Xhelozi antishqiptare edhe në Londër!!!

Debati: Po hedh dy mendime dhe impresione jo për nacionalizëm, pasi s’kam shkruar kurrë për të tillë në jetën time. Po shtyhem më shumë nga dëshira për të thënë një anë tjetër, pasi çdo ngjarje ka dy anë, dhe unë pata fatin, ndryshe nga kolegët që kanë raportuar dhe botuar shkrimin e Lalic në Tiranë, që të gjendem në Londër dhe të sjell përjetimet, me po atë të drejtë që ka pasur edhe serbo-kroati Lalic kur ka shkruar këto ditë

Arben Manaj, Londër



Nuk do të kisha marrë mundimin dhe të shkruaja, atë që pashë dhe vëzhgova këtu në Londër kur erdhi Teatri Kombëtar i Shqipërisë në Festivalin e Shekspirit, sikur të mos ishte botuar dhe transmetuar në mediat e Tiranës, një shkrim i një kritiku serbo-kroat me emrin Igor Toronyi–Lalic, ndoshta i lindur dhe rritur në Londër. Po hedh dy mendime dhe impresione jo për nacionalizëm, pasi s’kam shkruar kurrë për të tillë në jetën time 26-vjeçare në profesionin e gazetarit, shumicën e të cilës të ushtruar në Londër në BBC e tash në “Top-Channel”. Por po shtyhem më shumë nga dëshira për të thënë një anë tjetër, pasi çdo ngjarje ka dy anë, dhe unë pata fatin, ndryshe nga kolegët që kanë raportuar dhe botuar shkrimin e Lalic në Tiranë, që të gjendem në Londër dhe të sjell përjetimet, me po atë të drejtë që ka pasur edhe serbo-kroati Lalic kur ka shkruar këto ditë. Në një shkrim të botuar në faqen e vet të internetit, “The Arts Desk”, e cila kurrsesi nuk lexohet sa do të lexohej, nëse një shkrim i tillë do të ishte botuar në gazetat prestigjioze të Londrës, z.Lalic, fillon dhe mbaron me sarkazëm artistik kritikën e tij ndaj trupës teatrale nga Shqipëria. Të pretendoj se e bën këtë ndaj shqiptarëve se është serb nuk e them dot apriori. Edhe pas kërkimeve të mia intensive, më del se është serbo-kroat, por mund të jetë edhe kroat, por ka më shumë gjasa të jetë serb. Dhe të gjesh kroat që flasin mirë për serbët sot, siç flet ai për aktorët serbë, është po aq e vështirë sa të gjesh serb që flasin mirë për shqiptarët. Ja si fillon Lalic kritikën e tij artistike: “Pritej të kishte një moment Borati në këtë festival dhe kjo erdhi falë shqiptarëve…”. Borati, të më ndiejnë lexuesit, pa dashur të ofendoj askënd në inteligjencë, por për ata pak që ndoshta nuk e dinë, është një figurë qesharake e një filmi për Kazakistanin, me të cilin tallet aktori anglez me origjinë hebraike, Sasha Baron Kohen, dhe me të cilin ai ka bërë miliona. Një figurë që personifikon, “gjënë e trashë”, të padalin, dhe të pataktin, që stonon në botën perëndimore, në kontakt me të. Me këtë figurë qesharake e nis Lalic, serbo-kroati, kritikën për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, dhe e vazhdon me paaftësinë shqiptare për të moskuptuar fyerjen që i shkakton një audience perëndimore një qeshje me një njeri që çalon, dhe sipas tij “kur fton një trupë në një Festival si Globe to Globe, merr përsipër vetë riskun moral”. Dhe e mbyll me fjalinë “më së shumti krijova përshtypjen se ai kishte thënë njeri vallë Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, se nuk kishin ardhur në Eurovizion”. Për nga “gjetjet artistike”, vetëm ai i Shqipërisë, nuk krahasohej dot me ato sajesa që shoqërohet tallshëm “Eurovizoni”, kjo pasi trupa nga Shqipëria ishte edhe në rekuizitë teatër në kuptimin klasik, ndryshe nga kolegët e tyre nga Ballkani. Padyshim dhe çuditërisht në tërë shkrimin e z.Lalic, serbo-kroat, superlativat rezervohen vetëm për Trupën nga Beogradi, dhe atë