Miliardat e Greqisë, drejt bankave tona

Shanset 

Tërhiqen 7 miliardë euro nga bankat greke. Te ne u transferuan mbi 700 milionë euro

Është një shans që nuk duhet humbur. Kësaj here, vjen nga vendi fqinj, Greqia, e cila po vuan pasojat e gjithanshme të krizës. Ashtu si me “Pranverën arabe”, një vit më parë, ku konfliktet në veri të Afrikës shtuan volumin e punës për industrinë e tekstileve në vend, tashmë janë bankat tona, të cilat janë duke tërhequr dhjetëra qindra milionë euro nga homologet në Greqi, për shkak të panikut të daljes nga euro dhe rikthimit të dhrahmisë.

Sikurse raporton korrespodenti i “Top Channel”, në Selanik, me afrimin e zgjedhjeve të 17 qershorit, shtohen edhe flukset e tërheqjes së depozitave nga bankat greke, ku të përfshirë në këtë hemorragji janë edhe emigrantët shqiptarë, por nuk përjashtohen edhe të huajt. Në 15 ditët e fundit është vënë re se një numër i madh klientësh kanë filluar të boshatisin llogaritë relativisht të mëdha, duke tërhequr secili çdo ditë, shuma nga 80 deri në 100.000 euro në kesh, ndërsa vlerësohet se kërkesat për tërheqje do të shtohen gjatë kësaj jave. Sipas burimeve të pakonfirmuara bankare, në 20 ditët e fundit kanë fluturuar nga bankat greke mbi 7 miliardë euro, duke e çuar shumën e përgjithshme të parave

të tërhequra prej tyre brenda dy vitesh, në 80 miliardë euro.

Në këto mori tërheqjesh, të përfituar dalin edhe bankat në vendin tonë. Edhe pse nuk rezulton një e dhënë zyrtare, e dalë nga Banka e Shqipërisë, burime të sigurta pranë agjentëve te bankat private në vend, bëjnë të ditur se në pesë muajt e parë të vitit vlerësohet të kenë hyrë në depozitat e sistemit tonë të paktën 700 milionë euro. Shifra del nga raportimet që bëjnë bankat në vend, përmes buletineve për përdorim të brendshëm dhe i referohen të dhënave të aksesueshme vetëm nga Banka e Shqipërisë. Paratë e depozituara te bankat tona besohet se janë të emigrantëve, të cilët nga frika e rikthimit të dhrahmisë dhe zhvlerësimit të kursimeve të tyre, i kanë transferuar në vendin tonë.

Në dukje, ky është lajm i mirë për depozitat e sistemit tonë bankar, por në fakt, kriza e kredive me problemeve nuk po sjell avantazhet e pritshme për biznesin dhe individët.

Në Greqi, bankat duke mos pasur para, kanë ndaluar pothuajse plotësisht dhënien e kredive, sidomos ndaj biznesit, ndërsa është rritur ndjeshëm niveli i kredive të këqija. Kredia me probleme konsiderohet shqetësuese edhe për sistemin tonë, pasi kanë arritur në mbi 20 për qind, ose afro 800 milionë euro, por nuk mund të thuash për depozitat, të cilat vetëm njohin rritje, si shenjë besimi ndaj bankave në vend.

Të paktën, deri në fund të muajit prill, depozitat arritën në rreth 6 miliardë euro, me rritje për një muaj me 50 milionë euro, ndërsa në raport me një vit më parë, pësuan rritje me rreth 10 për qind. Në këto kushte, bankat në vendin tonë kanë likuiditete më se të mjaftueshme për të financuar, por kërkesa e dobët dhe rreziku më i lartë nuk i japin krahë huadhënies.

