Shuhet Agron Aliaj

Aksidenti i datës 7 mars ishte fatal për shëndetin e tij. Aliaj u përplas nga një makinë teksa dilte nga Teatri i Operës ku po punonte për rivënien në skenë të baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Alisë”. Homazhet në nder të baletmaestrit do të zhvillohen sot, ora 12.00-14.00 në Teatrin e Operës dhe Baletit

Baletet që mjeshtri s’i vuri dot në skenë

Oliverta Lila

Agron Aliaj ka mbyllur sytë mëngjesin e djeshëm. Pas një përpjekje prej më se dy muajsh për të qëndruar në jetë, koreografi i njohur është larguar në moshën 79-vjeçare. Aksidenti i datës 7 mars ishte fatal për shëndetin e tij. Aliaj u përplas nga një makinë teksa dilte nga Teatri i Operës, ku po punonte për rivënien në skenë të baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Alisë”. Pas kurimit në Spitalin Ushtarak, në një tjetër spital privat në Tiranë dhe pas një situate të lëkundur shëndetësore, Aliaj ka ndërruar jetë në reanimacionin e qendrës spitalore “Nënë Tereza”. Dëmtimet në shtyllën kurrizore kanë qenë të rënda dhe kohët e fundit, mjeshtri jetonte në sajë të një frymëmarrje artificiale. Familjarët dhe kolegë të Aliajt i patën bërë disa herë apel shtetit që të dërgohej jashtë për një trajtim më të specializuar, ndonëse mjekët nuk ia këshillonin lëvizjen. Lajmin e ndarjes së tij, artistët e operës e kanë pritur në skenë, teksa përgatiteshin për provën gjenerale të “Carmina Burana”, ndërsa në shtëpinë e koreografit, në një pallat të ri në Rrugën e Dibrës, të afërmit po përgatiteshin për pritjen e trupit. “Ndarja nga jeta e Agron Alisë është një humbje artistike kombëtare dhe e parikuperueshme. Agron Aliaj, personalitet i madh i artit skenik kombëtar, ishte artist bazal i artit muzikor e skenik, si dhe krijues i shkollës koreografike kombëtare”, shënohet në njoftimin e ardhur nga Teatri i Operës dhe Baletit, ndërkohë që edhe Presidenti Bamir Topi ka çuar një mesazh ngushëllimi për familjen. “Në kujtesën e të gjithë artdashësve shqiptarë, të atyre që për dekada të tëra ndoqën, vlerësuan dhe duartrokitën veprat koreografike, që me përkushtim të madh u vunë në skenat shqiptare e të huaja nga baletmaestri Aliaj, do të mbeten përherë të skalitura në mendjet e shqiptarëve dhe do të jenë shembull i papërsëritshëm i çuarjes përpara të profesionit të vështirë e të bukur të baletit nga brezat e ardhshëm”, ka theksuar Topi. Baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, ndonëse e la përgjysmë, mbeti vepra e fundit mbi të cilën punoi, ndonëse kolegë që i kanë qëndruar afër, thonë se Aliaj kishte plane për balete të tjera. Homazhet në nder të baletmaestrit do të zhvillohen sot, ora 12.00-14.00 në Teatrin e Operës dhe Baletit. Agron Aliaj u lind më 30 tetor të vitit 1933 në Delvinë. Pasioni për vallen dhe kërcimin lindën tek ai që në vogëli. Krijimi i grupit të valleve në Shtëpinë e Pionierëve në vitin 1946 në Tiranë nën drejtimin e mjeshtrit P.Kanaçi, ishte një nxitje për të. Ai është ndër të parët solistë të Filarmonisë Shqiptare (1948). Studimet e larta i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës (1950-1956). Emërohet solist i parë i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku realizoi me nivel të lartë disa kryerole si: “Halili dhe Hajrija” (1963), “Delina” (1964), “Cuca e maleve” (1970) apo te baletet klasike: “Kujdesi i kotë” (1957), “Romeo dhe Zhulieta” (1957), “Franceska da Rimini” (1962), “Lola” (1958), “Paganini” (1963), “Fadeta” (1960) etj. Aktiviteti artistik pasurohet me veprën e tij krijuese koreografike. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertorë është autori i shumë baleteve kombëtare “Cuca e maleve” (1970), “Tokë e pamposhtur” (1977), “Para stuhisë” (1982), “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajria” (1966), si dhe baletet klasike “Zhizel” (1988), “Don Kishoti” (1990), “Romeo dhe Zhulieta” (1996), “Hirushja” (2002), “Katedralja e Parisit” (2003), “Liqeni i Mjellmave”, “Migjeniana”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lumi i vdekur” etj. Deri në çastin e ndarjes nga jeta ka qenë pedagog në Akademinë e Dancit dhe Akademinë e Artit, Tiranë. Është nderuar me çmimin e Republikës dhe mban titullin e lartë “Artist i Popullit”.



