BE, 100 miliardë euro për bankat spanjolle

Kryeministri Rajoy: “Vendimi i ministrave të eurozonës tregoi besueshmërinë e euros”

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, përshëndeti vendimin e ministrave të Financave të Eurozonës për të ndihmuar në Spanjë për të rikapitalizuar bankat e saj duke e cilësuar një fitore të madhe për monedhën e përbashkët europiane. “Ishte besueshmëria e euros ajo që fitoi”, u tha ai gazetarëve. Në fundjavë, ministrat e eurozonës ranë dakord të japin për Madridin deri në 100 miliardë euro për të ndihmuar bankat e goditura rëndë nga kriza e kredive të këqija. SHBA dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN)gjithashtu e përshëndetën këtë vendim. Rajoy tha në një konferencë për shtyp në Madrid se përpjekjet e qeverisë së qendrës së djathtë shmangën një ndihmë më të madhe në shkallë kombëtare. “Nëse ne nuk do të kishim bërë atë që kemi bërë në pesë muajt e fundit, atëherë vendimi i fundit i ndërkombëtarëve do të kishte qenë një paketë shpëtimi për Spanjën”, tha ai. Kjo ndihmë për rikapitalizimin e bankave, shtoi më tej Rajoy, do të përshpejtojë dhënien e kredive për familjet, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për punonjësit e pavarur.
“Sistemi financiar solid spanjoll fitoi, ashtu siç fitoi edhe besueshmëria e euros”, tha ai, duke premtuar se do të shkojë më përpara me reformat strukturore dhe ekonomike. Vendimi i Spanjës për të kërkuar 100 miliardë euro hua nga fondet e eurozonës për të ndihmuar ekonominë në vështirësi ka gjetur një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Pas Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë, Spanja është vendi i katërt që merr ndihma dhe mbështetje prej fondit për shpëtimin e euros. Ndihma që kërkon Spanja lidhet me rikapitalizimin e bankave dhe nevoja për ndihmë shkon deri 100 miliardë euro. Sipas agjencisë së vlerësimit të kreditit Fitch nevoja e Spanjës për t’iu drejtuar ndihmave të BE-së lidhet me krizën e sektorit bankar dhe kërkesave për rikapitalizim të instituteve të ndryshme. Fitch parashikon se vendi do të mbetet në recesion edhe për pjesën tjetër të vitit 2012 dhe vitin e ardhshëm. Ekonomia spanjolle prej kohësh ndodhet në recesion dhe situatë të vështirë. Situata është përkeqësuar më shumë pas ardhjes në fuqi të Kryeministrit Mariano Rajoy që për të shpëtuar vendin nga gremina iu desh që të merrte një sërë masash për shkurtimin e shpenzimeve dhe balancimet në buxhet. Një tjetër problem i madh me të cilin përballet vendi është edhe ai i papunësisë së lartë. Spanja është vendi i eurozonës me numrin më të lartë të të papunëve, sidomos mes të rinjve. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga agjencia kombëtare e statistikave në vendin iberik, numri i të papunëve në fund të muajit maj ka shkuar mbi 5 milionë e 600 mijë, e përkthyer në përqindje, 24.4 për qind e popullsisë së aftë për punë. Me 24% të papunë, shifra më e lartë në Bashkimin Europian, Spanja është e goditur përveç krizës bankare edhe prej pabarazive të forta sociale.

 

Ndihma – Në fundjavë, ministrat e eurozonës ranë dakord të japin për Madridin deri në 100 miliardë euro për të ndihmuar bankat e goditura rëndë nga kriza e kredive të këqija

Masat – Nëse ne nuk do të kishim bërë atë që kemi bërë në pesë muajt e fundit, atëherë vendimi i fundit i ndërkombëtarëve do të kishte qenë një paketë shpëtimi për Spanjën

EURO – Sistemi financiar solid spanjoll fitoi, ashtu siç fitoi edhe besueshmëria e euros”, tha Kryeministri, duke premtuar se do të shkojë më përpara me reformat strukturore dhe ekonomike







Comments are closed.