Shtohen mashtrimet me kartat bankare

Tendenca në rritje, 5%. Ekspertët: Njohin sistemin, por bankat ofrojnë siguri

Janë të mirëgrupuar, të mirëfinancuar dhe shumë të zgjuar. Detyrat i kanë të ndara, në vjedhjen e informacionit, shitjen te dikush tjetër dhe keqpërdorimin. Në pjesën dërrmuese, bankat në vend janë gjendur të papërgatitura dhe metoda mashtrimi të sofistikuara, por edhe reagimi ka qenë i menjëhershëm. Në vitin 2008 u realizua aksioni më i madh, me arrestimin e 28 të rinjve, kryesisht shqiptarë, të cilët vodhën mijëra euro nga bankomatet, por 2011-a do të mbahet mend gjatë nga drejtuesit e bankave në vend. Komiteti Kundër Mashtrimeve me Karta, njësi e ngritur pranë shoqatës shqiptare të bankave sheh të domosdoshëm bashkëpunimin me strukturat e shtetit dhe me të gjithë aktorët që prekin fenomenin e vjedhjes.

Të dhënat që jep ky komitet, në kuadër të Forumit të dytë Kombëtar, të zhvilluar para disa ditësh në Tiranë, tregojnë se vitin e kaluar, ku ishin të pranishëm prokurorë dhe hetues të krimit ekonomik, rastet me mashtrimet e kanë pozicionuar Shqipërinë si vend me risk të lartë. Megjithatë, kryetarja e komitetit, Enkelejda Balliu, tregon për “Shqip” se niveli i mashtrimeve, në raport me numrin e transaksioneve, nuk mund të konsiderohet aq shqetësues. Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të ulët të humbjeve, afro 2.6 pikë bazë (100 pikë bazë = 1%) si pasojë e mashtrimeve, krahasuar me Europën (5.01 pikë bazë) apo në nivelin global (7.7 pikë bazë).

“Shqetësuese për bankat shqiptare, duhet të konsiderohet tendenca e cila pati një rritje 5% në raport me vitin 2010”, tregon Balliu. Ajo thotë se dy janë llojet bazë të mashtrimit me karta.



Lloji i parë i konsiston në kopjimin e shirit magnetik të kartës bankare, (skimming) veprim që ka ndodhur, si në vendin tonë, ashtu dhe jashtë. “Ky është rasti më tipik ku objekti i sulmit janë ATM-të në të cilat vendosen pajisje kopjuese dhe minikamera”, thotë shefja e Komitetit që lufton mashtrimet me kartat në shoqatën e bankave.

Lloji i dytë i mashtrimit, lidhet me vjedhjen (thyerjen) e të dhënave të kartave të procesorëve, (Data Breach), që do të thotë, aksesimi i të dhënave të kartave nga sistemi, shitja e këtyre të dhënave, futja e tyre në shiritin magnetik të kartave të tjera, e më tej përdorimi i kartave të komprometuara në rrjete të ndryshme.

Këto karta mund të përdoren për blerje online, blerje në POS (Pika Shitje) ashtu edhe në bankomat ATM, nëse keqbërësit disponojnë edhe kodin PIN (numri personal i identifikimit).

Po kush janë rastet që futën vendin tonë në listën e riskut?

Në vitin 2011, sistemi u sulmua tri herë, por më i rëndi është mashtrimi përmes skemës së 5 bullgarëve në qershor dhe korrik, që më pas u arrestuan pas një operacioni spektakolar.

“Ky grup i mirorganizuar sulmoi dy a më shumë ATM, ku njëra ishte te Drejtoria e Policisë së Tiranës, dhe tjetra te Komuna e Parisit. Ata vendosën skimmer-a (pajisje kopjuese të të dhënave në shiritin magnetik), kopjuan informacionin e mijëra kartave të shtetasve shqiptarë, ku pjesa dërrmuese i përdorin ato për tërheqjen e pagave në ATM, si dhe vendosën kamera shumë të vogla dhe përfituan gjithashtu dhe PIN-et e këtyre kartave”, vijon tregimin Balliu. Ndryshe nga rastet e kaluara ku vjedhja zakonisht kryhej nga kartat e përdorura në internet apo në rrjete jashtë Shqipërisë, bankat në vendin tonë u përballën me një fenomen të ri.

Rasti tjetër ka të bëjë me vjedhjen e informacionit të kartave të përdorura në Greqi, nga viti 2010 deri në korrik 2011. Kartat e përdorura në vendin fqinj, në rrjetin e POS-ve, ATM-ve apo faqeve të internetit për blerje online, të cilat procesojnë transaksionet nëpërmjet Euronet-it, ishin të komprometuara, që do të thotë se të dhënat e këtyre kartave ishin marrë nga sistemi dhe shitur keqbërësve.

“Duhet kuptuar që për një periudhë tranzitore është e pamundur të kuptosh nëse kartat janë vjedhur apo kompromentuar, pasi kriminelët e nisin më vonë përdorimin e kartës, dhe ky është momenti kur vihet re skema e mashtrimit, apo kur banka apo vetë klientët vërejnë transaksionet fraud dhe diferencat në llogari. Kur nisëm identifikimin e rasteve sporadike, nuk po arrinim të kuptonim sa nga vinin vjedhjet, nga se ishin shkaktuar, cila ishte pika e komprometimit”, thotë ekspertja.

Në të gjitha rastet, identifikimi i mashtrimeve erdhi në bazë të bashkëpunimit të policisë dhe sistemit modern të përdorur nga bankat, duke vënë në punë edhe zgjuarsinë. Për çdo vjedhje me anë të mashtrimit, bankat reagojnë menjëherë duke rimbursuar klientin dhe zëvendësuar kartën e kompromentuar (të klonuar). Balliu thotë se, banka nuk mund të veprojë dhe nuk mund të kuptojë se është në prag vjedhjeje, por çdo identifikim dhe operacion i ndërmarrë ndodh vetëm pas aktit të kryer.

SMART: “Duhet të jemi SMART (të zgjuar) për të mbrojtur të dhënat e klientëve sidomos në ATM duke vendosur pajisje antikopjuese më të fundit”

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.