Diskriminohen se e kanë kryetarin e majtë

Njësitë vendore 

Edhe pse qeverisin mbi popullsi më të madhe se demokratët, marrin 9.7% më pak nga buxheti

Berisha & BodeKa një parim në ndarjen e fondeve përmes skemës së granteve të pakushtëzuara nga buxheti i shtetit, i cili lidhet me numrin e popullsisë dhe rëndësisë që ka investimi. Qeveria e drejtuar nga demokratët ka lënë pas dore ato njësi vendore të menaxhuara nga socialistët, a thua sikur 1.5 milionë banorët e “këtyre” bashkive dhe komunave të mos jenë shtetas shqiptarë.

Disa nga gjetjet në raportin e fundit të lëvizjes “Mjaft!” prekin mënyrën se qeveria e ka zbatuar buxhetin gjatë vitit 2011, nga ku konstatohet diskriminimi te njësitë vendore.

Ndarja e grantit për 373 bashkitë dhe komunat, sipas ekspertëve që kanë punuar me buxhetin, rezulton se është bërë në favor të bashkive të qeverisura nga Partia Demokratike, në rast se merret parasysh granti për frymë. Granti ndahet mes bashkive dhe komunave bazuar në disa kritere, ku numri i popullsisë sipas Censusit 2001 është kriteri kryesor. Nga ballafaqimi i të dhënave të buxheteve 2010 dhe 2011 me të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin vendor 2007, si dhe të dhënat mbi popullsinë nga censusi 2001, rezulton se: Partia Socialiste qeveris mbi 1.46 milionë shqiptarë dhe njësitë qeverisëse të administruara prej saj morën 3200 lekë transfertë të pakushtëzuar për frymë. Partia Demokratike qeveris mbi 1.41 milionë shqiptarë dhe njësitë e saj morën 3600 lekë grant konkurrues për frymë. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (në atë kohë në koalicion qeverisës me PD) qeveris mbi 78 mijë shqiptarë dhe përfitoi grant konkurrues për vitin 2011 në masën 4.400 lekë për frymë. Në total, njësitë e qeverisura nga PD përfituan gjatë vitit 2011 5 miliardë lekë grant, ndërsa ato të qeverisura nga socialistët përfituan 4.7 miliardë. Llogaritur për frymë, njësitë e qeverisura nga PD përfituan 9.7 për qind më shumë fonde sesa ato të qeverisura nga PS. Një analizë më e thellë është e nevojshme për të parë efektet e mundshme në rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin vendor maj 2011 nga avantazhi i të pasurit në dorë administrimin e buxhetit të shtetit.

Përveç faktit që pushteti vendor i kontrolluar nga qeveria ka përfituar më shumë sesa ai i kontrolluar nga opozita, statistikat tregojnë gjithashtu se transfertat e pakushtëzuara për njësitë e qeverisura nga mazhoranca kanë pësuar rritje në vitin 2011 në krahasim me vitin 2009, ndërsa ato të kontrolluara nga opozita, jo.

Qeveria qendrore shpërndau me anë të buxhetit 2011 13.3 miliardë lekë në formën e “transfertave të pakushtëzuara” për njësitë e qeverisjes vendore, si dhe për qarqet. Këto transferta teorikisht duhet të kenë për destinacion investimet publike të ndërmarra nga pushteti vendor, ndërkohë që shpenzimet operative të bashkive dhe komunave, duhet të mbulohen nga të ardhurat e veta. Në realitet, shumica e komunave dhe bashkive të vogla kanë pak ose aspak të ardhura nga taksat e veta dhe rrjedhimisht përdorin transfertën e pakushtëzuar për të mbuluar shpenzimet e veta për paga. Nga ana tjetër, shumat e transfertave për komunat e vogla janë tepër të ulëta për të nisur ndonjë projekt serioz investimi. Ndarja e transfertës së pakushtëzuar gjendet zakonisht në tabelën 3 të buxhetit të miratuar.

Zgjedhjet për pushtetin vendor u zhvilluan më 8 maj 2011 dhe pasiguria politike e institucionale vijoi për shumë muaj më vonë. Për disa zona, si Fieri dhe Vlora, pasiguria institucionale vijon edhe në vitin 2012 si pasojë e mosmarrëveshjeve për drejtimin e këshillave bashkiakë apo të këshillave të qarqeve.

Shpenzimet e qeverisë për investime për periudhën janar-maj, që nënkupton një periudhë parazgjedhore, qenë më të larta sesa zakonisht, gjë që nënkupton dëshirën e qeverisë për të fituar më shumë vota përmes kryerjes së investimeve publike, veçanërisht në infrastrukturë. Fizibiliteti dhe qëndrueshmëria kohore e këtyre investimeve të kryera për efekt zgjedhor është e dyshimtë.

Të ardhurat e pushtetit vendor nga taksat e veta në periudhat parazgjedhore pësojnë një rënie të konsiderueshme, gjë që mund t’i atribuohet angazhimit të administratave të njësive të qeverisjes vendore në fushatat elektorale të kryetarëve. Të ardhurat nga biznesi i vogël në periudhën janar-maj 2011 ranë me 27 për qind në krahasim me një vit më parë, ndërsa të ardhurat nga taksa për pasurinë ranë me 3.1 për qind. Të ardhurat nga taksat për biznesin e vogël në katërmujorin 2011 qenë më të ulëtat e regjistruara në një dekadë.

Ndarja e grantit për pushtetin vendor

Subjekti

Granti

Popullsia 2001

Granti për frymë

2010

2011

2010

2011

PS

4,594,923

4,724,940

1,456,867

3.2

3.2

PD

4,998,516

5,031,128

1,414,763

3.5

3.6

PBDNJ

335,693

341,758

77,609

4.3

4.4

I pavarur

160,930

162,988

49,077

3.3

3.3

Të dhënat financiare në mijë lekë. Popullsia numër
Burimi: Llogaritur nga ligjet e buxhetit, si dhe nga REPOBA 2001
©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.