FMN, leksion Tatimeve: Hiqni dorë nga gjobat

Rekomandimi: Luftoni fenomenin, jo individin

Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Administrata tatimore ka të punësuar rreth 1600 punonjës, ku 600 janë inspektorë terreni, kurse biznese janë të paktën 90 mijë aktive, në të gjithë vendin, qytet, fshat, në zona fushore, por edhe në mal. Kaq mjafton për të kuptuar se raporti i inspektor/biznes e bën të pamundur kontrollin e tatimeve në çdo sektor dhe në kohë reale, pasi kërkon kosto të larta dhe energji të konsiderueshme. Nisur nga ky raport, ekspertët e Fondit Monetar, pas një pune disamujore në administratën tonë të Tatimeve kanë nxjerrë një set me rregulla sesi duhet vepruar, në mënyrë që edhe rezultatet të jenë pozitive. Në plan të parë rekomandohet kujdesi me gjobat, të cilat në shumë raste janë tepruar dhe vetëm sa kanë acaruar klimën me biznesin. Sipas FMN, gjoba nuk duhet të jetë një mjet primar për të nxitur pagesën e taksave, apo presion privatit. Më parë sipas fondit, është e nevojshme që biznesi të këshillohet “për të keqen që i vjen në rast se nuk zbaton ligjin”.

Prej disa javësh, administrata tatimore është duke u përpjekur të përmirësojë imazhin, me strategjinë e re

FMN ka shprehur habinë se si administrata tatimore operon në bazë plani për realizimin e të ardhurave. Edhe pse nga drejtuesit e tatimeve u është shpjeguar se presioni nga lart (Ministria e Financave) konsiderohet i lartë, aq sa parimet e “këshillimit” nuk bëjnë, por vetëm shikohet sesi të realizohet, apo të tejkalohet plani.

Prej disa javësh, administrata tatimore është duke u përpjekur të përmirësojë imazh. Në takimin që zhvilloi dy javë më parë kreu i tatimeve, Gazmir Spahija, me gazetarët, bëri të ditur se platforma e ndjekjes së sektorëve me probleme do të jetë e ndryshme, duke nisur me diskutime paraprake me grupet e interesit, duke i informuar me problematikat, me fakte dhe prova, dhe paralajmëruar për masat e ndëshkimit.

Modeli i zbatuar deri më tani, gjoba dhe ndëshkime vetëm sa kanë rritur korrupsionin në radhët e inspektorëve tatimorë, se sa realisht kanë luftuar evazionin fiskal. Mjafton të shikosh të ardhurat, ku si 4-mujor dalin me rritje 4 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2011. Ministria e Financave është e pakënaqur me ritmin e tatimeve dhe shton presionet për më shumë. Ministri Bode pak interesohet për klimën sesa për arkën, dhe për këtë fakt, irlandezi i FMN-së, eksperti i çështjeve fiskale ka shprehur habinë.

Mentaliteti që kërkon të vendosë fondi monetar tek administrata është standardi i “ndjekjes dhe kapjes së rastit, evazionit” dhe jo “të ndiqet individi”. Spahija dhe drejtuesit e të tjerë të Tatimeve kanë pranuar t’u nënshtrohen rregullave të reja, por vendosja e politikave të reja në bazë është një mision i vështirë.

Aktualisht janë identifikuar katër sektorët më me risk, transporti, ndërtimi, turizmi dhe karburantet. Burime zyrtare nga administrata tatimore pohojnë për “Shqip” se skema e kontrolleve është bërë gati, me dosje dhe fakte të plota. “Janë mbajtur nën vëzhgim subjekte që kryejnë evazion dhe nuk respektojnë ligjin, janë fotografuar dhe dosja me shkeljet është e plotë”, sqaron Drejtoria e Tatimeve. Para nisjes së aksioneve, administrata mendon të dialogojë më parë me grupet e interesit, pasi tashmë e ka kuptuar që lufta ndaj evazionit nuk mund të realizohet e vetme. Problem për tatimet vijon të mbetet deficiti te mbledhja e taksës së TVSH, ku subjektet përpiqen ta shmangin duke krijuar shoqëri “fantazmë” për shkarkimin e faturave.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.