Qeveria kryen shkurtim shpenzimesh pa ligj

Disa institucione raportojnë kufizimin e buxhetit, por qeveria nuk ka miratuar asnjë ligj konkret

Gjergj Erebara

Disa institucione buxhetore kanë raportuar për tremujorin e parë se kanë punuar me një “buxhet të rishikuar” për vitin 2012, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar asnjë ligj për rishikim buxheti. Shkurtimi i shpenzimeve buxhetore u pa si i domosdoshëm që nga fillimi i këtij viti, por qeveria nuk dërgoi kërkesë për ndryshime në Parlament, dukshëm për të shmangur debatet politike mbi këtë dështim flagrant në parashikimin e ecurisë së ekonomisë. Zyrtarisht, Shqipëria vijon të ketë atë buxhet që Parlamenti votoi dhjetorin e kaluar ndërsa në praktikë ka një buxhet më të vogël. Shkurtimi i shpenzimeve mësohet se është bërë me një qarkore të lëshuar nga Ministria e Financave dhe e papublikuar. Ligjshmëria e shkurtimit të shpenzimeve buxhetore pa miratimin e Parlamentit është e dyshimtë.



Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor (ZABGJ) është një nga institucionet që ka raportuar drejtpërsëdrejti ekzistencën e një plani shpenzimesh të ndryshëm nga ligji i miratuar në Parlament.

Duke folur për shpenzimet për mallra të tjerë, ku përfshihen shpenzimet për kancelari, karburant e të tjera, kjo zyrë në raportin për realizimin e buxhetit gjatë tremujorit të parë thotë: “Fondi i akorduar nga buxheti i shtetit për periudhën janar – mars është 79,770 mijë lekë, ndërsa buxheti i rishikuar është 56,201 mijë lekë. Realizimi i këtij artikulli paraqitet në vlerën 55,061 mijë lekë, ose 98% e buxhetit të rishikuar, si dhe 69% e buxhetit të detajuar në fillim të vitit”.

ZABGJ thotë se shkurtimi i shpenzimeve është bërë me shkresën nr. 4213/28, datë 21.03.2012 të Ministrisë së Financave.

Buxheti i vitit 2012 u miratua dhjetorin e kaluar bazuar në disa parashikime që nuk i besonte askush, përfshirë edhe shumë ekspertë të qeverisë. Buxheti parashikonte rritje të ardhurash e shpenzimesh prej rreth 8 përqindësh në krahasim me buxhetin faktik të vitit 2011, ndërkohë që të gjitha parashikimet flisnin për një vit të vështirë nën ndikimin e krizës. Ndërkohë, për periudhën janar-prill të këtij viti, të ardhurat e qeverisë u rritën me vetëm 2.5 për qind, ndërsa shpenzimet u ulën me 1.6 për qind.

Megjithatë qeveria nuk ka shumë qejf të programojë një buxhet realist dhe për më tepër, pavarësisht vështirësive financiare të dukshme, vijon të premtojë rritje pagash e pensionesh.

Planifikimi i keq i të ardhurave dhe shpenzimeve janë kritikuar gjatë viteve të fundit edhe nga ekspertët e Bankës Botërore, të cilët vërejnë se shkurtimet e papritura shkaktojnë boshllëqe në programet e ndryshme publike dhe këto boshllëqe shkaktojnë dëme edhe për atë pjesë të kryer të investimeve. Për shkak të planifikimit të keq shumë, projekte investimesh publike kanë mbetur pa u vënë në punë apo po degradojnë nga mospërfundimi i punimeve.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.