SpaceX gati për misionin historik

Anija hapësinore private Dragon do të kapet nga krahu robotik i stacionit në pjesën e poshtme të platformës

Nesër (e shtunë) kompania kaliforniane SpaceX pritet të bëjë historinë kur të lëshojë raketën e vet Falcon 9 nga Florida. Raketa do të dërgojë në hapësirë kapsulën e mallrave Dragon në një mision për të furnizuar me mallrat e nevojshme stacionin hapësinor ndërkombëtar. Ky do të jetë fluturimi i parë privat në kozmos.

Megjithëse ky fluturim konsiderohet si demonstrativ, misioni ka domethënie të madhe në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara mendojnë të kryejnë operacionet e tyre në praktikë. Dy kompani private, SpaceX dhe Orbital Sciences Corp kanë marrë kontrata me vlerë një miliardë dollarë për të siguruar furnizimet e stacionit hapësinor me ushqime e pajisje.

Raketa private do të niset nga baza hapësinore ushtarake amerikane Keip Kanaveral. Faza e ngritjes pritet të zgjasë 10 minuta dhe kapsula Dragon do të shkëputet nga raketa pasi të arrijë lartësinë 300 kilometra mbi tokë. Të hënën Dragon pritet të arrijë në stacionin hapësinor. Ndryshe nga transportuesit hapësinorë të Rusisë apo Europës, të cilët ankorohen drejtpërsëdrejti në Stacionin Hapsinor Ndërkombëtar, Dragon do të vendoset poshtë stacionit dhe një krah robotik i drejtuar nga austronautët do ta kapë. Të mërkurën, austronautët do të shkarkojnë ushqimet dhe furnizimet e tjera.



“Është e qartë se disa njerëz po i kushtojnë tepër rëndësi këtij udhëtimi pjesërisht për shkak se është një fluturim prove; ka mundësi që ne të mos jemi të suksesshëm,” tha Elon Musk, presidenti i kompanisë SpaceX. “Ne kemi edhe dy fluturime të planifikuara për këtë vit dhe nëse i pari dështon, jam i bindur se dy të tjerët do të jenë të suksesshëm,” shtoi ai.

Ky mision është pjesë e strategjisë së NASA-s për të transferuar një pjesë të aktivitetit të vet te sektori privat. NASA ka dhënë fondet për të zhvilluar raketën dhe kapsulën. Raketa Falcon 9 ka bërë edhe dy udhëtime testimi më herët ndërsa misioni aktual do të shkojë më tutje duke dorëzuar furnizime te austronautët. 18 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)





Comments are closed.