4-mujori, Qeveria hyn në krizë, shkurton investimet

Të dhënat zyrtare të 4-mujorit të parë tregojnë se buxheti i shtetit ka devijuar tashmë nga parashikimet e fillimvitit duke e detyruar qeverinë të nisë shkurtimin e investimeve publike, për të mbajtur nën kontroll financat e saj. Sipas Ministrisë së Financave, në prill qeveria i uli investimet me paratë e buxhetit gati dy herë më pak sesa në muajin mars. Ndërsa si 4-mujor investimet këtë vit janë 73 milionë dollarë ose 30 për qind më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë, se kjo është shifra më e ulët e investimeve me paratë e buxhetit që nga 2008-a dhe tkurrja e tyre duket e lidhur me dy arsye kryesore. Së pari, të ardhurat që qeveria mbledh nga taksat dhe burimet e tjera financiare vazhdojnë të rriten me ritme shumë të ulëta, gati të papërfillshme nëse zhvishen nga inflacioni. Në katër muajt e parë totali i të ardhurave në buxhet ishte 106.2 miliardë lekë ose vetëm 2.5 për qind më shumë se 4-mujori i vitit të kaluar. Por ndërsa të ardhurat rriten ngadalë, disa zëra të shpenzimeve janë rritur shpejt, pavarësisht masave shtrënguese të qeverisë. Fatura e shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes u rrit në periudhën janar – prill me 30 milionë dollarë, ndërsa ajo e pensioneve me 16 milionë dollarë krahasuar me vitin e kaluar.

Shkurtimi i investimeve ka qenë metoda më e përdorur nga qeveria për të kompensuar rënien e të ardhurave gjatë tre viteve të fundit. Në fillim të vitit të kaluar, buxheti fillestar parashikonte që shpenzimet kapitale të ishin sa 6.2 për qind e prodhimit kombëtar, por mosrealizimi i të ardhurave, e detyroi qeverinë t’i ulte ato, për herë të parë në disa vite, poshtë nivelit 5 për qind. Këtë vit, buxheti parashikon që investimet publike të jenë sa 5 për qind e prodhimit kombëtar, kufi ky i përcaktuar nga Ministria e Financave si i domosdoshëm për të mbështetur rritjen ekonomike. Por me ritmin aktual të të ardhurave dhe rritjen e detyrueshme në disa zëra të shpenzimeve, mbajtja e investimeve në këtë nivel është kompromentuar që tani.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.