Linja me Kosovën, peng i negociatave

Banka KfW dhe qeveria nuk gjejnë ende fituesin 

Projekti i shumëpërfolur 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, i financuar nga banka gjermane, KfW, me vlerë rreth 75 milionë euro (për të dyja shtetet), ndodhet ende në fazë vlerësimi. Edhe pse kanë kaluar afro 7 muaj nga shpallja paraprake e fituesit, që ishte firma kroate, sërish palët nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për nënshkrimin e kontratës.

Diskutimet kanë nisur në muajin mars, pak më herët se të plaste skandali në media, kur gjermanët ankoheshin te qeveria shqiptare se nuk po shpallte fituesin, ndërsa rrezikohej zbatimi i projektit, i konsideruar prioritar për zhvillimin e sektorit energjetik dhe rritjen e pavarësisë ndaj monopoleve në rajon.



Sipas standardeve, të miratuara nga të dyja palët, si banka gjermane, që është financuesja e projektit, ashtu dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit, zbatuesi, fituesi shpallej në bazë të vlerësimeve teknike, me 70 për qind të pikëve, kurse asketi financiar, renditej i dyti, me 30 për qind të pikëve. Bazuar mbi këtë kriter, kroatët dolën fitues, por me vlerë rreth 9 milionë euro më të lartë, se oferta e boshnjakëve. Pikërisht, ky handikap, me diferencë prej 30 përqindësh të fondit limit, solli përplasjen mes qeverisë shqiptare dhe bankës KfW. E para kishte merakun e fondeve, kurse e dyta respektimin e standardeve.

Këto kontradikta janë duke u diskutuar prej disa javësh në Frankfurt të Gjermanisë, ku është dhe selia e bankës, ndërsa asnjë nga palët nuk kërkon të prononcohet zyrtarisht mbi ecurinë e tenderit, duke tentuar të qetësojnë sadopak tensionin e krijuar. Disa ditë më parë, ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti tha për mediat, se palët nuk po dalin nga kushtet e vendosura dhe se po vihen në rrezik projektet e ardhshme.

 

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.