Tatimet, kontroll dhomave me qira për pushuesit

Aksion në çdo hotel në prag sezoni turistik

ARD KOLA

Të parët ishin ndërtuesit, më pas sektori i transporteve, dhe të tretët noterët. Administrata tatimore ka ndryshuar model kontrolli, duke pasur në fokus sektorët më me risk. Aksioni i radhës, pas një hetimi konkret dhe të gjithanshëm, pritet të mbahet në sektorin e turizmit, duke mos kontrolluar vetëm bar-restorantet apo hotelet, por edhe ambientet që jepen me qira për pushuesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vlerëson, në bazë të disa fakteve, se sektori i turizmit zhvillohet në kushte informale dhe aspak të barabarta në raport me detyrimet ligjore. Burime nga drejtoria bëjnë të ditur për “Shqip”, se aksioni do të bashkërendohet me njësitë lokale, nga veriu në jug, do të identifikohen të gjitha subjektet, mënyra si e ushtrojnë aktivitetin, madje edhe shtëpitë e zonave bregdetare, që jepen me qira, por që sipas tatimeve nuk paguajnë taksa.



Drejtoria e Investigimit Tatimor nuk jep të dhëna rreth përmasës së informalitetit në sektorin e turizmit, por shton me siguri se konsiderohet fushë e ekonomisë me risk, për shkak të mospagesës së taksave, direkte dhe indirekte.

Mësohet se shumë shpejt drejtuesit e lartë të tatimeve do të kenë një takim me krerët e shoqatës shqiptare të turizmit, ku më parë do t’u bëhet e ditur mbi problematikën e sektorit, duke i paralajmëruar për masat që do të merren, dhe më pas do të kalohet në aksion konkret.

“Nuk duam të frikësojmë askënd dhe nuk është synim parësor vendosja e gjobave. Qëllimi kryesor është vendosja e sektorit në shinat e duhura të pagesës së detyrimeve tatimore”, shprehen për gazetën burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave.

Sektori i turizmit prej kohësh ka kërkuar në Ministrinë e Financave rishikimin e kuadrit të taksave, sidomos për shkallën tatimore të TVSH-së, e cila nga 20 për qind që është aktualisht, sugjerohet të bëhet në 10 për qind, sikurse e kanë vendet e rajonit, konkurrente me vendin tonë. Tjetër debat ka të bëjë me disa taksa që aplikojnë njësitë lokale, si ditët e qëndrimit, akomodimet në hotel etj., të cilat ndikojnë jo pak në barrën fiskale dhe shtojnë kostot finale për paketat turistike.

Problemi kryesore në operacionin e radhës së tatimeve është mungesa e të dhënave, sa u takon hoteleve, numrit të shtretërve dhe ambienteve private që jepen me qira në sezone të caktuara pushimesh.

Edhe vitin e kaluar, tatimet ndërmorën një sërë aksionesh, të përqendruara në fillim në Veri, Shkodër dhe Shëngjin, më pas në Durrës, e në fund u shtri në Jug, ku në fokus ishte përdorimi i kasave fiskale dhe deklarimi i të ardhurave.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.