Mes islamistëve dhe gardës së vjetër

Egjipti 

Zgjedhjet ne EgjiptZgjedhjet presidenciale në Egjipt janë sërish arsye për të mos e quajtur revoltën e madhe një “fitore të popullit”. Kjo sepse në garë për kreun e shtetit janë një ish-bashkëpunëtor i Mubarakut me një islamist. Për shumë egjiptianë asnjëri nga këta kandidatë nuk është i “hajrit”. Si pasojë, situata mund të përshkallëzohet sërish dhe sheshet të rimbushen me inatin dhe revoltën e njerëzve të zhgënjyer.

Një kërkim për shpirtin e popullit të Egjiptit mund të fillojë në rrugët e ngushta dhe plot pluhur të Shubra al-Khaimas një lagje në veri të Kajros. Nëpër rrugë sheh të shëtisin gomarë të pluhurosur dhe që ecin fare ngeshëm si të ishin në mjedisin e tyre, më pas të zë syri shitës të djersitur zarzavatesh dhe gjithfarëlloj gjërash të tjera, apo edhe çikërrimash që shpesh zihen me njëri-tjetrin për hapësirë. Fëmijët luajnë para shtëpive ngjitur me njëra-tjetrën dhe pleqtë ulen mbi stola nëpër pragjet e tyre.



Në këtë zallamahi plot pluhur dhe vapë mund të gjesh njerëz si Antar dhe Amgad Farid dy egjiptianë shumë të zakonshëm, vetëm dy nga 51 milionë banorët e vendit që në 16 dhe 17 qershor do të hedhin votën për Presidentin e ardhshëm.

Për Egjiptin do të jenë zgjedhjet e para demokratike për kreun e shtetit që u mundësuan falë një revolucioni që frymëzoi edhe revolucione të tjera në shumë vende të botës dhe kryesisht që nxiti shpirtin e revoltës në shtete autokratike, një revolucion që hoqi qafe Mubarakun, i cili së fundi është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me burgim të përjetshëm. Vëllezërit Amgad mezi presin që të marrin pjesë në këtë eksperiment unik. Ata ishin krenarë që vendi i tyre, Egjipti u shndërrua në promotor të revoltave dhe ndryshimeve në të gjithë rajonin. Por ata qëndrojnë brenda dyqanit të tyre të vogël dhe nuk është e vështirë që në fytyrat e tyre të shohësh zhgënjim e madje dhe dëshpërim. Ata ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer sikundër edhe çdo egjiptian i thjeshtë dhe punëtor që kërkonte ndryshime një vit më parë në shesh. Ata u zhgënjyen nga revolucioni i tyre.

 

Një gjeneral dhe një inxhinier

Ata u tmerruan kur morën vesh se cilët do të ishin kandidatët presidencialë në raundin e parë: Ahmed Shafiq, 70 vjeç një ish- gjeneral i forcave ajrore dhe anëtar i regjimit të Mubarakut dhe Mohamed Mursi në inxhinier 69-vjeçar  dhe zyrtar i lartë i islamistëve të Vëllazërisë Myslimane. Vëllezërit në fjalë, sikundër shumë vetë në lagjen e tyre kishin votuar për kandidatin e krahut të majtë, Hamdeen Sabahi. “Ne tani do të na duhet që të zgjedhim mes dikujt të cilin e urrejmë shumë, dikujt që e urren revolucionin dhe dikujt që kërkon të vendosë regjimin e sheriatit. Zoti pastë mëshirë për ne”, thotë njëri nga vëllezërit. Të dy ata ka shumë mundësi që të votojnë për Mubarakun dhe jo për islamistin në zgjedhjet e kësaj fundjave. Sepse sipas mendimit të tyre, ai është më pak i keq ndër të dy edhe pse mjaft problematik. Sipas tyre, dhe ky është mendimi i shumëkujt në vend më pak të rrezikshëm janë ushtarakët sesa islamistët, të cilët kanë një axhendë të frikshme për vendin, pasi kërkon që të vendosin regjimin e sheriatit.

Në lagjen e sipërpërmendur të Egjiptit  rreth një e treta e njerëzve janë të krishterë, ndërsa të krishterët në tërësi përbëjnë 10% të popullsisë të të gjithë vendit. Ajo çka është e qartë është se të krishterët në këtë vend kanë një frikë shumë të madhe në lidhje me mungesën e intolerancës. Ata kryesisht janë të varfër, por asnjëherë nuk kanë kërkuar ndihma nga vëllezërit myslimanë që në fakt furnizojnë vetëm njerëzit e tyre në një rreth të mbyllur.

