Kriza e kredive, PS kryqëzon Fullanin

1 miliard USD të rrezikuara, PS: Bllokim ekzekutimit të kolateraleve. Panik nga Greqia

ARD KOLA

Paniku në Greqi për falimentimin e bankave, tërheqja e depozitave dhe situata alarmante e kredive me probleme në vendin tonë, kanë shkaktuar debate të forta në Kuvend. Epiqendra e diskutimeve, ku nuk munguan edhe akuzat, ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, që sipas opozitës nuk ndërmori asnjë masë për të parashikuar krizën dhe nuk është treguar transparent për situatën e bankave në vend, kurse në raportin vjetor banka mban të njëjtat qëndrime si të qeverisë. Zanafilla e diskutimeve ishte raporti mbi aktivitetin e Bankës së Shqipërisë në vitin 2011, ku për këtë çështje, më i ashpër u paraqit deputeti i PS-së, Erjon Braçe, i cili kritikoi mungesën e transparencës së institucionit. Fullani, i përfolur së fundmi si kandidati i mazhorancës për postin e presidentit, u vendos në qendër të diskutimeve për rolin “asnjanës”, ndërsa opozita propozoi marrjen e disa masave për të dalë nga situata e krijuar.

Debati u zhvendos dhe u thellua te situata e kredisë me probleme në vend, vështirësitë e biznesit për likuiditete dhe siguria e bankave në Shqipëri. Duke marrë shkas nga rezoluta e hartuar nga Komisioni i Ekonomisë, të cilën socialistët e konsideronin jo realiste, atëherë në emër të grupit parlamentar të PS-së, zv/kryetarja e komisionit, Mimi Kodheli, paraqiti një paketë më një sërë masash, të cilat arrinin deri në bllokimin e ekzekutimit të kolateraleve.

Aktualisht kreditë me probleme kanë arritur në nivelin e 20 përqindëshit në raport me portofolin, ose në vlerë të paktën 1 miliard dollarë dhe në këto kushte, bankat kanë shtrënguar kushtet.

Rezoluta e paraqitur nga PS, që më pas u rrëzua nga mazhoranca në Kuvend, përmban disa propozime, ku pika 3 konsiderohet më e forta, duke sjellë edhe reagimin e ministrit të Financave, Ridvan Bode.

“Riskedulimi i detyrimeve të prapambetura, përdorimi i një sistemi garancie shtetëror që ndan riskun midis bankave, biznesit dhe qeverisë, ulja e kostos si dhe rritja e kreditimit të ekonomisë”, janë disa nga rekomandimet e paraqitura për punën e BSH-së në të ardhmen. Por ka ndërhyrë ministri i Financave, sipas të cilit, propozimet që vijnë nuk mund të merren në konsideratë, pasi ekzistojnë ligje të posaçme dhe ato nuk mund të ndryshojnë. “Ajo çfarë kërkoni ju nuk mund të realizohet”, iu drejtua ministri opozitës.

Në rezolutë thuhet se, biznesi mbetet skeptik për masat e marra deri tani në lehtësimin e kushteve të kredisë dhe është i rënduar nga psikoza që kriza do të thellohet. “Në këto kushte, Banka e Shqipërisë duhet të ushtrojë ndikimin e saj për rritjen e kreditimit të ekonomisë”, rekomandon PS-ja. Sipas Kodhelit, përvoja e deritanishme tregon se transmetimi i kësaj mase ose ka qenë shumë i vonuar ose bankat kanë vepruar në mënyrë të njëanshme “duke ulur vetëm interesat e depozitave dhe duke injoruar uljen e normës së interesit për kreditë”.

Sa i takon krizës greke, në rezolutë thuhet se, BSH dhe Ministria e Financës, bazuar në përvojat e krizave të monedhës në vende të tjera, në bashkëpunimin midis sistemit bankar të vendit tonë me atë të Greqisë dhe vendeve të tjera, bazuar në direktivat e BE-së për sigurimin e depozitave, në zhvleftësimet e mëdha të kursimeve në rast falimentimi të vendeve të tjera, “duhet të ndjekin nga afër risqet që mund të kenë emigrantët shqiptarë mbi depozitat e tyre në bankat greke dhe të prezantojnë një paketë sa më të qartë rekomandimesh lidhur me situatën e krijuar”.

 

Braçe: Të ardhurat vjetore të guvernatorit, 100 milionë lekë

“Guvernatori i BSH-së shpenzon këtë vit 13 milionë dollarë për paga, dieta, honorare, veç tyre edhe 7 milionë dollarë shpenzime administrative!! Vetëm të ardhurat e tij vjetore si Guvernator arrijnë afër 100 milionë lekë; d.m.th 8 milionë lekë në muaj, ose 360 mijë lekë në ditë pune, ose 45 mijë lekë në orë pune!!

Ky Guvernator nuk ka moral!

Kur janë ndalur e nuk paguhen faturat e të verbërve, para e tetraplegjikëve, faturat e investimeve të kryera, shpenzimet e BSH-së dhe Guvernatorit janë një skandal marramendës”, ishte komenti me akuza i deputetit të PS-së, postuar dje në “Facebook”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/









LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.