Zamira Allasufi – “Hirushja” që nuk dëgjon

Nxënës të Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë, të mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës dhe fondacione të tjera, do të ngjisin nesër në skenë, në orën 18:00, në Teatrin e Komedisë, “Hirushen”. Për të disatën herë, regjisorja Elma Doresi punon me këta fëmijë. Ata janë shumë entuziastë. Po kalojnë provat e fundit në skenë

Oliverta Lila

Në sallën e vogël që tashmë i përket Teatrit të Komedisë po punohet për “Hirushen”. Nuk do të jetë një shfaqje si gjithë të tjerat. Nuk ka fjalë, por vetëm interpretim me pantonima. Janë nxënës të Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë, të cilët të mbështetur nga Instituti Italian i Kulturës dhe fondacione të tjera, do të ngjisin nesër në skenë, në orën 18:00, “Hirushen”. Për të disatën herë, regjisorja Elma Doresi punon me këta fëmijë. Ata janë shumë entuziastë. Po kalojnë provat e fundit në skenë. Entuziazmit i shtohet edhe shqetësimi. Komunikojnë gjithë kohën me shenja e në mungesë të fjalëve, dëgjohen edhe tinguj të vazhdueshëm teksa përpiqen të jenë të kuptueshëm. Sava (Vojsava Murati) i ndihmon të bëjnë gjënë e duhur. “Kjo është shfaqja e gjashtë që unë punoj me këta fëmijë. Tashmë i njoh karakteret e tyre, marrëdhëniet që kanë me njëri-tjetrin dhe ‘Hirushja’ ishte pjesa që më shkoi menjëherë në mendje, aq më tepër që është një vepër me të cilën ne njihemi të gjithë me versionin e filmit turk. Ata e duan tmerrësisht teatrin. Vështirësia është në fazën e parë kur unë u shfaq veprën, skenat, personazhet që zgjat rreth një muaj dhe pastaj është më e lehtë”, shprehet Doresi. As.regjisorë në këtë pjesë janë dy të rinj që nuk dëgjojnë, por që kanë vite që punojnë me projekte të tilla, Irena Orucaj dhe Lorenc Gjuzi. Zamira Allasufi, nxënëse në klasë të 9 të Institutit, do të luajë rolin e Hirushes. Kjo është hera e tretë që ajo bashkëpunon me regjisoren, pas shfaqjes “Aventurat e Toninos” dhe “Magjistari i Ozit”. Zamira është një vajzë e gjallë. E do shumë teatrin dhe duket se kështu e sfidon fatin që i ka rënë për pjesë. Nën kostumin e Hirushes, reflekton shumë optimizëm. Me ndihmën e Savës realizuam një intervistë të shkurtër me të për rolin, teatrin, dëshirat e saj.

Zamira Alasufi - Hirushja qe nuk degjon
Zamira Alasufi - Hirushja qe nuk degjon


Sa vjeçe je Zamira?

16 vjeçe.

Kjo është hera e parë që luan teatër?

Jo, nuk është hera e parë. Është hera e tretë apo e katërt që marr pjesë në shfaqje teatrale. Kam filluar të interpretoj që në moshën 11-vjeçare.

Ti do të luash rolin e Hirushes. Çfarë të tërheq te ky personazh?

Më pëlqen shumë Hirushja, e kam parë film edhe kur kam qenë më e vogël. Më ka emocionuar shumë fati i një vajze që gjatë gjithë ditës i shërben njerkës dhe dy motrave e pastaj historia e saj finalizohet me dashurinë që ajo ndjen për mbretin.

Si e mendon ti princin tënd?

Edhe unë e mendoj si mbreti i Hirushes.

Të bën optimiste ky personazh?

Po, më jep shumë forcë. Më bën të mendoj se, pavarësisht faktit që unë jam një person që nuk dëgjoj, kam shpresa. Ndjehem optimiste me fatin e këtij personazhi.

Të pëlqen të jesh aktore?

Po më pëlqen shumë, e kam për zemër, sidomos në shfaqje që luajnë edhe shokët e mi. Formojmë një grup shumë të bukur dhe aty marr edhe më tepër zemër.

Për të treguar dashurinë tënde ndaj teatrit, regjisorja kujton se vjet, ti ke shkuar në Lezhë për të interpretuar Dorotin te “Magjistari i Ozit”, edhe pse ke qenë e sëmurë me temperaturën 40…

U bëra më e fortë, sepse mendova se ishte momenti që unë të sakrifikoja për këtë dëshirë kaq të madhe që kam për të luajtur teatër. Prandaj mora pjesë në shfaqjen në Lezhë.

Shikon teatër apo filma?

Po, shoh si komedi ashtu edhe tragjedi. Ndjek edhe filmat e fundit që dalin, por pjesët komike më pëlqejnë më shumë.

Ndjehesh e privuar ose e mënjanuar nga fakti që nuk dëgjon?

Nuk e kam këtë kompleksitet. Në teatër, aq më pak, sepse pantonimat dhe gjestet i kemi pjesë tonën. Na ndihmojnë shumë në rolet që duam të realizojmë.

Ke edhe miq jashtë Institutit?

Patjetër që kam shokë edhe shoqe që dëgjojnë. Madje unë kam shkuar edhe në festa që ata kanë organizuar. Nuk jam thjesht e mbyllur në shoqërinë e njerëzve që nuk dëgjojnë. Dua të them që ndjehem mirë kur takoj edhe këtë pjesë tjetër të komunitetit.

Ke vëllezër ose motra?

Jemi tri motra dhe një vëlla, një familje e përbërë nga gjashtë persona.

Vetëm ti nuk dëgjon?

Edhe një motër tjetër nuk dëgjon, ndërsa babi dëgjon pjesërisht.

Çfarë do që të bësh në vazhdim?

Kam dëshirë që të vazhdoj Liceun Artistik për pikturë, por nuk e di si do të më ecin gjërat. Që e vogël e praktikoj pikturën, edhe pse jo në mënyrë profesioniste.

Çfarë pikturon?

Portrete bardhezi me laps, por preferoj edhe pikturat me penel.

 





Comments are closed.