“Rruga e Qumështit” do të përplaset me “Andromedën”… pas 4 miliardë vitesh

Por, Toka do t’ia hedhë paq edhe kësaj here, edhe pse pas 1 miliard vitesh ajo do të jetë e pabanueshme për shkak të rritjes së rrezatimit diellor

Foto ilustruese se si do të duket qielli pas përplasjes mes galaktikave

Keni kohë të bëheni gati dhe të sistemoni të gjitha gjërat që keni lënë pezull, përpara ndeshjes galaktike mes Rrugës së Qumështit dhe galaktikës fqinje të Andromedës. Sa kohë, do thoni ju? Pak a shumë 4 miliardë vjet. Pra, pak a shumë aq sa ç’është edhe mosha e vetë Tokës.

Shkencëtarët e NASA-s kanë njoftuar se tani është e mundur që të parashikohet me saktësi përplasja që do të ndodhë mes galaktikës sonë dhe Andromedës, e cila aktualisht qëndron në një distancë prej 2.5 milionë vjet dritë larg prej nesh.

Kështu pra, pas 4 miliardë vjetësh, bëjnë me dije shkencëtarët e Institutit të të Teleskopit Hapësinor në Baltimora, dy galaktikat të cilat bëjnë pjesë në një grup prej 50 galaktikash gjithsej, do të ndeshen.

Si rezultat, Dielli ynë ndoshta do të spostohet në një tjetër rajon të galaktikës, por Toka dhe Sistemi Diellor nuk janë në rrezik nga shkatërrimi, edhe pse përplasja mes dy galaktikave binjake do jetë me një shpejtësi prej 1.9 milion km/orë.

Falë teleskopit hapësinor ‘Hubble’, astronomët kanë vëzhguar lëvizjen e Andromedës, e cila po i afrohet Rrugës së Qumështit me një shpejtësi prej mbi 400 mijë km/ orë, e nxitur nga tërheqja gravitacionale e ndërsjellë dhe nga materia e padukshme e errët që i rrethon ato.

Në dy miliardë vjet, galaktika Andromeda, e cila tani ka formën e një spiraleje si Rruga e Qumështit, do të marrë një formë eliptike, si galaktikat e tjera.

Në të vërtetë, në atë kohë Toka do të jetë e pabanueshme. Në fakt, duke filluar nga rreth 1 miliard vjet më vonë, Dielli do të rrisë rrezatimet gradualisht duke e bërë të papërshtatshëm për jetën planetin tonë. Gjithashtu, 2-3 miliardë vjet pas përplasjes me Andromedën, ylli ynë do të zgjerohet duke e gllabëruar të gjithë tokën, pasi ta ketë shndërruar praktikisht në një shkretëtirë me shkëmbinj flakërues.

1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

2 Comments
  1. Arif Gjongjini says

    Ky lajm shkencor (nëse është i tillë) rrezaton goxha ironi. Deri atëherë ne vetë e miljarda breza mbas nesh do jenë bërë pjesë e diellit bashkë me tokën. Mirëpo komentin më shumë e bëj për të vënë në dukej se shkencëtarët po na e bëjnë mendjen erë (thuhet edhe çorbë, edhe nga ato me erë të keqe…), me njoftimet kundërthënëse që japin herë pas here. Si qenka e mundur të përplasen Andromeda me Rrugën e Qumështit, kur kanë thënë se galaktikat largohen (në kuptimin përhapen nëpër hapësirën boshe) me një shpejtësi të madhe e kjo jepet si prova që ka ndodhur Big-bengu. Ndoshta galaktikat ndërrojnë mendje e pendohen për drejtimin që kanë marrë, ndërrojnë udhë e i sulen njëra-tjetrës. Fundja mirë do bëjnë, kur shohin njerëzit, që edhe ata vetë me luftra e kanë shtytur jetën qyhs nga koha kur janë shfaqur në Tokë. Bammmmmmm. Mblidhni plaçkat! Bukur!

  2. Univers says

    Arif, largimi i galaksive nga njera tjetra verehet ne nje shkalle distance me te madhe ku midis ketyre galaksive nuk asnje nderveprim gravitacional. Andromeda dhe Rruga e Qumeshtit bejne pjese ne nje grup lokal galaksish ne distanca relativisht te vogla (ne krahasim me universin e vrojtueshem), dhe meqenese kane terheqje gravitacionale me njera-tjetren jane do “shkrihen te dyja ne nje” pas 1 miliard vjetesh. Nuk ka asnje kunderthenie dhe “shkrirje” te tilla jane vrojtuar nga astronomet edhe ndermjet galaksive te tjera.

Comments are closed.