Buxheti s’ka para, administrata në “dietë”

Mungesa e të ardhurave po vështirëson punën e përditshme në zyrat e shtetit

ARD KOLA

Me të ardhura, jo më të larta se 3 për qind në raport me vitin 2011, por shumë larg planit të Ministrisë së Financave, tatimet dhe doganat vijojnë t’i bëjnë “gropën” arkës së shtetit, ndërsa administrata shtetërore vuan pasojat e krizës. Me paga që vonohen 4-5 ditë, ndonjëherë edhe dy javë, me investime që mbeten peng e mungesës së parave në thesar dhe me kasafortë bosh në institucionet e shumta, punonjësit e administratës pothuajse ndodhen në kushte të vështira, ku tashmë as lekë për blerje letër A4 nuk kanë.

Në katër muajt e parë të vitit, në arkën e shtetit u futën rreth 106 miliardë lekë, ose gati 2 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar, pra një rritje modeste, në raport me nevojat e vendit dhe me pritshmëritë. Mungesa e një menaxhimi efikas të planeve buxhetore dhe paaftësia e zyrtarëve të Financave për të planifikuar si duhet shpenzimet dhe të ardhurat, kanë shkaktuar reaksione zinxhir në keqfunksionimin e shtetit.



Ministrat dhe zv/ministrat mezi sajojnë fondet për të udhëtuar jashtë, kurse drejtorët dhe shefat e departamenteve luten për ftesa nga homologët ku “çdo gjë të jetë e paguar”. Dietat pothuajse janë përgjysmuar, kurse shpenzimet e telefonit kanë arritur në 2-3 mijë lekë në muaj, dhe të tjerat paguhen nga xhepi i punonjësit. Për shumë funksionarë, disa shpenzime janë bërë të papërballueshme, aq sa ia ngecin kolegut se kush do t’i presë të huajt në aeroport (problem çmimi i naftës, apo kafeja e mirëseardhjes në barin e afërt).

Të ardhurat nuk janë në nivelin e duhur (në vitin 2011 ishin gati 20 miliardë më pak, kurse në 2010 rreth 30 miliardë mangët, rekord tejet negativ), e në këto kushte, Ministria e Financave është duke vijuar të nxjerrë udhëzime me shtrëngim rripash. Asnjë nga punonjësit nuk i ka marrë pagat shtesë që u takon nga pushimet e vitit të kaluar, sikurse për punët jashtë orarit nuk flitet për pagesë shtesë.

Të shtrënguar në shpenzimet operative, qeveria është vënë në vështirësi përpara projekteve publike, të premtuara në fushata elektorale. Ndërtuesve u ka borxh rreth 10 miliardë lekë, kurse karburanteve, të paktën afro 3 miliardë lekë, të prapambetura që prej vitit 2011, dhe në këto kushte, qeveria ndodhet në presion të dyfishtë.

Mjafton të shikosh ecurinë e shpenzimeve, të reduktuara tej mase, por sërish pa ndikim në frenimin e deficitit buxhetor. Nga të dhënat e raportuara në Ministrinë e Financave, shpenzimet janë ulur me 1.5 për qind gjatë katër muajve të parë të këtij viti, por pjesa që është prekur më shumë nga shkurtimi i shpenzimeve janë investimet. Gjithnjë, referuar të dhënave, investimet janë reduktuar me 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ulje tek investimet ka shkaktuar ndikime negative te bizneset në fushën e infrastrukturës, dhe në kushtet kur viti elektoral i 2013-s po afron, situata makroekonomike rrezikon destabilitet te financat.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.