 

 

Albert Janku:

Agroni e dashuronte baletin shqiptar

“Agroni ishte njeri i veçantë dhe artist shumë i formuar, një nga njerëzit eminentë të kulturës, artit dhe koreografisë shqiptare. Ai ka lënë një histori në këtë fushë. Pati fatin e madh që jetoi dhe punoi në dy epoka: ka bërë vepra shumë të bukura para ’90-s e nuk rreshti së punuari as këto 20 vite të fundit. Atëherë kur menduam se ato balete që ishin krijuar dikur do të harroheshin, ai pati forcën që të punonte me orë të gjata e t’i risillte. Kemi punuar disa dekada bashkë, kemi ndenjur me orë të tëra në sallën e baletit ku ai krijonte dhe ne ekzekutonim e po ashtu kohët e fundit i kalonim duke folur gjatë për baletin dhe vallen shqiptare. Agroni e dashuronte vallen shqiptare, dëshironte që baleti të tingëllonte shqiptar. Këto vitet e fundit ishte shumë i lumtur që ishte angazhuar në rikujtimin e repertorit kombëtar, sepse ai e kërkonte këtë punë, nuk mund të rrinte kot. Sigurisht që nuk i ndryshonte tërësisht, por i shihte me një sy të ri. Fatmirësisht të gjitha këto rivënie u filmuan deri në veprën e fundit ku pësoi aksidentin. Unë di që ai do të vazhdonte të punonte dhe po grumbullonte materiale mbi idenë e një baleti për lashtësinë. Sa herë që shihte gravura apo piktura të hershme, pyeste dhe merrte informacion rreth tyre. Agroni është një nga shembujt që na futi dëshirën e vullnetin për punë, pa menduar asnjëherë për orarin”.

 

Gerd Vaso: Baleti që nuk vuri në skenë

Çifti i balerinëve Gerdi Vaso dhe Enada Hoxha kanë punuar për një kohë të gjatë me baletmaestrin. Ata kanë qenë protagonistët kryesorë edhe të rivënieve të Aliajt, po ashtu i kanë qëndruar pranë edhe në momentet e fundit. “Përveçse ka qenë koreograf, profesori ka qenë pjesë e jetës dhe karrierës sime. Unë kam më se 18-19 vjet që punoj me të, jam rritur që i vogël me zërin dhe figurën e tij kur shkoja me nënën time që ka qenë balerinë në Teatrin e Operës. Agron Aliaj është një vlerë e madhe që humbi arti shqiptar dhe baleti në veçanti. Do të jetë shumë e vështirë të vijë një njeri tjetër si ai, edhe pse gjithnjë na thoshte se edhe kur të mos jetonte më, do ta ndiqte nga larg”, shprehet Vaso. Bashkëpunimi i fundit ka qenë për të në baletin “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”. “Ne prisnim që të përmirësohej. Herën e fundit që e kemi takuar ka qenë në spital kur ai ndihej mirë, ishte në gjendje që të kuptonte dhe fliste. As në ato momente nuk ishte kurrë pesimist. Na thoshte se jeta vazhdon, se duhet të punonin shumë, se do të na gjendej gjithnjë pranë. Kishte në plan të punonte nja dy vepra, për të cilat nuk na tha asnjëherë detaje. Dinim që donte të bënte një balet të ri e na tha se do të ishte shumë i bukur e ne do të ishim protagonistë”, tregon Vaso. Ky ka qenë bashkëbisedimi i fundit i balerinëve me mjeshtrin e tyre.

