Teatri Kombëtar merr kritika në Londër

Trupa shqiptare është kthyer në Tiranë dhe po përballet me kritikat e interpretimit të tyre në “Globus Theatre”. Shkrimeve në blogje i shtohet edhe një kritikë e “The Guardian”. Drejtori i TK-së dhe regjisori Adonis Filipi reagojnë ndaj situatës së krijuar

Drejtori Skrami: Janë qëndrime tendencioze dhe politike

Oliverta Lila

Trupa e Teatrit Kombëtar është kthyer nga Londra, por para tyre ka mbërritur jehona e shkrimeve kritike, fillimisht në blogje, por tashmë edhe në gazeta të njohura si “The Guardian”. Teatri shqiptar interpretoi për herë të parë në “Globus Theatre”, i ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Shekspirit me pjesën e dytë të Henrit VI. Në këtë interpretim të veprës së Shekspirit, u përfshi trupa teatrore serbe me pjesën e parë të Henrit VI dhe trupa maqedonase me pjesën e tretë. Teatri Kombëtar interpretoi në datat 11 dhe 12 maj, nën regjinë e Adonis Filipit dhe interpretimin e aktorëve Indrit Çobani, Ermira Hysaj, Bujar Asqeriu, Yllka Mujo, Kristaq Skrami, Vasjan Lami, Dritan Boriçi, Neritan Liçaj, Ahmet Pasha, Naun Shundi,  Fatos Sela, Ervin Bejleri, Mehdi Malka, Arben Derhemi, Sokol Angjeli, Gjergj Mena, Marjana Kondi etj. “Ky festival gjithmonë do ta ketë momentin e vet alla “Borat”. Dhe erdhi falas nga shqiptarët, të cilët për të sjellë efekte komike, në mes të ‘Henry VI’, u zhytën në përqeshjen bujare të një personi me aftësi mendore të kufizuara. Reagimi më i fortë erdhi nga shqiptarët mërgimtarë, duke sugjeruar se është ende për të qeshur përqeshja e handikapatëve në kulturën shqiptare…Por më shumë se gjithçka unë ika me mendimin nëse ndokush i kishte thënë Teatrit Kombëtar Shqiptar se ky nuk ishte Eurovizioni”, ishte komenti i gazetarit serbo-kroat, Igor Toronyi Lalic, ndërkohë që në blogje kishte edhe komente të tjera që e kritikonin e po ashtu vlerësonin shfaqjen shqiptare. Duke iu referuar shkrimit të Lalic, drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, e ka quajtur të qëllimshëm, e madje edhe me ngjyrime politike. “E kam lexuar shkrimin e gazetarit serbo-kroat, por në asnjë rast nuk gjej asnjë motiv artistik në atë se çfarë shkruan Lalic. Mendoj që opinione të tilla janë thjesht tendencioze dhe politike. Ne nuk kërkojmë t’u referohemi blogjeve, sepse janë mendime jo profesionistësh dhe emocionale e po presim që të dalin edhe shkrimet kritike nga profesionistët. Më vjen keq që edhe këtë në këtë ngjarje të madhe historike për artin dhe teatrin shqiptar mundohen t’i hedhin baltë që me siguri nuk e meriton”, u shpreh Skrami. Ai e quajti dinjitoz përfaqësimin artistik në “Globus Theatre” dhe një moment historik për kulturën shqiptare. Jo shumë inkurajues është edhe shkrimi kritik i Matt Trueman në “The Guardian”. Duke marrë në analizë zgjedhjen e festivalit për ta sjellë “Henri VI” si një triptik ballkanik nga serbët, shqiptarët dhe maqedonasit, Trueman e kritikon një prurje të tillë duke thënë se rrëfimi epik i kësaj vepre humbet në një trajtim të tillë dhe është i vështirë të ruhet edhe kur nuk ka barriera gjuhësore e jo në tri gjuhë të ndryshme. Duke bërë një analizë të shkurtër për të tria pjesët, për interpretimin e trupës shqiptare Trueman shkruan: “Është histori antike edhe për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, i cili luan pjesën e dytë, megjithëse me rrobat e tyre kombëtare me fustanella dhe