Ekspertët e ekonomisë janë të ndarë në disa mendime sa i takon vlerës shtesë së krijuar nga kriza në Greqi dhe çfarë mund të përfitojë vendi ynë. Janë të shumtë që mendojnë se me krijimin e stoqeve në banka, sistemi do të vihet nën presionin e kostove të interesave për depozitat, duke i shtyrë bankat të jenë më dorëliruara. Bankat nuk kanë leverdi të mos japin kredi, aq më tepër kur raporti kredi-depozita është rreth 60 për qind. Por ka të tjerë që mendojnë se emigrantët nuk kanë se çfarë të transferojnë më në vendin e tyre, pasi e kanë realizuar për vite të tëra me anë të dërgesave. Për këtë çështje kemi një fakt interesant, ku sipas Institutit Europian të Statistikave, Eurostat, në vitin 2010, pra kur kriza në Greqi mori formë të plotë, transfertat nga emigrantët shqiptarë drejt familjeve të tyre në Shqipëri arritën në 514 milionë euro, duke shënuar rritje drastike me 51 për qind në krahasim me vitin 2009. Rritja e shpejtë e remitancave nga Greqia gjatë vitit 2010, nxjerr në pah nga njëra anë, burimin e rritjes së shpejtë të depozitave gjatë atij viti, si dhe hedh dyshime mbi saktësinë e të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë mbi të ardhurat nga emigrimi. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në vitin 2010, Shqipëria përfitoi 690 milionë euro të ardhura nga puna e emigrantëve jashtë vendit, me rënie prej 91 milionë eurosh ose 12 për qind në krahasim me vitin 2009. Nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e shqiptarëve që punojnë në Greqi, por vlerësohet se janë rreth 600 mijë vetë.

A.K.

 

Sistemi

Depozitat – Të dhënat e fundit, deri në muajin prill, tregojnë se niveli i depozitave u rrit 10% në raport me 2011-n, duke arritur në 6 miliardë euro

Emigrantët – Deri në fund të muajit maj, vlerësohet nga bankat private në vend se emigrantët shqiptarë mund të kenë transferuar nga Greqia mbi 700 milionë euro

Kredia – Portofoli i kredisë, sipas BSH, arriti në rreth 3.5 miliardë euro, me një rënie modeste 1.5 milionë euro, kurse rritja vjetore zbriti në 9,9%

 

Shoqata

Bankat: Rriten depozitat e individëve, bien bizneset

Aktivet e sistemit bankar shënuan rritje gjatë tremujorit të parë 2012, duke arritur në fund të marsit në 1,140 miliardë lekë ose 89 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, bën të ditur zyrtarisht Shoqata e Bankave në Shqipëri (AAB). Rritja e regjistruar ishte pothuaj e njëjtë me atë të të njëjtit tremujor një vit më parë, në nivelin rreth 1.8 për qind. Depozitat në fund të tremujorit të parë 2012, ishin rreth 100 milionë euro më të larta se në fund të vitit 2011, të mbështetura nga rritja e depozitave të individëve. Ritmet vjetore të rritjes së depozitave në total mbetën të pandryshuara për tremujorin, në rreth 13 për qind. Depozitat e individëve janë rritur me rreth 3 për qind gjatë tremujorit, duke ruajtur norma rritjeje vjetore të qëndrueshme, dhe njëkohësisht duke konfirmuar orientimin e individëve drejt kursimit. Ndërkohë, depozitat e bizneseve kanë rënë gjatë tremujorit me rreth 7.8 për qind, megjithëse në fund të marsit 2012 paraqiten rreth 2.7 për qind më të larta se e njëjta periudhë një vit më parë. Sipas shoqatës, kredia e bankave për sektorin privat është rritur me ritme më të ngadalshme gjatë tremujorit të parë 2012, çka është reflektuar edhe në një rënie të rritjes vjetore të saj në 13.3 për qind, nga 15.3 për qind në fund të dhjetorit 2011. Megjithatë, muaji mars shënoi pjesën më të madhe të rritjes së kredidhënies gjatë tremujorit. Teprica totale e kredisë u rrit me rreth 5.6 miliardë lekë gjatë tremujorit, e ndikuar nga rritja e kredisë për korporatat, ndërkohë që kredia për individë ka ndryshuar pak nga niveli i fundvitit të kaluar. Totali i kredisë së re të lëvruar gjatë tremujorit ishte rreth 63 miliardë lekë dhe rreth 8 për qind më e lartë se në të njëjtën periudhë një vit më parë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/









LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.