Të djathtët pritet të marrin sot edhe kreun e shoqatës së bashkive

Zgjedhjet

Gara, mes kreut të Tiranës, Basha dhe atij të Shkodrës, Juka

Zhvillohen sot në Tiranë, pas një kohe të gjatë, zgjedhjet për kryetarin e Shoqatës së Bashkive, postin e të cilit e mbante ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, demokrati, Refik Rugia, ku në maj 2011 humbi zgjedhjet përballë socialistit Elvis Roshi. Votime do të ketë edhe për zgjedhjen komitetit drejtues dhe kryesinë, por me interes pritet se kush do të jetë kryetari i shoqatës, mandati i të cilit zgjat deri në mbajtjen e postit si kryetar bashkie.

Edhe pse socialistët drejtojnë pjesën dërrmuese të bashkive, zgjedhjet pritet t’i fitojnë demokratët

Mësohet se pretendentët janë kryetari i Tiranës, Lulzim Basha, dhe ai i Shkodrës, Lorenc Luka, madje ky i fundit mban aktualisht postin e zv/kryetarit të shoqatës, njëherësh organizator i zgjedhjeve.

Shoqata e bashkive në Shqipëri është shoqëruar me probleme të shumta vitet e fundit, ndikuar nga politika dhe me përçarje të shumta, duke sjellë edhe dështim në realizimin e objektivave që lidhen me autonominë e njësive vendore. Bashkitë nuk kanë qenë kurrë të grupuara, të paktën në 5 vitet e fundit dhe për rrjedhojë lobingjet për të rrëzuar ligjet e qeverisë të kontestuar, si kalimi i pronave apo taksat, nuk kanë marrë mbështetje.

Të ndarë nga ngjyrimet politike, krerët e bashkive, pavarësisht se ndajnë të njëjtat shqetësime, nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për t’i zgjidhur problemet. Kjo dukuri pritet të shoqërohet edhe ditën e sotme, ku pavarësisht se socialistët kanë pjesën dërrmuese të bashkive, ata pritet t’i humbasin zgjedhjet për kreun e shoqatës, për shkak të bojkotit.

Asambleja e Përgjithshme është ngjarja më madhore e Shoqatës së Bashkive. Në të marrin pjesë me të drejtë vote të gjithë kryetarët e bashkive dhe kryetarët e këshillave bashkiakë. Janë të ftuar të marrin pjesë anëtarë të qeverisë, Parlamentit, agjencitë joqeveritare, institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfaqësitë e huaja, si dhe organizatat joqeveritare që kontribuojnë për zhvillimin e demokracisë vendore. Në këtë mbledhje do të synohet nxitja e bashkëpunimit të të gjitha njësive vendore për të shkëmbyer eksperiencat pozitive dhe rritjen e kapaciteteve të tyre për të ofruar shërbime sa më efektive dhe sa më pranë qytetarëve etj.

Në njoftimin për shtyp, asambleja e shoqatës vlerëson si element thelbësor bashkëpunimin me Shoqatën e Komunave dhe atë të Qarqeve për të arritur një zhvillim të integruar të territorit, duke synuar lobimin me kushtin që ligjet apo vendimet që lidhen në mënyrë direkte apo indirekte me qeverisjen vendore, para se të miratohen të marrin në konsideratë në mënyrë institucionale mendimet e të gjitha bashkive. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë u themelua në 12 tetor 1993, me kërkesë të një grupi prej 10 kryetarë bashkish dhe ka mbështetjen e shumë organizmave ndërkombëtarë.

A.K.

Themelimi

Shoqata e Bashkive u themelua më 12 tetor 1993, me kërkesë të një grupi prej 10 kryetarë bashkish

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.