Bota XXL

Sedilje më të gjera, tualete superkomode, shtretër të mëdhenj. Gjithçka do të jetë më e lirshme, sepse numri i obezëve është në rritje dhe ata kërkojnë komfort

Treguesi i personave obezë në Amerikë është trefishuar që nga viti 1960 e deri më sot, duke arritur në vlerën 34%. Numri i personave me obezitet të rëndë (një tregues i masës trupore më i lartë se 40) është rritur 6 herë dhe tani përbëjnë 6% të popullsisë. Në vitin 2030, mendohet se kjo shifër do të arrijë në 42%.

Standardet e mjeteve publike datojnë prej viteve ‘60, por tani do të ndryshojnë

Nëse njerëzit nuk arrijnë të dobësohen, atëherë do t’i duhet botës të “zgjerohet” për ta dhe këtu përfshihen sediljet e autobusëve, avionëve dhe stadiumeve. Të njëjtën gjë do të pësojnë edhe kabinat e telefonave, karrocat me rrota dhe shtretërit e spitaleve, dyert e autobusëve të shkollave, sepse epidemia e obezitetit ka prekur edhe fëmijët. Të gjithë po shëndoshen në mënyrë aq të çuditshme saqë duket se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë këtë fenomen. Në Nju Jork, nëpër trena, sediljet e reja do të krijohen për të mbajtur pesha mbi 180 kilogramë. Vagonët e sapoporositur nga agjencia e transportit “New Jersey Transit” kanë vende komode prej 50 centimetrash (5,6 cm më shumë se sediljet e mëparshme). Edhe autobusët tradicionalë të shkollave zgjeruan dyert kryesore, sepse fëmijët e shëndoshë e kishin të vështirë të kalonin dhe viheshin në lojë nga shokët (në SHBA obeziteti te fëmijët nën moshën 17-vjeçare është 17%).

Kompanitë private kanë qenë më të shpejta në ristrukturim sesa agjencitë federale

Kështu dy lajme të kohëve të fundit e bindën Amerikën se kishte ardhur momenti që të bënte diçka. I pari ishte aksidenti që ndodhi vitin e kaluar i një avioni të vogël privat, ku humbi jetën piloti, sepse ishte aq i shëndoshë, saqë nuk e kishte lënë airbag-un të hapej. Autoritetet federale të aviacionit filluan të pyesnin nëse edhe avionët e mëdhenj të linjave, të menduar në vitet ‘60 për një pasagjer 77 kilogramë ishin ende të përshtatshëm për një amerikan me trup mesatar të ditëve të sotme, i cili arrin deri në 88 kilogramë. I dyti ishte raporti i fundit i “Centres for Disease Control”, që në fillim të muajit maj bëri një krahasim të të gjithë atyre që kujdesen për luftimin e ushqimit të keq. Pavarësisht strategjive që Amerika po ndjek për të luftuar një epidemi, pasojat e së cilës mbi shëndetin e popullatës janë më të mëdha se ato të duhanit (150 miliardë dollarë në vit). Mesa duket, kjo epidemi nuk ka ndërmend të ndalet, të paktën edhe për 15 vitet e ardhshme. Treguesi i personave obezë në Amerikë është trefishuar që nga viti 1960 e deri më sot, duke arritur në vlerën 34%. Numri i personave me obezitet të rëndë (një tregues i masës trupore më i lartë se 40) është rritur 6 herë dhe tani përbëjnë 6% të popullsisë. Në vitin 2030, mendohet që kjo shifër do të arrijë në 42%. Në fakt është e çuditshme se si njerëzit nuk ndërgjegjësohen, pavarësisht fushatave informuese, nismave shëndetësore nëpër shkolla dhe restorante, tabelat me vlerat ushqyese të stampuara mbi të gjitha produktet, përhapja e kirurgjisë për të zvogëluar përmasat e stomakut, pilulave për të luftuar dhjamin përmes kimisë.

Nuk mund të bëhet asgjë. Shigjeta e peshores së njerëzimit vazhdon të shënojë rritje. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tani njerëzit vdesin më shumë nga të ngrënit shumë sesa nga uria. Numri i personave obezë në të gjithë globin është rreth një miliard e gjysmë, dyfishi në krahasim me vitin 1980. Femrat janë 50% më shumë sesa meshkujt. Numri i fëmijët 5 vjeç obezë arrin në 40 milionë. Në fund të vitit të kaluar, në një artikull të publikuar te “New England Journal of Medicine” shpjegohej se kur respektohet një dietë dhe humbet peshë, në organizmin tonë nxitet një lojë e ndërlikuar hormonesh që e shton oreksin për të zëvendësuar sërish ushqimin e humbur. Miliona vite evolucion e shtynë njeriun të përshtatet me mungesën e ushqimit, jo me bollëkun e tij. Të gjithë mekanizmat tanë qelizorë janë rafinuar për të ruajtur energjinë.

Sipas përfundimeve të Sheldon Jacobson, inxhinier i Universitetit të Illinoisit, rezultati është se çdo vit, makinat private amerikane konsumojnë 4,3 miliardë litra karburant më shumë për shkak të rritjes së peshës së shoferëve dhe pasagjerëve. Pesha e tepërt ndihet si te frenat, ashtu edhe timoni. Më 14 mars të 2011-s “Federal Transit Authority”, agjencia e Departamentit të Transportit Amerikan propozoi që të ripërshtateshin standardet e sigurisë së autobusëve publikë nga 68 në 79 kilogramë mesatarisht për një pasagjer, si dhe të llogaritej numri maksimal i personave në bord. Kështu, edhe një herë, duke u krahasuar me vitin 1960 standardet rriten, prandaj automjetet e sotme publike amerikane duhet të ndërtohen, duke pasur parasysh nivelet e sotme të stresit dhe peshës trupore. Një procedurë e tillë do të ndiqet edhe me avionët e mëdhenj të linjave. Sediljet dhe rripat e sigurimit e krijuara para 60 vjetësh janë ideuar për të mbajtur peshën e amerikanëve jo shumë të shëndoshë, 74 kg meshkujt dhe 88 kg femrat.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.