Anri Sala: Nuk e di pse më zgjodhën të përfaqësoj Francën në Bienalen e Venecias

Filmi 

Anri Sala ka qenë për pak orë i pranishëm në Tiranë. Mbrëmjen e së dielës, në kinema “Millenium”, është shfaqur filmi i tij “1395 Ditë pa të Kuqen”, një projekt i nisur si bashkëpunim me Šejla Kameric, por që përfundoi në dy filma të ndryshëm. Dy projeksionet e organizuara nga miqtë e artistit, një ndër të cilët edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, kanë prezantuar për herë të parë këtë film te publiku shqiptar. “1395 Ditë pa të Kuqen” po shfaqet aktualisht në qendrën “Pompidu” në Francë, ndërkohë që Anri Sala është përzgjedhur të përfaqësojë këtë vend në Bienalen e Venecias. I frymëzuar nga koha e rrethimit të Sarajevës, filmi nuk ka dialog. Protagonistja e vetme është një instrumentiste e Orkestrës Filarmonike të Sarajevës (aktorja spanjolle Maribel Verdú), e cila shkon çdo ditë në prova. Filmi i gjatë rreth 45 minuta ndjek hap pas hapi jetën e rrezikuar të saj. Në çdo kryqëzim ajo ndalet, mbushet me frymë e pastaj vrapon për t’u shpëtuar snajperëve serbë të vendosur në kodrat e qytetit. Një ritual që e bënin të gjithë qytetarët e asaj kohe. Ata ndalonin këtej e andej kryqëzimit, kishin krijuar besëtytni nëse duhet të kaloje i pari apo i treti, kur vinte e shtëna e dytë… Në sfond dëgjohet “Patetike” e Çajkovskit, realizuar në bashkëpunim me Ari Benjamin Meyres. Kalimi i kryqëzimeve ishte një ves që i shoqëroi gjatë banorët e Sarajevës. Kjo i ka shërbyer Anrit si motiv mbi të cilin të ngrinte këtë film, përfshirë edhe urdhrin nga qeveria për të mos veshur ngjyra të ndezura, përfshirë të kuqen sepse dalloheshin më lehtë nga snajperët. Sala e mban filmin e tij mbi një tension të vazhdueshëm që shoqëron rrugën e protagonistes drejt provave, portretin e shqetësuar të saj, frymëmarrjen që i ngreh peshë kraharorin ndërsa në kokën e saj luhet melodia e Çajkovskit. Anri Sala e ka çuar këtë film të tij në 45 minuta, një kohëzgjatje paksa e tepruar për motivin e zgjedhur, i cili mund të ishte më dinamik dhe i drejtpërdrejtë në një minutazh më të shkurtër. Vetë artisti e ka justifikuar këtë me kohëzgjatjen e pjesës së parë të simfonisë së Çajkovskit. Në një bashkëbisedim pas projeksionit të parë, Sala u është përgjigjur disa pyetjeve të të interesuarve. “Ne e kemi menduar që filmi të mos xhirohej në Sarajevë, por në një vend tjetër. Në përfundim vendosëm se duhet të ktheheshim në atë vend, ku ata njerëz të ripërjetonin të shkuarën”, ka thënë Sala duke iu përgjigjur pyetjes nëse kishte menduar Tiranën si zgjedhje të mundshme. “Ne u kërkuam atyre njerëzve që të mos interpretonin, por të bënin të njëjtat veprime që kishin bërë atëherë”, ka theksuar Sala. Ai ka shpjeguar bashkëpunimin edhe me regjisoren Lirie Behgeja, mungesën e dialogut në këtë film, zgjedhjen e instrumenteve, të vendeve të xhirimit e shumë të tjera. I pyetur mbi përgjegjësinë e përfaqësimit të Francës në Bienalen e Venecias, Sala është shprehur: “Nuk di të them se pse më përzgjodhën mua. Juria që bëri përzgjedhjen mund t’i dijë arsyet. Megjithatë Franca është një vend i hapur dhe këtë e ka treguar edhe më parë. Për më tepër që unë nuk jetoj atje, por në Berlin. Do të jetë interesante prezantimi në këtë bienale, ku dihet se provokimet artistike janë të shumta”, është shprehur artisti.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.