Aksionet e Facebook nuk ngjiten siç pritej

Mark Zuckerberg para hapjes së shitjes së aksioneve të Facebook

Pas një rritjeje fillestare, vlera e aksioneve u kthye shpejt te kuota e hapjes

Disa parashikonin që vlera e aksioneve të Facebook në bursë do të rritej deri në 200 dollarë brenda ditës së parë nga çmimi fillestar prej 38 dollarësh. Por kushdo që priste një mrekulli të tillë mbeti i zhgënjyer. Gjigandi i medias shoqërore u tregtua menjëherë pas hapjes së bursës me çmimin 42 USD për aksion, u rrit deri në 45 USD dhe ra shpejt në kuotën 38, aq sa e pati filluar.

Pavarësisht kësaj, Facebook tërhoqi nga tregjet 18.4 miliardë dollarë në shitjen fillestare publike të aksioneve të veta, një nga sukseset më të mëdha në historinë e kapitalizmit. Miliarderi 28 vjeçar Mark Zuckerberg festoi me shokët e skuadrës së tij suksesin, ndërkohë që kompanitë e tjera me bazë në internet panë se si aksionet e tyre shënuan rënie të ndjeshme.

Zynga, e cila është e famshme për lojrat elektronike që luhen kryesisht përmes Facebook, pa rënie të vlerës së aksioneve të saj me 13 për qind duke shënuar kuotën më të ulët në të gjithë historinë e vet në 7.17 dollarë për aksion. Rrjeti i profesionistëve LinkedIn shënoi rënie me 7 për qind ndërsa Renren, rrjeti shoqëror më popullor në Kinë, shënoi rënie aksionesh me 13 për qind. 18 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)





Comments are closed.