Importuesit bllokojnë llogaritë e KESH-it

Korporata nuk shlyen detyrimet ndaj “grosistëve”, ndërhyn përmbarimi privat

ARD KOLA

KESH ndodhet vërtet në një situatë të vështirë. Përveç mungesës së fondeve për blerjen e energjisë, korporata është duke u përballur me një tjetër ngërç, atë të bllokimit të llogarive bankare, për shkak të ndërhyrjes së përmbarimit privat.

Kompanitë e fuqishme, importuese në sektorin energjetik, kanë hedhur në gjyq KESH-in, pasi nuk u ka shlyer detyrimet e muajve nëntor-dhjetor 2011, si dhe një pjesë të këtij fillimviti. Korporata ka vijuar blerjen e energjisë nga jashtë, duke i qëndruar synimit për të mos lënë vendin pa drita, ndërsa importuesit janë mbajtur me premtimin se “zgjidhja do të vijë shumë shpejt”. Ndërsa importet vijonin, borxhet shtoheshin, kurse kompanitë e mëdha nga Sllovenia dhe Serbia i kanë dhënë fund durimit dhe i janë drejtuar gjykatës, e cila u ka dhënë të drejtë, e tashmë, me përmbarimin privat bllokojnë llogaritë bankare, me kushtin e disbursimit të shumave nga ana e KESH-it.



Situata paraqitet dramatike për korporatën, e cila nuk mund të kryejë asnjë veprim me bankën, ndërsa përflitet një shumë që arrin në 35 milionë euro. Me problemin në fjalë është njohur edhe Enti Rregullator i Energjisë (ERE), i cili, për ironi të fatit, kishte nisur të shpresonte për një përmirësim të situatës hidrike dhe më pas të manovronte me çmimet, në kuadër të marrëveshjes së re me CEZ-in.

Kompania ndodhet në këtë situatë për shkak se CEZ-i nuk i ka shlyer detyrimet, që arrijnë deri në 10 miliardë lekë të vitit 2011, kurse për këtë vit, mësohet se është paguar vetëm gjysma. Sikur të mos mjaftonin këto probleme, KESH-it i qëndrojnë pas “dere” edhe bankat me overdraftet në shumën mbi 15 miliardë lekë.

Së fundmi, kompania ka nisur të marrë disi frymëmarrje me shitjet e para të energjisë, duke siguruar afro 5 milionë euro, por këto para, si erdhën, ashtu ikën, direkt për detyrimet ndaj bankave. Sasia e energjisë së shitur arrin në 87 mijë megavat, për një çmim që varion 57-66 euro për megavat. KESH-i ka një rezervë energjetike rreth 1.4 miliardë kilovat/orë, e cila sipas korporatës garanton një verë të qetë. Nga të dhënat e KESH-it rezulton se konsumi ditor arrin në 17 milionë kilovat/orë në ditë dhe vetë korporata po prodhon më shumë se 8 milionë kilovat/orë energji në ditë. Të dhënat më të fundit të raportuara tregojnë se Fierza është në kuotën e 295.3 m dhe prurjet, 220 metër kub për sekondë.

©Copyright Gazeta SHQIP




LEXO MË TEJ:

Comments are closed.