Akti i dytë i falimentimeve

2012-a, rikthimi te spekulimet bankare

Bankierët u rikthyen në goditjet e tyre. Edhe pse këtë herë i kanë tonet më të zbutura dhe maskën e kanë më të qeshur, si ajo e Jamie Dimon, shefit të bankës së fuqishme “JP Morgan”. Por, në fakt, ata janë të njëjtët. Nuk kanë asnjë ndryshim nga viti 2008. Janë e njëjta sërë së cilës kurrë nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, edhe pse bota rreth tyre po digjej flakë, janë të njëjtët që nuk morën asnjë dënim dhe po kaq të rrezikshëm e të pabesë. Duket se mësimi që duhet të kishin marrë në vitin 2008 nuk u ka vlejtur aspak dhe për më tepër nuk ua ka prekur as interesat dhe as fitimet. Në të dyja brigjet e Atlantikut, dy situata të rënda financiare vënë sërish në akuzë të rëndë njerëzit që menaxhojnë financat ndërkombëtare. Nëse Spanja do të dështojë e falimentojë si shtet, kjo do të ndodhë për faj të bankave të saj që janë duke u zhytur përditë e më shumë në humbje dhe kaos. Madridit iu desh që të shtetëzonte me shpejtësi bankën e tretë më të madhe të vendit, që ishte në prag të falimentimit (Bankia), por i gjithë sektori i kreditimit është vënë në mënyrë të frikshme nën peshën e 100 miliardë eurove të kredive të këqija, të pashlyera, pasojë e flluskës së pasurive të patundshme. Europa dhe Angela Merkel vazhdojnë që t’i bëjnë presion Kryeministrit të Spanjës për të vazhduar masat e shtrëngimeve financiare dhe shkurtimit të shpenzimeve, të cilat në fakt veçse do të përkeqësojnë situatën e recesionit dhe do ta ulnin edhe më rritjen e ekonomike, si dhe do të shtojnë papunësinë. E ndërkohë që njerëzit do të vazhdojnë të vuajnë më shumë, e keqja e madhe dhe e vërtetë qëndron tjetërkund: te bankat.

