BSH ndërhyn në treg për ruajtjen e euros

Kursi 

Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg dy herë gjatë një jave duke blerë euro në këmbim të lekut, një masë kjo që duket se dëshiron të shmangë forcimin e shpejtë të monedhës shqiptare. Lajmi bëhet i ditur për “Shqip” nga burime të mirinformuara nga sistemi bankar. Ndërhyrja e kryer në mesin e muajit maj (datë 17) konsistoi në blerjen e euros në kuotën 138.9 lekë. Ndërkohë, bankat dhe agjencitë e këmbimit valutor gjatë ditëve të fundit kanë shfaqur tendencën e zgjerimit të marzhit mes kuotës së shitjes dhe asaj të blerjes së euros, duke treguar kështu shenja nervozizmi dhe pritshmërie për luhatje të forta.

Sipas kursit mesatar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro u shkëmbye sot për 138.76 lekë, 19 qindarka më lirë se sa dita e djeshme. Leku është forcuar gradualisht gjatë dy javëve të fundit kundrejt euros dhe është dobësuar kundrejt dollarit, duke reflektuar situatën në tregun ndërkombëtar. Euro ka rënë ndjeshëm gjatë ditëve të fundit kundrejt monedhave të tjera ndërkombëtare nga pasiguritë e krijuara nga kriza politike dhe ekonomike në Greqi. Por kriza në Greqi duket se ka dhënë edhe pasoja të tjera në ekonominë shqiptare, pasi vlerësohet se shumë emigrantë që kanë jetuar prej vitesh në Greqi, po transferojnë kursimet në atdhe si mënyra më e thjeshtë për të shmangur rrezikun e daljes së Greqisë nga Eurozona. Dalja e Greqisë nga euro dhe vendosja e një monedhe të re mund të përgjysmojë brenda pak ditësh vlerën e kursimeve që gjenden aktualisht nëpër bankat e Greqisë. Shqipëria përjetoi një valë paniku janarin e kaluar, kur shumë shqiptarë nxituan pa u menduar mirë të këmbenin eurot e tyre në lekë apo në dollarë. Ndonëse zhvendosja e kursimeve nga Greqia drejt vendeve të tjera konsiderohet si një lëvizje e logjikshme nga ekspertët shqiptarë e ndërkombëtarë, konvertimi i eurove në lekë apo në ndonjë monedhë tjetër konsiderohet si një veprim i nxituar nga i cili vetë kursimtarët do të humbasin ndërsa bankat dhe agjencitë e këmbimit valutor do të përfitojnë.



gazeta-shqip.com

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.