maqedonase nga Manastiri, ndërkohë për trupën nga Tirana, sarkazëm, përbuzje dhe për mua, pastërtisht xhelozi artistike, tipike ballkanike. Shqipëria, ashtu si Serbia dhe Maqedonia, morën pjesë në Festivalin e Shekspirit në Londër, duke u përzgjedhur në 37 teatrot pjesëmarrëse nga tërë bota, dhe të mos harrojmë që në këtë festival nuk merrnin pjesë shtete si Rumania, apo Bullgaria, me trupa të njohura në botë për klasin e tyre. Ndaj asnjë nga këto tre shtete nuk mund të pretendojë se “duhet të ulet në vend të parë”, dhe ka më shumë merita sesa tjetra në këtë festival. Por, padyshim që ato kanë veçoritë e tyre, që rrjedhin nga tradita dhe talenti respektiv, nga klasi regjisorial, apo edhe nga konceptimi i tyre artistik për këtë konkurrim, në “Teatrin e ëndrrës së çdo aktori”, siç është “The Globe” në Londër. Kurrsesi nuk mund të ri i qetë, përballë një kritike të tillë nga serbo-kroati, Igor Lalic, pasi ndoqa vetë nga afër dhe bisedova vetë me specialistë të “The Globe Theatre”, me të zotët e shtëpisë së Shekspirit. Nuk dua të bëj këtu Lalic e të merrem dhe të fyej apo përçmoj lojën e serbëve apo maqedonasve, thjesht e vetëm se historikisht me ta kemi pasur probleme. Kjo shkon ndoshta kudo, por nuk shkon të vij nga Londra një qëndrim i tillë, edhe pse si shqiptar dhe ballkanas në gjak, edhe mund të tundohem. Jo. Teatri Kombëtar i Shqipërisë në Londër ishte ngazëllyes, më tha Tom Bird, drejtori i Teatrit të Shekspirit. Ai e cilësoi lojën e aktorëve shqiptarë, “jashtëzakonisht bindëse dhe të fuqishme”, dhe këto i kam transmetuar me zë dhe figurë në “Top Channel”. “Jemi në një festë të mrekullueshme me kolegët nga Shqipëria. Këto kanë qenë ditë të paharrueshme dhe falënderoj regjisorin Adonis Filipi për shfaqjen e mahnitshme dhe mendoj se tregoi shumë nga hipokrizitë e politikës mesjetare angleze, por gjithashtu dhe hipokrizitë e politikës në botë. Pashë një nga shfaqjet më të bukura aktoriale”, tha Tom Bird. Ndërkohë, Domenic Dromgool, drejtori artistik i “The Globe”, njëkohësisht regjisor, shtoi se produksioni shqiptar shkoi shumë mirë. “Mendoj se shkoi jashtëzakonisht mirë dhe e treguan historinë shumë qartë. Spektatorët e kuptuan atë moment të historisë dhe politikës angleze me shumë qartësi dhe vizion. Mendoj se ky produksion shkoi shumë mirë”, komentoi drejtori artistik i “The Globe”. Regjisori anglez i “The Globe”, duke çuar më tej argumentin e tij artistik tha se “konceptin e përzierjes së historisë shqiptare dhe mendimeve të sotme për Shqipërinë në politikë dhe jetë, si dhe një kuptim i qartë i historisë angleze është një ekuilibrim, që arrihet me vështirësi dhe mendoj se ata ia kanë arritur më së miri”. Në fakt, tri pjesët përbërëse të triologjisë së Henrit të VI të Shekspirit erdhën nga Teatri Kombëtar i Beogradit, pjesa e parë, pjesa e dytë u përcoll nga Teatri ynë Kombëtar i Tiranës dhe pjesa e tretë nga Teatri Kombëtar i Manastirit në Maqedoni. Trupa nga Beogradi solli një produksion që kërkoi të evokojë të kaluarën historike, përmes një simbolike, në formën e një tryeze të madhe të rrumbullakët, e cila ndahet copë-copë. Një qasje pak e drejtpërdrejtë dhe lexohet që në fillim mekanizmi dhe nuk i lë  hapësirë intrigës dhe suspansit. Ndërsa shfaqja e maqedonasve m’u duk më e tokëzuar dhe me një lojë të fortë aktoreske, ku spikati loja energjike e aktorëve të rinj dhe këtu bashkohem me serbo-kroatin Lalic. Por aty ku ndahem me të, jo si ballkanas i nxehur, por si një njeri që jeton në Londër po aq