Ndërsa përtej Atlantikut, në Nju Jork, klasa e lartë e botës financiare vazhdon që të funksionojë me të njëjtat mënyra agresive dhe të paskrupullta si gjithmonë, sikur të mos kishte ndodhur aspak kriza e vitit 2008. E në fakt për ta nuk ndodhi, sepse ata gjatë gjithë kohës vetëm fituan dhe njerëzit e thjeshtë ishin ata që paguan dhe vazhdojnë që ta bëjnë një gjë të tillë. Banka më e madhe amerikane “JP Morgan Chase”, “ka zbuluar” të enjten në darkë “një vrimë” prej të paktën 2 miliardë dollarësh, që në fakt mund të shndërrohen në shumë më tepër. Kjo bankë është një bankë me shpatulla të gjera dhe të fuqishme që ka qenë mishërimi i fuqisë së Wall Street. Edhe pse pati disa reagime negative në vijim të njoftimit të enjten e kaluar, askush deri më tani nuk e ka lakuar mundësinë e një falimentimi të mundshëm të saj. Megjithatë kjo ngjarje është alarmante për disa arsye. Në radhë të parë, sepse shefi i saj ekzekutiv, Dimon, kishte ndërtuar për veten e tij reputacionin e “bankierit më të mençur dhe më të fuqishëm” të Wall Street. Kjo, sepse ai arriti që të kalonte “cunamin” e vitit 2008, pa asnjë lloj humbjeje apo tragjedie ndryshe nga shumë banka dhe institucione të tjera financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje “JP Morgan” ishte i vetmi kolos i financave amerikane që nuk pati nevojë që të “lypte” para nga taksapaguesit, siç bënë shumë banka të tjera. Ndërkohë kjo bankë thuhet se këtë humbje e ka pësuar nga spekulime që kanë në thelb operacione financiare të ndërlikuara dhe baste për dështime të ndryshme. Për ata që janë familjarë me trazirat dhe kaosin e krizës financiare të vitit 2008, kjo nuk është aspak një situatë e re, madje janë fjali dhe terma të stërdëgjuara në atë periudhë dhe në vitet në vijim. Pikërisht në rrethana të tilla falimentoi edhe banka e madhe amerikane, gjiganti “Lehman Brothers” dhe kompania më e madhe e sigurimeve amerikane AIG shkoi deri në prag të rrënimit dhe shpëtoi vetëm falë parave të taksapaguesve që u dhanë përmes qeverisë federale. Ka edhe një arsye tjetër se përse një situatë e tillë me një bankë të tillë mund të konsiderohet me shumë të drejtë një situatë alarmante: për çfarë kanë shërbyer reformat e tregjeve financiare që supozohet janë bërë deri më tani, nëse vazhdohet me të njëjtat mënyra funksionimi si para vitit 2008? Sepse gjatë këtyre katër viteve të fundit, ripërsëritja e situatave të vjetra është shndërruar në një rregull loje në Wall Street dhe në mbarë botën e financave. Po si ka mundësi që gjithçka funksionon në praktikë si më parë, ndërkohë që në letër diçka e tillë do të ishte e pamundur, për shkak të ndryshimeve të bëra? Veçanërisht në rastin e “JP Morgan”, bankë e cila për shkak të përmasave dhe fuqisë së saj kolosale duhej, që sipas rregullave të reja, të ishte nën mbikëqyrjen shumë të vëmendshme të autoritetit amerikan të kontrollit? Për hir të së vërtetës është thënë se brenda selisë qendrore të bankës, në katin e 48, aty ku punon shefi i madh Dimon, në grataçielën që ndodhet në “Park Avenue”, janë vendosur në mënyrë të përhershme 40 inspektorë të Rezervës Federale të Nju Jorkut, pra delegatë të bankës qendrore amerikane që ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi Wall Street. Ata supozohej që të vëzhgonin dhe kontrollonin gjithçka që ndodhte në bankë. Del se edhe ata nuk kanë parë gjë? E çfarë mund të thuash për grupim e investitorëve, që pikërisht në zyrën londineze të bankës kanë shkaktuar këtë “vrimë” prej 2 miliardë dollarësh. Njëri nga njerëzit e fuqishëm të kësaj zyre është shndërruar tashmë në një legjendë. Emri i tij është Bruno Iksil, dhe nofka që i kanë vënë është “peshkaqeni i Londrës”. Edhe një profane mund ta imagjinojë se nën drejtimin e një “cope” të tillë punojnë qindra vetë, qindra ekspertë. Por në fakt nuk funksionon kështu. Zyra e investimeve përbëhet vetëm nga një bërthamë shumë e vogël njerëzish, rreth 30 veta dhe të mendosh se në të gjithë bankën punojnë 270 000 vetë. Dhe kulmi arrin kur përgjegjësia e kësaj zyre dhe misioni i saj është shmangia e riskut. Pra, me pak fjalë, kjo zyrë duhet që të analizojë tërësinë e rreziqeve me të cilat përballet banka në një moment të caktuar për të parë më pas ndikimin e tyre në të gjitha aktivitetet globale të bankës dhe për ta mbrojtur këtë të fundit nga çdo lloj incidenti. Dhe në vend të këtij misioni, shefi i zyrës, pikërisht në drejtimin e “peshkaqenit” dhe nën vëzhgimin mirëdashës dhe mbështetës të shefave të lartë të menaxhimit të bankës që nga Nju Jorku e deri në Londër e më gjerë, vendosi që të luajë sërish “bixhoz” me baste në shuma të mëdha, pra duke aplikuar të njëjtat teknika që janë përdorur deri para krizës dhe që çuan sistemin në kolaps.

Dhe ajo që duhej të ishte njësia që do të kontrollonte rreziqet, në vend që të bënte detyrën për të cilën ishte krijuar, nisi të luante dhe të merrte përsipër rreziqe shumë të mëdha, gjithnjë e më të mëdha. Nëse në vitin 2007 portofoli i zyrës së Londrës ishte 80 miliardë dollarë, pas krize, vitin e kaluar shifra u rrit në 356 miliardë. Shefi ekzekutiv, Dimon, personalisht e kishte rritur shumë autorizimin për të fituar, apo humbur dhe peshkaqeni i Londrës kishte “carta bianca” për të fituar, apo humbur deri në 129 milionë dollarë në ditë. Një licencë kjo për të vrarë? Dhe me këtë leje në xhep, peshkaqeni luajti siç donte dhe me sa të donte. Por e gjitha kjo gjithmonë me dijeninë e plotë të shefave të Nju Jorkut. Dhe kjo është e rëndësishme që të kuptohet, pra që nuk kemi rastin e një punonjësi që vepron fshehurazi dhe në mënyrë pirateske, por për veprime të koordinuara dhe të lejuara nga menaxherët e lartë të bankës. Jo si në rastin e “Societe General” dhe drejtuesit të saj, që thuhet se pa dijeninë e bankës i solli asaj humbje shumë të mëdha. Në rastin e “JP Morgan”, shefi i madh dinte gjithçka dhe këtë nuk e mohoi as vetë ai në konferencën për shtyp. Dhe nuk do të jetë i vetmi që do të paguajë për këtë humbje. Sipas gazetës “Wall Street Journal”, në ditët në vijim do të largohen nga banka edhe tre drejtues të lartë të saj.





