marr vesh fare… shkrim teresisht pa kuptim

  3. baca says

    Shkrime te tilla per tu hapur rugen ketyre ………. eshte turp keta jane ne kundershtim me zotin dhe ai i mallkon per devijimet e tyre

Comments are closed.