vite sa edhe Igor Lalic si adult, është në paragjykimin e artistëve që vijnë nga një vend, ku dhe sepse “të parët dhe të tashmit e tyre, kanë qenë dhe mbeten armiqtë tanë”. Nuk i njoh aktorët serbë apo maqedonas, madje si njoh fare, sa njoh të mëdhenjtë e skenës shqiptare. E të tillë Shqipëria ka pasur edhe ka edhe sot e kësaj dite, që nga brezi i vjetër e deri te më të rinjtë. Kjo është unikalisht një nga gjërat që shqiptarët ndajnë të njëjtin mendim, pavarësisht se në cilin anë të gardhit politik gjenden sot. Por Lalic nuk arriti as të “sajonte” qoftë edhe një vlerësim të vetëm për trupën nga Shqipëria, qoftë edhe për të mos ofenduar ata që e njohin teatrin më mirë se ai dhe unë, pikërisht të zotët e shtëpisë së Shekspirit, që i ftuan në Londër aktorët shqiptarë. Dhe i ftuan pasi i panë vetë enkas në Tiranë përpara se të dërgonin ftesën e festivalit. I ftuan pasi panë klasin e Yllka Mujos e Bujar Asqeriut, Kristaq Skramit e Ahmet Pashës, apo të rinjtë si Indrit Çobani, në rolin e Henrit VI, dhe aktoren e re, Ermira Hysaj, e cila kishte debutimin e parë në Teatrin Kombëtar. Të më ndiejnë aktorët e tjerë që s’ua përmenda emrin, por që më mbushën me krenari në Londër që të gjithë. I ftuan se çmuan dhe besuan te serioziteti dhe mjeshtëria regjisoriale e Adonis Filipit. Kjo tërësi elementesh bëri që Tom Bird drejtori i “The Globe Theater” të shprehej se loja e shqiptarëve ishte”, jashtëzakonisht bindëse dhe e fuqishme”. Kurrë gjatë 19 vjetëve të qëndrimit në Londër nuk kam parë në një shfaqe të artistëve shqiptarë, si këtë fundjavë, kaq shumë shqiptarë dhe të huaj njëkohësisht, që qëndruan deri në fund të shfaqjes së trupës shqiptare, edhe pse thuajse gjysma nuk e kuptonin gjuhën. Madje, një anglez i shkuar në moshë ngjitur me mua, kur mësoi se isha shqiptar në pushimin mes shfaqjes, më tha me humor dhe duke komplimetuar nga look-u z.Skrami, se “nuk e dija që Xhorxh Kluni qenka shqiptar”. Teatri Kombëtar, solli në Londër edhe një risi, që kritiku serbo-kroat Igor Lalic me banim në Londër, nuk e di, e duhet ta dinte si kritik profesionist, ose edhe e di, por nuk e thotë. “Henri i VI” është hera e parë që është luajtur ndonjëherë në këtë teatër me famë botërore dhe është trupa e Teatrit të Shqipërisë që hyn në historinë e tij me vënien në skenë të kësaj vepre të Shekspirit dhe pikërisht në Londër. Është normale të ketë kritikë për çdo vepër arti, aq më tepër në një vend si Londra kur kriteret e performimit dhe klasi i teatrove në West End, e nënkuptojnë një gjë të tillë. Pa kritikë, qoftë edhe kur ajo të skuq veshët, nuk do kishte sofistikim të artit. Kritikat sa janë të mirëpritura, janë po aq edhe individuale dhe subjektive, siç janë edhe këto radhë të miat, nëse do të quheshin të atilla. Por eventualisht dhe definitivisht, prova e lakmuesit për suksesin ose jo të çdo vepre arti janë sallat plot ose jo, dhe mbi të gjitha duartrokitjet ose fishkëllimat e publikut, që marrin përparësi ndaj çdo subjektivizmi apo edhe kritike konstruktive. Ndoshta salla plot dhe cunami i duartrokitjeve pas dy shfaqjeve në Londër dhe flamuri i kuq shqiptar në skenë nga spektatorët, mund të kenë mjegulluar dhe nxitur demonët e xhelozisë artistike ballkanike edhe në Londër. Në fund të fundit, artistët shqiptarë të Teatrit Kombëtar dhe drejtuesit e tij, duhet të gëzohen nga lëvdatat e “mikut”, në këtë rast të të zotit të shtëpisë së Shekspirit, pasi lëvdatat e munguara të “armikut” qoftë edhe artistik, do të konfirmonin dështimin.