Pyetja e duhur dhe normale për t’u bërë në këtë rast, është: Ku përfunduan rregullat e reja që u ndërmorën nga administrata Obama, në mënyrë që tërë situata e krizës të mos përsëritej më? Dhe sipas rregullit, bankat shumë të mëdha, pra ato që konsideroheshin si “shumë të mëdha për të falimentuar”, nuk mund të spekulojnë më. Të paktën jo me kapitalet e tyre. Mund të vepronin gjithmonë si ndërmjetëse për klientët e tyre, por kjo dhe disa operacione të tjera nuk sjellin rreziqe për qëndrueshmërinë e bankës. Po çfarë po ndodh realisht? Rregullat shkelen dhe krizat përsëriten. Për disa ky është një fillim i një krize të re që do të jetë përfundimisht rrënuese për Wall Street.





1 Comment
  1. Agim Anastasi says

    Nga 2008 kane kaluar plot 4 vjet.Por do te kalojne dhe 14 vjet ,ne se vazhdohet te besohet, se ne kete metodologji qe fuksionijne bankat sot, do te ndryshoje situata. Kriza do te thedhohet, per te ardhur deri tek lufta. Kur nje drejtus i rendesishem i bankes sic eshte Zoti Dimon pyet i habitur e plot naivitet-Nga vine e ku shkuhan parate, kush jane pergjegjesit, e te tjera, tregon se keta njerez kane humbur kontrollin ndaj realitetit te mbydhur ne zyra apo makina te blinduara. Pikerishte keshtu pyeste vite me pare nje burre policine e Tiranes, se ku e kishte gruan? Dhe policia pa hezitim ju pergjigje se kur ti nuk e di ku eshte gruja jote, cfare mund te dime ne? Por te ngushllohemi Zoti Dimon, ju thate nje te vertete.-Kjo nuk eshte menyra se si ne po bejme bissnes. Atehre cfare pret Zoti Dimon?! Kujt i trembesh? Ju nuk do te permbysni sistemin, por vetem reformat qe kerkon koha Globalizmi i sotem nuk shkon me menyren se si funksiojnen Bankat sot. Ju jeni mbeshtetur tek tregues Global ne vlere e aspak te struktura e vleres. Kjo menyre Globale e shifrave, po bie renien e Bankave, ashtu si 20 vjet me pare, pikerishte metodologjia e Globalizmit ne prodhim, rrezoi sistemet totalitare. A nuk po ndodh sote kjo, ne procesin e kembit e jo te prodhimit.Te ardhurat reale nuk realizhohen me lojra te rezikshme qe nuk bie vlera reale.Si mund te kuptohet kur produkti shitet dy apo me shume here.Apo si mundet qe bankat te fuse nje kapital abuzhiv,qe vjen nga korupsioni,e jo nga puna.Cfare vlere reale pretendohet kur nje ndeshje futbolli shitet dy here,njehere me bileta per shikuesin dhe rezultati shitet per firmat e basteve.Ky eshte nje rast i thjeshte para spekullimit masiv qe po ndodh kudo.Fakti qe ne qytetet e sotme po mbydhen me shpejtesi dyqanet e shitjes duke i lene vendin lojrave te fatit apo basteve eshte pasqyra me aktuale se ku po shkohet.Jo prodhim por abuzhim.Sigurisht ju Zoti Dimon e dini me mire se kushdo kete,ndaj mos beni lojen e te paditurit.Kembimi privat realizohet ne shoqeri,e per pasoj fitimi nuk duhet te jete monopol i privatit.Po si duhet te reagoje shoqeria.Ashtu si ju nuk e pranuat,per nje kontroll me te rrepte nga ana e shtetit.Sepse shteti nuk mund te bej sehir kur po ivestohet aq shume dhe eshte detyre e shtetit te mbroi interesat e shoqerise.Sigurisht jo nga deshira juaj,reformat do te vine te imponuara per te vajtur tek nje kapitalizem shoqeror e demokratik.Globalizmi qe ju e donit aq shume ju te vini deri ketu,tani mos hezitoni.Nuk ka kthim mbrapa.Ekonomia nuk e pranon arbitraritetin dhe spekullimin.Reforma do te imponohet si e vetmja zgjidhje.Politika nuk mundet te fsheh me realitetin.Prandaj me te drejte Zonja Merkel,perseri beri thirje per reforma.

Comments are closed.