Karen Blixen, Atje tej në Afrikë…

Ajo e ëndërronte shpesh Denis, të veshur me këmishën e bardhë, i cili ecte i vetëm në plantacionin e kafesë. Përtej dritares së dhomës, ajo mundohej të ndiqte deri në fund siluetën e burrit që e kishte bërë ta donte më tepër Afrikën. Dielli, kafeja dhe duart e tij ishin diçka e mrekullueshme, të cilat ajo nuk mund t’i zëvendësonte me asgjë. Kjo ishte një ëndërr që Karen Blixen e shihte shpesh, sa herë kërkonte të kthente momentet e bukura në jetën e saj. Për të, kohët e arta kishin ndalur në Afrikë…

Karen Blixen është një nga shkrimtaret më të njohura daneze, për të cilën sekretari i Akademisë Suedeze, Peter Englund, e quan gabim që nuk mundi të vlerësohej me çmimin “Nobel” në letërsi në vitin 1930. Duke dashur të rrinte gjithnjë në heshtje, ajo u shfaq në letërsi fillimisht përmes pseudonimeve. Librat e shkruar prej saj mbajnë emra të ndryshme, si Isak Dinesen, Osceola apo Pierre Andrezel. Karen e kaloi fëmijërinë në një ambient borgjez. Babai i saj ishte shkrimtar dhe oficer, ndërsa e ëma vinte nga një familje tregtare e pasur. Shkrimet e para ajo nisi t’i botonte në të përditshmet daneze në vitin 1905 me pseudonimin Osceola, një emër i frymëzuar nga lidhjet, historitë që dëgjonte nga i ati në shtëpi. Nga gushti 1872 në dhjetor 1873, Wilhelm Dinesen (babai) kishte jetuar në mesin e indianëve në Chippewa, dhe Karen lindi pas kthimit të tij në Danimarkë. Wilhem vari veten në vitin 1895, pasi u diagnostikua me sifiliz, kur Karen ishte vetëm dhjetë vjeçe. Humbja e të atit do të ndikonte në mbylljen e saj në vetvete, dhe duke u tërhequr më shumë drejt librave.

Në vitin 1913, Karen u fejua me kushëririn e saj të dytë, baronin suedez Blixen Finecke, pas një historie dashurie që kishte pasur me të vëllain e tij. Në vitin 1914 çifti u vendos për të jetuar në Kenia, ku me paratë e familjes ndërtuan një plantacion kafeje. Jeta e saj në Afrikë do të ishte frymëzuese për të si shkrimtare. “Aty gjeta një liri, që deri në ato momente e kisha pasur në ëndrra”, shkruan ajo. Por Karen dhe Blixen kishin karaktere dhe edukim krejt të ndryshëm, çka solli përplasje në martesën e tyre. Dhjetë vite më vonë ata do të divorcoheshin.

Në vitet e para të jetës në Kenia, Karen u takua me gjuetarin e njohur anglez Denis Finch Hatton. Pas ndarjes me Blixen ajo nisi një histori dashurie me të. Kohët me anglezin Hatton janë vitet më të bukura në jetën e shkrimtares. Për pesë vite ai jetoi në shtëpinë e saj, deri sa humbi jetën në një aksident. Bashkë me humbjen e dashurisë Karen do të dështonte edhe në biznesin e saj të kafesë. Depresioni ekonomik i kohës do të sillte pasoja edhe në plantacionin e saj të kafesë. E dëshpëruar ajo e shet korporatën dhe kthehet të jetojë përfundimisht në Danimarkë, deri në fund të jetës së saj. Pas kthimit në vendlindje ajo i rikthehet të shkruarit. Humbja e Denis duket se është fatale për zemrën e shkrimtares, e cila fillon e mbyllet çdo ditë e më shumë. Kthimi në Danimarkë është si një rikthim në ëndrrat e saj të dikurshme, ku ajo çfarë donte më shumë ishte të shkruante. Mungesa e njeriut që kishte dashur, kujtimet e kohëve me të në Afrikë, aroma e kafesë që dukej sikur kishte mbetur në trupin e saj, e bënë Karen të ulej dhe të hidhte në letër histori frymëzuese. “Disa njerëz vijnë te ne për të na ndryshuar. Ndonjëherë edhe ikjet janë të tilla”, shkruan Karen. “Ikja e Denis e kishte kthyer atë në vendin ku gjithmonë do të kishte dashur të qëndronte dhe ky vend ishte letërsia. Libri i saj i parë u botua në SHBA në vitin 1934 me pseudonimin Isak Dinesen. Libri mbante nën vete enigma dhe metafora që e bënë atë të ishte menjëherë i dashur për lexuesit. Romani i saj i dytë, por dhe më i miri i letërsisë së shkruar prej saj është “Jashtë Afrikës” (1937), i cili do ta ngrinte menjëherë reputacioni e Karen si shkrimtare. Ajo u vlerësua me çmimin “Tagea Brandt Rejselegat” (çmim i njohur në letrat daneze). Pushtimin e Danimarkës nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo e përshkroi në romanin “The Angelic Avengers” që e botoi nën pseudonimin Pierre Andrezel më 1944-n. Tmerret e nazizmit ajo i tregoi përmes një personazhi femër që i kishte jetuar ato. Gjatë viteve 1940-1950 rrëfimet e saj u mbështetën edhe në folklorin danez, çka i bëri këto tregime të dashura për lexuesin që gjenin aty të shkuarën dhe të ardhmen.

Dhe pse daneze, ajo i shkroi librat në anglisht dhe më pas ato u përkthyen në gjuhën e saj amtare. Kritikët e përshkruajnë anglishten e saj si të bukur. Librat e saj janë frymëzuese për kulturën daneze dhe e bëjnë një të huaj të dojë të udhëtojë drejt Danimarkës. Karen ishte një autore e respektuar edhe nga bashkëkohësit e saj, si Ernest Heminguej, Truman Kapote dhe gjatë vizitës që ajo bëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1959-n, në listën e shkrimtarëve që paguan për këtë vizitë ishte edhe Artur Miller dhe Pearl Buck. Në SHBA, Karen pati një takim me aktoren e njohur Merlin Monro dhe bashkëshortin e saj, dramaturgun Artur Miller. Socialisti i njohur Babe Paley dha një drekë për nder të saj, ku ishin të ftuar Truman dhe Cecil Beaton dhe Gloria Vanderbit, e cila i dhuroi një fustan nga koleksioni Maincocher. Fotografi Richard Avedon i bëri asaj një nga fotot më të famshme gjatë qëndrimit në SHBA. Karen ishte shkrimtarja e adhuruar edhe e familjes së njohur Rothchild.

Vitet e fundit të jetës Karen i kaloi në depresion. Shkrimtarja nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen që ishte afruar shpesh tek ajo gjatë viteve të rinisë, por që me ndihmën e të shkruarit e kishte larguar. Ajo vdiq në vitin 1962 në moshën 77-vjeçare.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.