Bankomatet, miliona transaksione me kartat

BSH: 93.5% janë tërheqje kesh nga ATM-të dhe 6.5% pagesa

Detyrimi ligjor për t’i tërhequr pagat me bankë dhe futja në sistem e një sërë shërbimesh elektronike ka shtuar përdorimin e bankomateve dhe të pagesave online.

Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se, gjatë vitit 2011, në total janë procesuar rreth 11.5 milionë transaksione me karta (ATM dhe POS) me një qarkullim prej 118 miliardë lekësh. Nga totali i transaksioneve, rreth 93.5 për qind përbëjnë tërheqje kesh nga ATM-të dhe vetëm 6.5 për qind janë pagesa klientësh me karta në POS-e. Pagesat me karta në terminale POS, tregojnë për një mbizotërim të numrit të transaksioneve të kryera nëpërmjet kartave të debitit.

Pasqyrimi i shpërndarjes së transaksioneve të pagesave për klientë dëshmon mbizotërimin e tërheqjeve dhe depozitimeve kesh si në sportelet e bankave ashtu edhe në ATM, ndërkohë që pagesat e klientëve me instrumente pagesash zënë vetëm 1/3 e totalit të këtyre shërbimeve.



Në fund të vitit 2011, vihet re një rritje prej 5.3 për qind e numrit të kartave në qarkullim, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga ndarja e kartave sipas funksionit vihet re një rritje disi më e përshpejtuar e kartave me funksion krediti, me 39 për qind, krahasuar me atë kartave me funksion debiti të cilat kanë pasqyruar një rritje prej 4 për qind. Kështu, duke iu referuar raportimeve të bankave, kartat e debitit zënë rreth 95 për qind ndaj totalit të kartave në qarkullim në fund të vitit 2011, krahasuar me 96 për qind në fund të vitit 2010.

Megjithatë, BSH vë re, se kartat janë një instrument pagese me përdorim relativisht të përhapur në Shqipëri, ndonëse shkalla e përdorimit të tyre vlerësohet të jetë ende e ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit, si dhe me potencialin e mundshëm, nëse marrim parasysh se numri i llogarive të klientëve të aksesueshme në distancë, nëpërmjet një karte debiti ose krediti vlerësohet në masën 28 për qind ndaj totalit të llogarive të klientëve”, vëren Banka e Shqipërisë, në raportin vjetor të 2011-s.

Rritje kanë pasqyruar edhe pagesat e klientëve gjatë vitit 2011, si në numër ashtu edhe në vlerë. Më konkretisht, gjatë periudhës janar – dhjetor 2011 rezultojnë të jenë kryer rreth 8 milionë pagesa klientësh me një vlerë totale prej 3,899 miliardë lekësh, duke reflektuar kështu një rritje vjetore të numrit dhe të vlerës përkatësisht me 8.97 për qind dhe 14.75 për qind.

Në 2011-n janë kryer rreth 8 milionë pagesa klientësh me një vlerë totale prej 3,899 miliardë lekësh

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.