 

Intervista

Agron Aliaj: Si t’ia bëjmë që të rinjtë të kompozojnë?

Kjo që po sjellim këtu është vetëm një fragment i intervistës që kemi realizuar me profesorin në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, teksa punonte me orë të gjata për rivënien në skenë të baletit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 2009.

Pas 32 vjetësh do të ringjisni në skenë baletin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Cilët janë elementet më të dukshme që prek ky rikonceptim i veprës?

Jemi munduar ta spastrojmë nga ngjarjet reale, nga tablotë filmike apo të një romani. Vepra do të ngrihet e gjitha mbi një simbol, i cili është i qartë në veprën e Kadaresë, por ka mbetur i palexuar më parë. Që në tablotë e para, në meditimet rreth luftës, Kadare ka paralajmëruar se ku ka luftëra, do të ketë gjithmonë gjeneralë që kërkojnë kockat. Aty janë Nica, gjenerali, vajza e Nicës, dhe personazhet e tjerë, por të gjithë të ngritur në simbol. Besoj se publikut do t‘i pëlqejë kjo mënyrë e re e trajtimit të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”.

Ju theksoni se ky variant i ri është ngritur mbi thelbin filozofik të librit të Kadaresë. Si e keni lexuar ju veprën e tij në vënien e parë në skenë?

Duhet të jemi të hapur e të pranojmë që kemi qenë të magjepsur. Dikur, edhe nga vetë titulli, “Tokë e pamposhtur”, këtë vepër e kemi parë në pikëpamjen ideologjike të asaj kohe. Këtë radhë nuk i kemi dhënë peshë specialistit, ndërtimit të një hidrocentrali apo elemente të tjera që janë lënë jashtë duke mbajtur shpirtin e veprës. Jam shumë i lumtur që jam i çliruar nga paragjykimet dhe kam mundësinë të krijoj ashtu siç e mendoj.

Kjo është e treta vepër pas “Migjenianës” dhe “Lumit të vdekur” që ju i rivini në skenë të rikonceptuara. Është kjo një prirje për rivitalizimin e veprave të repertorit të shkuar?

Mungesa e veprave kombëtare në skenat tona është problem shumë shqetësues. Ne kemi një thesar të tërë muzike. Gjithçka që kanë krijuar Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Feim Ibrahimi e të tjerë s‘duhen lënë në arkiva. Nëse do të rimerret vetëm muzika e këtyre veprave, të cilat në vëniet e mëparshme janë mbushur me ideologjizime, dhe përshtatet për një vepër të re, atëherë ne do të vlerësojmë e do të ruajmë këto vlera që heshtin. Është detyrë e teatrit dhe krijuesve që kanë më shumë eksperiencë për t‘i rivitalizuar.

A e ndieni mungesën e veprat e reja, atyre të kohës së sotme?

Nuk di se si do t’i bëhet që kompozitorët tanë të rinj të ulen e të shkruajnë muzikë për balet dhe opera, që të pasurohet repertori kombëtar me ngjarje që shqetësojnë sot publikun shqiptar. Në këto 20 vjet, sa herë që është dashur të vëmë në skenë një vepër shqiptare, u jemi drejtuar kompozimeve të bëra në të shkuarën. Publiku kërkon ta shohë portretin e tij të sotëm, të dramës që po kalon Shqipëria në këtë tranzicion të zgjatur. Është krijuesi ai që përfaqëson shpirtin e këtij kombi. Të rinjtë duhet të bëjnë vepra skenike bashkëkohore, sepse ky është art që komunikon me publikun në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe arrin të ndikojë në procesin edukativ.





Comments are closed.