Dhjetë rregulla kundër obezitetit

Të vegjlit 

Disa këshilla të vogla për të parandaluar obezitetin e të vegjëlve. Mjekët dhe prindërit, në alarm për fenomenin vrasës

Nuk është aspak risi: fëmijët e kohëve të sotme janë shumë afër kufirit për të qenë obez. Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat, në vende të tilla si Spanja, Italia apo Gjermania, një në tre fëmijë është mbi peshë apo obez. Kjo do të thotë se fëmijët, që në vitet e para të jetës, kanë kilogramë të tepërt. Një situatë emergjente, por për ta luftuar, mjafton të ndjekësh vetëm dhjetë rregulla, të thjeshta dhe inteligjente të përmbledhura në guidën “Alarmi i obezitetit, si ta luftojmë në dhjetë hapa”.

 



Rregullat

Rregulli i parë fillon që nga ardhja e tyre në jetë dhe lidhet me ushqyerjen me gji. Ushqyerja me gji, për të paktën për gjashtë muaj, redukton rrezikun e obezitetit, ashtu siç kanë dyshuar në të kaluarën studimet e ndryshme. Me sa duket, efekti pozitiv i qumështit të nënës manifestohet mbi të gjitha, falë reduktimit të faktorëve të rritjes si IGF-1 dhe të insulinës, aq sa ushqyerja me gji duket se mbron edhe nga diabeti. Hapi i dytë lidhet me heqjen e gjirit pas muajit të gjashtë: “European Society of Pediatric Gastroenterology, Hepatology and Nutrition” vendosi në 2008-n se kjo është mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e mbipeshës, sepse qumështi i nënës është ushqimi më i kompletuar dhe i përshtatshëm për nevojat ushqimore të të porsalindurve (në çdo rast, ndërprerja e ushqyerjes me qumësht gjiri nuk duhet të përfundojë para javës së 17 apo pas asaj të 26). Pas kësaj, fëmijëve u duhet dhënë gjithmonë qumësht, që nuk është i pasur me proteina dhe sa më shumë ushqime të freskëta të përgatitura në shtëpi, pa harruar frutat dhe perimet.

Lëvizja

Një tjetër hap kundër obezitetit konsiston në moskonsumimin e pijeve të gazuara dhe të sheqerosura, si lëngjet e frutave, çajërat e ftohtë dhe gjëra të tilla të ngjashme: ky rregull vlen edhe për të gjitha moshat. Një tjetër rregull lidhet me heqjen e biberonit brenda dy viteve të para të jetës kurse tjetri është që të mos i nxirrni kurrë shëtitje në ajër të pastër të hipur mbi karrocë, nëse janë 3, 4 apo 5 vjeç. Ky rregull i fundit thuajse nuk zbatohet fare nga prindërit, që të frikësuar se mos fëmija i tyre lodhet, i nxjerrin shëtitje ata gjithmonë të ulur në karrocë.

Këshilla tjetër është kontrolli i shpeshtë i peshës para moshës 6-vjeçare, për të ndërhyrë para se të jetë vonë për të ndryshuar zakonet e gabuara. Duke qenë se sedentarizmi është një nga shkaqet kryesore të obezitetit, një tjetër rregull sugjeron që të shmangen me çdo kusht videolojërat dhe lojërat e tjera që të bëjnë të qëndrosh ulur para moshës 2-vjeçare, duke i kufizuar orët e televizionit dhe kompjuterit në 8 të tilla në javë. Sugjerimi i parafundit këshillon aktivizimin e tyre sa më shumë në ajër të pastër, me lojëra dhe aktivitete të ndryshme. E fundit, por jo nga rëndësia, lidhet me ushqimin e duhur, të freskët dhe të kufizuar në sasi për të vegjlit.

Guida

Guida e plotë e hartuar nga ekspertët do t’u shpërndahet prindërve dhe pediatërve në shumë vende të Europës. Projekti parashikon edhe takime me prindërit dhe fëmijët në shkollë, në mënyrë që përmes lojërave dhe leksioneve të vogla të pediatërve, të vegjlit duhet të mësojnë stilet e jetës së shëndetshme. Por në një pikë të gjithë janë dakord: në tre nga katër raste, një fëmijë obez do të jetë një i rritur obez, me rreziqe të mëdha për shëndetin e tyre: “Të dhënat e mbledhura dhe studimet e ndryshme tregojnë qartë se është e nevojshme të veprosh nga vitet e para të jetës për të luftuar obezitetin, duke i edukuar fëmijët me një stil jetese të shëndetshme dhe korrekt që në fëmijëri. Obeziteti është një sëmundje që në moshën e rritur është i lidhur ngushtë me diabetin dhe sëmundjet e ndryshme kardiovaskulare. Për këtë arsye kërkon një vëmendje shumë të madhe. Një pediatër i vetëm nuk mund të luftojë kundër obezitetit dhe është i destinuar të dështojë. Përfshirja e prindërve, vetë fëmijëve dhe mësuesve është thelbësore për të pasur sukses”, shpjegojnë ekspertët.

Shifrat

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tani njerëzit vdesin më shumë nga të ngrënit shumë sesa nga uria. Numri i personave obezë në të gjithë globin është rreth 1 miliard e gjysmë, dyfishi në krahasim me vitin 1980. Femrat janë 50% më shumë sesa meshkujt. Numri i fëmijëve obezë deri në 5 vjeç arrin në 40 milionë. Në fund të vitit të kaluar, në një artikull të publikuar te “New England Journal of Medicine” shpjegohej se kur respektohet një dietë dhe humbet peshë, në organizmin tonë nxitet një lojë e ndërlikuar hormonesh, që e shton oreksin për të zëvendësuar sërish ushqimin e humbur. Miliona vite evolucion e shtynë njeriun të përshtatet me mungesën e ushqimit, jo me bollëkun e tij.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.