Ulen me 47% investimet e brendshme, fatet e vendit varen nga kreditorët

Prag krize

Raporti i detajuar: 80 milionë dollarë më pak investime 

Arka e shtetit nuk po “prodhon” më para dhe në këto kushte është e detyruar t’i shtrijë dorën kredituesve, si nga bankat ashtu dhe nga institucionet financiare gjysmëdonatore, si BB, BERZH apo fondet islamike. Të dhënat e detajuara tregojnë se, shpenzimet kapitale deri në fund të muajit mars 2012 janë realizuar në rreth 23.4 për qind të planit vjetor. Këtu duhet të mbahet parasysh se rreth 26 milionë lekë janë dhënë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për investime. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 32.3 për qind, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 17.6 për qind të parashikimit vjetor.

Të ndara në zëra, investimet e brendshme, të realizuara nga të ardhurat direkte të arkës së buxhetit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rezultojnë rreth 7.9 miliardë lekë (rreth 80 milionë dollarë) më të ulëta ose rreth 47.1 për qind më pak, ndërkohë që investimet me financim të huaj rezultojnë rreth 4.6 miliardë lekë më të larta ose rreth 162.9 për qind më shumë. Për rrjedhojë, investimet në total, në fund të muajit mars 2012, janë rreth 16.7 për qind më të ulëta ose rreth 3.3 miliardë lekë më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.



Por edhe si 4-mujor, investimet rezultojnë të ulëta në tërësi, madje më keq se në muajin mars. Sipas Ministrisë së Financave, në prill, qeveria i uli investimet me paratë e buxhetit gati dy herë më pak sesa në muajin mars. Ndërsa si 4-mujor, investimet këtë vit janë 73 milionë dollarë ose 30 për qind më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë se kjo është shifra më e ulët e investimeve me paratë e buxhetit që nga 2008-a dhe tkurrja e tyre duket e lidhur me dy arsye kryesore. Së pari, të ardhurat që qeveria mbledh nga taksat dhe burimet e tjera financiare vazhdojnë të rriten me ritme shumë të ulëta, gati të papërfillshme nëse zhvishen nga inflacioni.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

1 Comment
  1. Ing-Tirana72 says

    Ekonomia e tregut qe ka servirur SH.B.A deri tani ka qene e sukseseshme per ta,sepse ata prodhojne,gjithashtu  gjithe keto 10-ra vjecare  kane perfituar ose kane ndare humbjen me vendet e tjera te perfshire me pas ne ekonomine e tregut,por nje dite i vjen fundi,prandaj duhet te hedhin syte edhe nga ekonomia e planifikuar, nderlidhjen e te dyjave.Ek. e tregut “zhvilloi” tek ne ndertimin e banesave,bankat,shkollat private,spitalet private,mbushi magazinat me mall stok,me mallra ushqimore qe shume prej tyre hidhen ne nje kohe qe ka njerez te uritur.Le ta rregulloje tregu tani dhe rrumpallen  ekonomike qe ka perfshire vendin tone dhe te tjeret,per te cilen pergjegjes dhe perfitues  jane politikanet dhe bankat.

Comments are closed.