Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Dy modelet e pensioneve te privati

Tri kolonat

Kolona e parë, të ketë një sistem bazë shtetëror të detyrueshëm i cili të mbulojë 35-40 për qind të pensionit, kolona e dytë, sistemi privat i detyruar, ku një pjesë e kontributit (20-25 për qind) kalon në llogaritë individuale të çdo të siguruari duke u menaxhuar privatisht, dhe kolona e tretë, sistemi vullnetar privat, i cili të mbulojë 10-15 për qind të pensionit

Zbardhet formula e re, Bode: Na duhet mbështetja e opozitës. Hasa: E nevojshme

ARD KOLA

Ministria e Financave dhe Banka Botërore e kanë të qartë se si do të veprojë skema e pensioneve në të ardhmen, pasi aktualja nuk po afron asgjë, por vetëm humbje kolosale për buxhetin. Pikërisht në 20-vjetorin e krijimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se, qeveria e ka gjetur sakaq formulën e zgjidhjes, por kërkon mbështetjen e opozitës, nisur nga fakti se reforma konsiderohet afatgjate, mbi 50-vjeçare. Reforma është hartuar nga grup pune ekspertësh vendas dhe të huaj nga BB-ja, ndërsa gazeta "Shqip" ka mundur të sigurojë një studimin paraprak të skemës së re dhe çfarë synon ajo.

Për momentin, një pjesë e kontributit 3-5 për qind mund të kalojë në administrim në këto skema

I pranishëm në konferencën e zhvilluar dje ishte drejtuesi i njohur i ISSH-së, për 15 vjet me radhë, njohës i problematikave në terren dhe hartues i disa politikave. Sipas Naim Hasës, "për ta kompletuar sistemin e përgjithshëm të Sigurimeve Shoqërore, për të rritur pjesëmarrjen dhe përfitimet e sistemit është e nevojshme vënia në funksionim edhe të dy kolonave të tjera të tij, fillimisht zhvillimin e skemës suplementare vullnetare dhe gradualisht kolonën e dytë, sistemin e detyrueshëm privat, si kërkesa imediate të kohës".

Në thelb, ekspertët kanë trajtuar dy modele, nisur nga eksperiencat e vendeve të ndryshme të botës, të cilat synojnë derdhjen e kontributeve edhe te skemat e privatit, të cilët, me anë të investimeve dhe të ardhurave që krijojnë, kanë mundësi t?i japin pension individit, shumë pranë vlerës reale të pagës.

Ajo çfarë po ndodh sot lidhet me diskriminimin në raport me atë çfarë paguan dhe çfarë merr kur del në pension, si rrjedhojë e politikave të gabuara nga ana e shtetit. Rritja e raportit të pagave në funksion të derdhjes së kontributit nga 1:3 në 1:5 (pagë minimale 17.200 lekë, pagë maksimale 86.000 lekë) kundrejt 1:2, raporti i pensioneve (11.000 lekë minimalja në 22.000 lekë maksimalja) ka dekurajuar brezin e ri, ndërsa shteti nuk përfitoi asgjë nga ulja e kontributeve, me gati 40 për qind.

Aktualisht, shkalla e kontributit mbi pagën bruto është rreth 22 për qind, e cila derdhet e gjitha në shtet. Ekspertët gjykojnë, që një pjesë e saj të derdhet te privati, si mundësi për të përfituar një pension të drejtë dhe sa më afër kontributit.

Modeli i parë dhe më i përgjithshmi, i analizuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore është që sistemi të jetë i përbërë nga tri skema ose (sipas përkufizimit të BB-së) me tri kolona. Kolona e parë, të ketë një sistem bazë shtetëror të detyrueshëm, i cili të mbulojë 35-40 për qind të pensionit, kolona e dytë, sistemi privat i detyruar, ku një pjesë e kontributit (20-25 për qind) kalon në llogaritë individuale të çdo të siguruari duke u menaxhuar privatisht dhe kolona e tretë, sistemi vullnetar privat, i cili të mbulojë 10-15 për qind të pensionit. Pra, për dy kolonat e para, skema është e detyrueshme, ku në të parën kontributi derdhet në shtet, kurse në të dytën te privati, tek ajo shoqëri që individi vlerëson se do t?i japë më shumë pension kur të mbushë moshën. Në kolonën e tretë, kontributi do të jetë vullnetar te privati, për atë individ që synon të marrë më shumë, në raport me të tjerët. Modeli i parë zbatohet në shumë vende të botës si në: Poloni, Bullgari, Hungari, Kroaci, Estoni, Rumani, Sllovaki, madje dhe të rajonit, Kosovë dhe Maqedoni.

Sa i takon modelit të dytë, është një sistem dy kolonësh që përbëhet nga një skemë bazë shtetërore e konsoliduar, e cila të përballojë 55-60 për qind të pensionit dhe një skemë e sigurimit privat vullnetar të zhvilluar ku t?i krijohet mundësia nëpërmjet lehtësirave fiskale të gjithë popullsisë aktive të përfshihet në këtë skemë dhe të mbulojë 15-20 për qind të pensionit. Këtë model e gjejmë të zbatuar në Çeki dhe Slloveni.

Nga dy modelet që aplikohen sot në botë, palët mendojnë të vënë në zbatim nisur nga kushtet e vendit, modelin e parë, me tri kolona, pra vendosja edhe e sistemit të detyruar privat, ku për momentin një pjesë e kontributit 3-5 për qind mund të kalojë në administrim në këto skema.

Dosjet 

Pensione dixhitale, kundër mashtruesve 

Aktualisht, ISSH është futur në procesin e dixhitalizimit të të gjithë vjetërsisë në punë, që nga viti 1947 dhe në vazhdim, në mënyrë që shërbimi për qytetarët të jetë më i shpejtë dhe korrekt. "Parë në kontekstin e rëndësisë sociale për qytetarët, informatizimi i të dhënave, duke përfshirë kontributet, llogaritjen e përfitimeve që jepen nga skema e sigurimeve shoqërore, sistemin financiar dhe sistemin e administrimit të burimeve njerëzore, si dhe përfundimi i arkivit kombëtar përbën ndoshta një nga hapat më të rëndësishëm në kuadër të miradministrimit të skemës, me qëllim që të evidentohet qartë çdo kontribut dhe përfitim, dhe që gjithkush të arrijë të përfitojë atë që i takon nga sistemi i pagesës së pensioneve", deklaroi dje Vjollca Braho, drejtoresha e ISSH-së. Nga kontrollet e vazhdueshme dhe dixhitalizimi është bërë e mundur që të nxirren nga skema të gjitha përfitimet e paligjshme dhe të bëhet i mundur kthimi i parave të marra në mënyrë të pamerituar në arkën e ISSH-së, me qëllim që nga ky institucion të tërhiqen vetëm pensione të merituara. Sipas Brahos, janë në shqyrtim 108 mijë dosje dhe janë gjetur 3 mijë pensione me shkelje ligjore.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore