Darkë mbretërish dhe mbretëreshash për Jubileun e Diamantit

Një menu britanike u përgatit për monarkët duke përdorur ushqime vendore

Mbretër dhe mbretëresha nga e gjithë bota u takuan në kështjellën Uindsor për të festuar për Jubileun e Diamantit të Mbretëreshës së Britanisë së Madhe, një darkë kjo e kritikuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut. Dymbëdhjetë anëtarë të familjes mbretërore britanike iu bashkuan Mbretëreshës për të mikpritur sovranët e 26 vendeve.

Mes të ftuarve qe mbreti Hamad al-Khalifa i Bahreinit, prania e të cilit u kritikua nga aktivistët e të drejtave të njeriut ndërsa zyra e Mbretëreshës u përgjigj duke thënë se Ministria e Jashtme e kishte miratuar ftesën për të.

Një ftesë tjetër e kritikuar qe ajo për mbretin Mswati III i Zvazilandit (Zululandit) i cili akuzohet se bën një jetë luksoze deri në degjenerim ndërsa populli i tij vuan urinë. Aktivisti Peter Tatchell kritikoi mbretëreshën për faktin që ka ftuar “tiranë mbretërorë për të festuar Jubileun e vet”, ndërsa Ministria e Jashtme tha se aktualisht kishte “diskutim të plotë e të hapur me Bahreinin për shumë çështje.” Dreka pasohet nga një banket mbrëmjeje që do të shtrohet nga Princi i Uellsit dhe Dukesha e Kornuellit.

Duka dhe Dukesha e Kembrixhit qenë mes të ftuarve

Ndërkohë, mbretëresha Sofia e Spanjës e refuzoi ftesën për darkë pasi Spanja dhe Britania e Madhe kanë një mosmarrëveshje për territorin e Gjibralltarit, një territor ky aktualisht nën kontrollin e Londrës por që Spanja dëshiron ta rimarrë. Mbreti i Bahreinit është nën kritika aktualisht për shkak të shtypjes me dhunë të protestave prodemokracisë në vendin e tij në Gjirin Persik. Mbreti i Zvazilandit Mswati III akuzohet nga opozita se përdor fondet e buxhetit të shtetit për një jetë “mbretërish” ndërkohë që vendi i tij është nga më të varfrit e Afrikës së varfër.

Mbretërve iu ofrua për fillim kulaç me vezë dhe asparagus anglez. Kjo u pasua nga pjata kryesore me mish qingji, patate me lëng, angjinare, bathë, karota, groshë, lakër dhe një sallatë me bazë domatesh e borziloku. Luleshtrydhet me vanilje mbyllën drekën ndërsa mbretërit dhe mbretëreshat po të donin mund të merrnin edhe ëmbëlsirë frutash ose djathë.

18 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




Comments are closed.