11 Comments
  1. Grami says

    Faleminderit per te dhenat e reja qe na dhe. E kisha lexuar shkrimin e pare te ketij Lajcak dhe mua me erdhi shume keq per aktoret shqiptare. Por tani jame me i qete.

  2. Pinoku says

    Nuk ka nevoje te na tregosh gjera qe i dime dhe pa qene atje.Trupa e teatrit kombetar,qe nuk di asnjeri 2 fjale anglisht te pakten,nuk ka c’jep me as ne Tirana e jo me ne Londer.Ka kritika atje,jo si ketu qe i lajme e i lyejme koleget se “i njohim”.Ne Shqiperi,te kerkojne intervista ose bejne kritiken studente per gazetari qe ne rastin me te mire nuk kane pare as shfaqjen.Te interpretosh Shekspir ne vendin e tij eshte si te thuash:”Eja baba te te tregoj arat”.Dhe kjo behet akoma me absurde kur “i biri” jane disa aktore te “plakur” profesionalisht dhe te alkoolizuar qe sillen oborrit te teatrit duke pire 2 paketa cigare ne dite.Mire qe kane mberritur gjalle atje.

  3. Hipokriti says

     nje kroat kurre nuk shkruan aq keq per nje serb sac do ta bente nje serb per nje shqiptar. njehere u tha qe ne ballkan, secili urren tjetrin dhe te gjithe urrejne shqiptaret. por shqiptaret e shqiperise, si populli me kosmopolit i botes (nderkaq me te fundit e europes), jane tolerant dhe paqedashes, faktor stabiliteti……….

  4. Alban says

    O Pinok, ti je patjeter Pinok dhe do te jete rritur hunda nga keto mashtrime te shpifura qe thua. Ti bie ne grope me kembet e tua kur thua:”Ne Shqiperi,te kerkojne intervista ose bejne kritiken studente per gazetari qe ne rastin me te mire nuk kane pare as shfaqjen”. Po ja pra, kjo ndodhi dhe atje, beri kritike nje student qe ju e moret per kritik te madh. Madje qe ishte dhe anti Shqiptar, si puna jote. TURP TE VIJE, qe per shkaqe personale apo politike, vini kombin para disa palaçove Serbë!!…

  5. Safeti86 says

    me ka bere pershtypja e ca palo aktoreve ne shqiperi qe slane gje pa vjell kunder teatrit kombetar, duket ngaqe jane pushuar dikur nga puna.eshte  e pshtire te hakmerresh ndaj shqiptareve duke perdorur serbet. shume zogolljane si metode. a thua se shqiperia kishte ardhur per te fituar Oskar ne Londer. Morri pjese ne nje konkrim dhe dha me te miren. kur paska qene kaq keq shqiperia, keta kritizere palaco ne shqiperi perse nuk kane bere kritika me pare por merren me dietat e artistvev. sa e ulet. Mos valle artistete kishin ardhur te mbanin zi ne Londer. Turp madje qe paskan pire edhe birre sipas ketyre mjeraneve te vegjel te Tiranes. 