 

Dëshira për stabilitet

Po jo vetëm njerëzit e varfër kanë vërejtje për dy kandidatët në fjalë. Edhe njerëz që merren me biznes thonë se vendi ka nevojë për një figurë që të përfaqësojë jo interesa të polarizuar. Kjo, sepse sipas tyre, Shafiq është ushtarak dhe nëse do të fitonte zgjedhjet, gjëja e parë që do të bënte do të ishte shpërbërja e Parlamentit, i cili dominohet nga Vëllazëria Myslimane dhe kjo do të ishte fatale për fazën e brishtë në të cilën ndodhet vendi. Nga ana tjetër të krishterët dhe liberalët nuk janë të vetmit që nuk duan një president nga vëllazëria myslimane. Shumë liderë ekonomikë anëtarë të ushtrisë dhe aparatit të vjetër të sigurimit shtetëror kanë nevojë për kushte stabile dhe qetësi dhe në një rast të tillë do të preferonin nga e keqja Shaqif.

Gjenerali në pension, një bashkëpunëtor i ngushtë i Mubarakut  dhe ish-presidentit të vendit, Sadat, ka premtuar që të krijojë një shtet të fortë dhe t’i japë fund kaosit që sundon në vend këto dy vite. Jo më kot në fjalimin e fundit elektoral që mbajti ai deklaroi se revolucioni kishte marrë fund. Si Kryeministri i fundit i vendosur në detyrë nga Mubaraku, Shaqif vetë mbahet përgjegjës për një pjesë të gjakut të derdhur nëpër rrugët dhe sheshet e Kajros gjatë vitit që shkoi dhe madje dhe në fillim të këtij vitit. Ai ndërkohë nuk i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion që nga koha kur ishte në detyrën e ministrit të Aviacionit. Ndaj për këtë arsye “bashkëpunimi me revolucionarët” që kërkon të bëjë ky njeri është një gënjeshtër fund e krye dhe thjesht një demagogji zgjedhore që nuk ka aspak ndërmend që ta zbatojë.

 

Problemet e Egjiptit

Kundërshtarët e tij thonë se Shaqif nuk duhet lejuar aspak që të marrë këtë post të lartë. Sipas një ligji të miratuar nga parlamenti i ri anëtarët e lartë të ish-regjimit duhet që të përjashtohen nga zgjedhjet dhe megjithatë komisioni zgjedhor miratoi kandidaturën e këtij eksponenti të lartë në një post kaq kyç. Ky është një shembull i mjaftueshëm për të ilustruar mënyrën se si po e qeverisin vendin njerëzit e këshillit ushtarak. Lidhjet e kandidatit me ushtrinë dhe sistemin e vjetër gjyqësor hedhin hije dyshimi te ky kandidat. Ai asnjëherë nuk i ka hequr dyshimet se është një mbështetës i Mubarakut, madje dhe kur ai ra nga pushteti dhe kur i nisi edhe procesi gjyqësor. Po a mundet kundërshtari i tij që të shndërrojë inatin publik në favor të kandidaturës së tij? Mbështetësit e tij thonë se ai do të ndjekë modelin islamik të ekonomisë që sipas tyre ka dhënë shumë fryte në vende të tjera dhe se Vëllazëria Myslimane është një lëvizje me “këmbë në tokë” dhe shumë konkrete me projekte e plane për të ndryshuar vendin. Por nëse është kështu përse atëherë raundin e parë të votimeve ky kandidat mori vetëm 24% të votave në tërësi? Ndërsa partia e tij 40% në zgjedhjet parlamentare në janar? A mos vallë e ka fajin karizma e këtij kandidati apo problemi është më i thellë? Apo mos vallë sjellja fillestare e Vëllazërisë Myslimane në Parlament në këta muaj lë shumë për të dëshiruar dhe njerëzit janë të zhgënjyer që në fillim?

E vërteta është se shumë egjiptianë janë të alarmuar për sa i takon situatës në vend e cila me shpërbërjen e dhomës së ulët të Parlamentit duket se po shkon sërish drejt një kaosi dhe përshkallëzimi negativ. Me sa duket e diela nuk do t’i japë aspak fund situatës së rëndë në vend. Përkundrazi.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.