Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Bota

Ministrat e Eurozonës takohen për “paketën spanjolle”

Situata

Edhe pse Spanja nuk e ka kërkuar ndihmën, BE është gati ta “ndihmojë”

Ministrat e Financave të Eurozonës do të mbajnë një konferencë, në të cilën do të diskutojnë për paketën e shpëtimit financiar që i duhet Spanjës për të dalë nga gjendja e kolapsit bankar në të cilën është aktualisht. Sipas burimeve nga Komisioni Europian, është shumë pranë njoftimi i Spanjës në lidhje me kërkesën për ndihmë financiare nga BE-ja. Kjo sepse situata e bankave të këtij vendi është me të vërtetë shumë e rëndë dhe në prag të krizës. Ndërkohë, FMN-ja, që do të jetë një nga kreditorët e Spanjës në rast se ajo do ta kërkojë paketën e ndihmës financiare, deklaron se në një situatë të tillë, këtij vendi do t’i bëjë punë një paketë me 40 miliardë euro. FMN-ja tha se testi i stresit tregon se Spanja ka një sektor financiar shumë të brishtë. Spanja prej ditësh pritet që të formulojë kërkesën e saj për ndihmë financiare. Kjo, edhe sepse vetë ministri i Financave të vendit, në një deklaratë që dha për shtyp në fillim të javës, bëri të ditur se për momentin, vendi nuk kishte ndërmend që të kërkonte ndihmë financiare. Nëse Spanja do ta bëjë këtë, atëherë ai do të jetë vendi i katërt brenda vendeve të Eurozonës që do të kërkojë paketën në këmbim të së cilës do t’i duhet që të bëjë shkurtime të tjera të shpenzimeve, që do të rrënojnë edhe më shumë ekonominë dhe do të krijojnë probleme me rritjen ekonomike të vendit, që është shumë e ulët. Një nga problemet më të mëdha me të cilat po përballet Spanja këto kohë është edhe ai i papunësisë së të rinjve, që ka kaluar të gjitha parashikimet dhe shifrat negative. Në lidhje me situatën e Spanjës, ka folur edhe shefi i Eurozonës, Jean Claude Juncker, sipas të cilit Spanjës në situatën në të cilën ndodhet, i duhet që të marrë shumë shpejt një vendim para se të jetë vonë. Por, deri më tani, Spanja ende nuk e ka bërë zyrtarisht këtë kërkesë, edhe pse burime shumë të sigurta konfidenciale dhe anonime konfirmojnë faktin se Spanja po bëhet gati për një hap të tillë. Sipas burimeve zyrtare, Spanja deklaron se nuk ka nevojë për ndihmë financiare nga jashtë për të stabilizuar situatën e bankave të saj. Kryeministri i Spanjës ka këmbëngulur se, edhe në rast se do të kërkohet një paketë ndihme ajo do të ndodhë pas auditimit që po u bëhet bankave spanjolle që janë në një krizë të thellë, kryesisht për shkak të kredive të këqija. Janë auditet që do të përcaktojnë se sa para do t’u duhen bankave spanjolle për të dalë nga situata. Por vetëm ata dhe në përfundim të punës së tyre do të japin një vlerësim të saktë, jo të tjerët.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore