Ambientet e banuara nga meshkujt janë plot me baktere

Duke bërë një krahasim me femrat, vendet që përdoren nga burrat, si p.sh zyrat, kanë rezultuar më të infektuara nga mikrobet dhe papastërtitë

Nuk mund ta themi me siguri se meshkujt janë më të papastër se femrat apo se janë më pak të prirur për të mbajtur higjienë, pasi kjo është një çështje subjektive dhe relative, pasi ndryshon në njerëz të ndryshëm. Por ama, fakt është se nga analizimi i ambienteve të banuara nga meshkujt, fjala vjen zyrat, ka rezultuar se ato janë më tepër të populluara nga mikrobet dhe bakteret se sa ambientet ku rrinë femrat.

Ai që e ka përcaktuar faktin se meshkujt janë më pisanjosë, është dr. Scott Kelley, nga Universiteti i Kalifornisë, i cili me anë të një analize të detajuar ka zbuluar praninë e plot 500 lloje bakteresh në zyrat e tre qyteteve që ka marrë në shqyrtim, New York, San Francisco dhe Tucson. Ndër këto baktere, më të zakonshmet dhe më të shpeshtat ishin ato me prejardhje nga lëkura e njeriut, nga zgavrat hundore, goja apo zorrët …

 “Qeniet njerëzore gjithnjë e më tepër po kalojnë pjesën më të madhe të kohës  në ambiente të mbyllura, por ne dimë shumë pak në lidhje me diversitetin e baktereve dhe viruseve me të cilët jetojmë, punojmë apo edhe luajmë, – thotë Kelley, – Ky studim jep informacion të detajuar mbi tërësinë bakteriale në mjediset e mbyllura të  zyrave dhe një mënyrë për të kuptuar burimin e këtyre organizmave të rrezikshëm për shëndetin  njeriut”.

Studimi në fjalë është botuar në revistën ‘PLoS ONE’ dhe tregon qartë se ka dallime të rëndësishme dhe të dukshme mes pranisë së baktereve në zyrat e banuara kryesisht apo ekskluzivisht nga burrat, në krahasim me ato të përdorura nga gratë.

Raporti tregon gjithashtu se si identiteti, ashtu edhe bollëku i baktereve të zbuluara është pothuajse i njëjtë në të gjitha zyrat e disa qyteteve që u morën në shqyrtim. I vetmi ndryshim, siç u përmend, vihet re kur specifikohet nëse zyra është e banuar nga një mashkull apo një femër.

Më të infektuara me mikrobe rezultoi të ishin karriget dhe telefonat. Megjithatë, jo më pak ishte tavolina, tastiera dhe mausi i kompjuterit. Por ajo që ngeli si përfundim i nxjerrë prej studimit është fakti se mjediset e frekuentuara nga meshkujt mund të jenë më të rrezikuara nga infeksionet e ndryshme, për shkak të mbipopullimit me mikrobe dhe baktere.

1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

 

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.