  6. Edi_hoxha says

    Me vonese komentet e tua Arben. Nderkohe koleget e tu si Dalina Buzi kane 3 dite qe po i qarkullojne shkrimet e tyre gazete me gazete!! Sigurisht pa e pare shfaqjen. Gjithnje shume e mire kritika po ju kur behet me interes personal dhe injorance!!

  7. albi says

    “Ndoshta salla plot dhe cunami i duartrokitjeve pas dy shfaqjeve në Londër dhe flamuri i kuq shqiptar në skenë nga spektatorët, mund të kenë mjegulluar dhe nxitur demonët e xhelozisë artistike ballkanike edhe në Londër” – kush eshte ky gomar qe ka bere kete shkrim. Po me ato flamuret ne teatrin e Shekspirit ne shqiptaret lame me shume nam. Po normal qe nese publiku eshte nje tufe injorantesh qe shkojne per tifozllek do kete duartrokitje. Po c’kujton ti o injorant se me klithma mitingu dhe valevitje flamuresh do fitoni respektin e botes? Po pse vetem ne ditkemi te valevisim flamure? Po ku kujtoni njehere se jene dhe shkoni ne teater me flamure si ne stadium? Tmerr!!! As ne nje vend afrikan nuk ka injorance te tille

  8. Iro says

    duhet te turperoheni qe ofendoni aktoret shqiptar vetem sepse kane realizuar lojen e tyre tetrale jo ne gjuhen angleze…e luajtur nga trupa shqiptare ne shqip ajo eshte me e natyrshme, me energjike dhe e vertete…arti konsiston mbi te gjitha ne ndjesine qe te percon jo ne gjuhen apo format qe perdor…perderisa individe qe kane qene prezent ne shfaqje e kane ndjere te fuqishme lojen e trupes shqiptare, askush tjeter ska te drejte dhe kompetence te thote te kunderten 

  9. Pinoku says

    O shoku “Patriot”.Mos e ngaterro atdhedashurine me artin.Jo c’do gje qe bejme ne Shqiptaret eshte e mire per inat te serbeve dhe grekeve.Ik blej ndonje bilete teatri dhe pastaj flasim bashke per nivelin e tyre.

  10. Klodian Gjergji says

    Ceshte ky turp pas turpi! Inorante nga i pari deri tek i fundit m edhe ti o cope mishi qe ke dashur te na hedhesh hi syve me inorancen tende. Kush i ha keto budalliqe ???? Inat per palacot qe lan nam. … Dini ju nga arti????? Sa dini??????? Ne Londer edhe neper bote Shakespear studiohet me vite, trupa jone dhe regjisori vetem tre muaj…. Qe jan te pa afte dhe te dobet kete  e dim por ne vend te zbusni skandalin me nje shkrim te pakten nga dikush qe ka dy pare mend nga kjo fushe…. Edhe emra autore regjisore apo edhe aktore kane mare gjithnje kritika negative, nuk do te thote qe te nxjerrim konkluzione qesharake si keto. Po kaq keni kaq beni deklaroni dhe emrat o te lodhur…. Ky eshte niveli i Teatrit ne Shqiperi, kush jane faktoret? Ju, ju qe ne vend te kontriboni per pune mbeshtesni keta pabuksit e lodhur qe bejne sikur bejn art gjithe diten neper kafe duke share njeritjetrin.

  11. Eni says

    Ah po, ne kete shkrim nuk flitet shume per teater sesa flitet per racizem ndaj shqiptareve. Edhe zoteria qe e ka shkruar e pranon vete qe nuk eshte kritik po keshtu dhe serbo-kroati, me ndryshimin qe ky I fundit ka perveshur menget dhe ka bere nje pseudo kritike. Se sa te zotet jane artistat shqiptare ate mund ta vleresojme me syrin e te paditurit kurdohere, vecse mendimet tona nuk botohen neper gazeta londineze…kurse te serbo-kroatit me mbiemer shqiptari,po…

Comments are closed.