Në Shkodër peshku kapet me korrent

“Fiks Fare”

Peshkatarët injorojnë urdhrat edhe në kohë shumimi

Peshkimi i paligjshëm rrezikon ripërtëritjen e peshkut në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna, megjithëse janë shpallur zona të mbrojtura. Çdo ditë në këtë liqen shikon varka peshkatarësh, të cilët hedhin rrjetat e tyre për të peshkuar, edhe pse kjo është e ndaluar me ligj deri në datë 30 maj.

Periudha prill-maj është koha gjatë së cilës peshku bën lëshimin e vezëve, sidomos në Liqenin e Shkodrës, i cili është ujëmbledhësi më i madh në Ballkan. Mirëpo gjatë kësaj periudhe ndalohet gjuetia e krapit dhe tregtimi i tij. Ky ndalim vjen më një urdhër të ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Sipas urdhrit, ndalohet peshkimi deri në datë 30 maj 2012, por pavarësisht shkresës zyrtare, peshkimi i paligjshëm vazhdon normalisht në këtë liqen, me të gjitha format, si me grep, rrjeta, madje edhe me anë të korrentit.



Peshkatarët vazhdojnë punën e tyre në liqen dhe në lumin e Bunës, ndërkohë që natën, përgjatë bregut, dëgjon zhurmën e gjeneratorëve. Nisur nga etja për fitime, një pjesë e “peshkatarëve” po e ushtrojnë peshkimin me anë të energjisë elektrike. Peshkimi me korrent është gjithnjë i dëmshëm për peshkun, por sidomos gjatë kësaj periudhe të kohës së shumimit të tij, pasi e dëmton atë që në vezë. Personat që peshkojnë me korrent, e ushtrojnë veprimtarinë e tyre të paligjshme.

Specialisti i sektorit të Kontrollit të Peshkimit në MMPAU, Besim Doçi, sqaron se Ministria e Mjedisit ka nxjerrë një urdhër për ndalimin e peshkimit në këtë periudhë dhe në zbatim të këtij urdhri janë ngarkuar prefektura, policia kufitare dhe organizata e menaxhimit të peshkimit. Sipas tij, “është bërë një kontroll 24 orësh për parandalimin e gjuetisë në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin e Bunës”. Ai shpjegon se ata kanë marrë masa teorike, pasi për pjesën praktike janë ngarkuar grupet e punë që vazhdojnë eliminimin e gjuetisë me gjenerator dhe tregtimin e tij.

Ndërkohë që pamjet e publikuara në emisionin “Fiks Fare” ditën e premte tregonin qartë se askush nuk i ndalon këta persona të vazhdojnë peshkimin me gjeneratorë.

Organizata e Menaxhimit të Peshkimit konfirmon se gjuetia e peshkut në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin e Bunës është një problem evident, problem me të cilin ata ndeshen çdo ditë, megjithëse përpiqen që ta parandalojnë këtë lloj gjuetie, duke bashkëpunuar me Inspektoratin e Peshkimit dhe rojat mjedisore.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe përgjegjësi i Inspektoratit të Peshkimit në Shkodër, Avenis Derraj. Edhe ai pranon se janë në dijeni të peshkimit me korrent. “Ky lloj peshkimi ka qenë tradicional në Shkodër dhe rritja e nivelit të liqenit e ka bërë të pamundur kontrollimin e plotë të gjuetisë së peshkut, pasi uji ka shkuar shumë pranë shtëpive të banorëve”.

Për vite me radhë, gjuetia e paligjshme me mjete dëmtuese të peshkut në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna, ka alarmuar mjaft shoqata mjedisore, të cilat me anë të specialistëve të tyre kanë arritur në përfundimin se ky lloj peshkimi i bërë për vite me radhë, ka dëmtuar ndjeshëm rezervat e peshkut në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.