Kujdestaret e fëmijëve të yjeve

Të flasin kinezisht, latinisht e greqisht, por të kuptojnë shumë mirë edhe artin. Janë këto, si për çudi, disa nga kërkesat e çuditshme që Vip-at kërkojnë për baby sitter-it që kujdesen për të vegjlit e tyre. Në fakt, të mendosh që marrin 150 mijë dollarë në vit, janë kërkesa normale

VIP-at dhe kujdestaret e femijeveShumëkujt mund t’i kishte bërë përshtypje, kur disa ditë më parë, një vajzë e gjatë bukuroshe shëtiste rrugëve të Nju Jorkut, e shoqëruar nga aktorja Sarah Jessica Parker dhe dy binjaket e saj trendi, Tabitha e Marion. Në fakt, vajza, me flokët e gjata biondë të sapokrehur, me xhinse të ngushta, bluzë të bardhë dhe çantë të madhe, ishte kujdestarja që aktorja e “Sex and the City” ka punësuar për t’u kujdesur për vajzat e saj. Është plotësisht e vërtetë që kujdestaret nuk janë ato të dikurshmet, të paktën në Manhatan. Por askujt nuk mund t’i bëjë çudi lajmi i publikuar disa ditë më parë në “New York Magazine” ku shkruhej: Angelina Jolie e Brad Pitt shpenzojnë për secilën nga kujdestaret e fëmijëve të tyre rreth 150 mijë dollarë në vit. Sigurisht që fatlumja e zgjedhur në këtë pozicion duhet të ketë diplomë në pedagogji apo një fushë të ngjashme, të flasë rrjedhshëm disa gjuhë të huaja dhe të jetë e disponueshme që në çdo moment të ditës apo të natës, të hipë në avion bashkë me fëmijët për të cilët kujdeset. Me pak fjalë, t’i kushtosh jetën fëmijëve të yjeve, në këmbim të një shume të majme, është një përvojë që nuk të ndodh shpesh në jetë. Në Amerikë, të gjithë e dinë se shumë njujorkezë të pasur e të famshëm, kur kanë nevojë për një ndihmë më shumë në shtëpi, i drejtohen agjencisë së famshme “Pavillion Agency”. Te faqja e saj e internetit gjendet lehtësisht formulari me një numër shumë të gjatë pyetjesh. Mjafton ta mbushësh, për të bërë aplikimin për të shpresuar. Për më tepër, kërkesat e Vip-ave për kujdestarët e fëmijëve të tyre janë nga më të çuditshmet. Nëse mendoni se shprehja klasike “adhuroj të punoj me fëmijët, di të gatuaj mirë dhe kam patentë” janë të mjaftueshme, gaboheni rëndë. Pritshmëritë janë të tjera. Të flasë gjuhën mandarine, të njohë greqisht dhe latinisht (kërkesat e çiftit Gwyneth Paltrow-Chris Martin), të ketë patentë për drejtimin e mjeteve detare, dhe të kuptojë artin modern. Një çift tjetër Vip-ash, nga dy baballarë gay, kërkon për fëmijën e tyre “një kujdestare, që përveç të tjerave të ketë edhe një instinkt të thellë amësor”. Për më tepër, aftësia për t’u përshtatur me familjet moderne, të trazuara nga krizat, divorcet dhe varësitë, është një nga kërkesat thelbësore të International Nannies Association” në Las Vegas. Vogëlushi sapo ka lindur? Asnjë problem, do të kesh në dispozicion edhe një infermiere. Ka përfunduar qumështi? Për kë mendon menaxheri i shtëpisë. Por diçka është e qartë, asgjë rreth asaj që ndodh në familjen e Vip-ave ku je punësuar nuk duhet të dalë jashtë, përndryshe mund të të presin procesi gjyqësor, gjobat dhe ndonjëherë edhe burgu.

 



 

 

Punësimi

 

Kur të marrin në telefon pasi ke aplikuar, takimi i parë bëhet në selinë e agjencisë në një suitë elegante, në një pallat madhështor, vetëm dy hapa nga Fifth Avenue. Vajzat dhe gratë e përzgjedhura për intervistë nuk duket sikur kërkojnë të punësohen si kujdestare: të veshura bukur me kostum dhe këpucë firmato presin në radhë një nga një. Sekretarja e veshur në stilin “Mad Men” të shoqëron në zyrën e Cliff Greenhouse, përgjegjës për përzgjedhjen e baby sittera-ve për të famshmit. “Ne nuk marrim askënd në punë. Në varësi të asaj që klientët kërkojnë, përpiqemi t’i propozojmë kandidatin ideal”, thotë ai. Intervista e punës nis zakonisht me pyetjet: “Ku dhe kur ke punuar për herë të fundit? Udhëtoje shpesh me familjen?”. Intervistat zgjasin më shumë se tridhjetë minuta me detaje. Shumë prej aplikanteve e quajnë një super punë, që mezi e presin. “Kam një vend që mund të jetë shumë i përshtatshëm për ju. Një familje në Manhatan kërkon një kujdestare që mund të jetojë midis Nju Jorkut dhe Spanjës. Ju jeni perfekte: komunikim i mirë, pamje e mirë. Por nuk keni shumë përvojë, ndaj nuk mund të kërkoni më shumë se 60-70 mijë dollarë në vit, por që shumë shpejt mund të shkojë në 130 mijë”, i thotë Greenhouse njërës prej atyre që zgjedh. Është një nga më shumë se 500 aplikantet që kishin lënë takim atë ditë. Maksimumi që mund të zgjidhen janë dy ose tre. Të gjitha e presin me ankth një punë të tillë në këtë kohë krize ekonomike.

 

Këshillat

Atyre që u ka buzëqeshur fati për të qenë kujdestare të fëmijëve të Vip-ave u jepen dhe një sërë këshillash para se të fillojnë punë. Secili prej çifteve të të pasurve ka kërkesa që ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Gjithsesi të gjitha kanë diçka të përbashkët: nuk janë të fiksuara te bukuria, por te profesionalizmi dhe aftësia për të mos treguar asgjë nga ajo që ndodh në familjet e tyre të trazuara. Ah, edhe diçka tjetër për sa i përket bukurisë: Victoria Beckham, pasi e pësoi me kujdestaren bukuroshe që kishte zgjedhur për djemtë e saj, që nuk u kursye dhe shkoi në shtrat me David, për Harperin ka menduar me më shumë kujdes. Një grua te të 40-at, mbipeshë, aspak bukuroshe por shumë e zonja për ta mbajtur vajzën kur Victoria është e zënë. Në fund të fundit, kjo është ajo që ka rëndësi: ta bëjë mirë punën për të cilën paguhet rreth 100 mijë dollarë në vit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.