mantele të zbukuruara. Statikë dhe zyrtarë me rrobat e tyre te purpurta, oborri i Henrit të jep përshtypjen e senatit të Çezarit. Me gjithë pëshpërimat e konspiracionit përqark Henrit, i sjellë nga Indrit Çobani si një personazh i pashije, që gjithsesi nuk është edhe shumë i papërshtatshëm, por është

i mërzitshëm. Ai është shumë i varur nga teksti duke harruar se

gjysma e spektatorëve mund ta kuptojë atë. Roli i rebelit Jack Cade i luajtur nga Bujar Asqeriu, një Rambo baritor, të jep një efekt pozitiv të shumëpritur, por ky efekt prishet nga aktrimi i

pasuesve të tij të zhurmshëm. Dhe kështu ne “trajtohemi” nga një gamë e tërë stereotipash të paarrira: një aktor që luan një karakter të gjymtuar me një dorë brenda një bluze, dikush tjetër që përpiqet të duket i verbër dhe kemi dhe disa vështirësi të dukshme për sa i përket të mësuarit të pjesës. E gjitha

ishte si diçka nga viti 1950”. Pjesëmarrja e shumëpërfolur në Festivalin Ndërkombëtar të Shekspirit në Londër, ka rihapur kështu një debat mbi nivelin artistik teatrot në Shqipëri dhe të qenët konkurrues në aktivitete të tilla ndërkombëtare. I gjendur përballë këtyre reagimeve, regjisori i shfaqjes Adonis Filipi ka preferuar të ndalet më së shumti në pjesëmarrjen e teatrit shqiptar në këtë festival. “Kanë qenë dy nga netët më të bukura të karrierës sime artistike. Më e rëndësishme për një vepër është se si pritet nga spektatori dhe ne e prekëm në mënyrën më emocionale duke e parë publikun përballë, i cili kishte tejmbushur “Globe Theatwr”, qoftë në shfaqjen e parë ku kishte më shumë shqiptarë, qoftë në të dytën ku kryesisht publiku ishte i huaj dhe kjo është meritë e gjithë ekipit. Është koha ajo që i provon vlerat. Unë mendoj që të tre produksionet, serb, maqedonas, shqiptar, sollën kualitete të traditës dhe të vlerave më të mira teatrore, sigurisht secili me individualitetin dhe origjinalitetin e vet. Ne jetojmë në një realitet ku secili ka të drejtën e të shprehurit, mua nuk më shqetësojnë mendimet e ndryshme. Në fund të fundit, arti ka një gjykim subjektiv. Për mua i rëndësishëm është vlerësimi i organizatorëve të festivalit që na inkurajojnë dhe na krijojnë besimin në vlerat reale të teatrit shqiptar. Pavarësisht nga ndjesitë politike, arti duhet t’i tejkalojë ato. Vlerat tona sot janë kompetitive dhe meritojnë shumë më tepër, kërkohet më shumë dashuri”, shprehet Filipi. Aktorët e Teatrit Kombëtar janë pritur dje edhe nga Kryeministri Berisha, i cili ka vlerësuar pjesëmarrjen dhe interpretimin e tyre në Londër. “Henri i VI” do të ngjitet edhe këtë fundjavë në skenën e Teatrit Kombëtar, në datat 18, 19 dhe 20 maj, ora 20.00.

 

Tom Bird, drejtor i festivalit

“Këto kanë qenë ditë të paharrueshme dhe falënderoj Adonis Filipin për shfaqjen e mahnitshme dhe mendoj se tregoi shumë nga hipokrizitë e politikës mesjetare angleze e por gjithashtu edhe hipokrizitë e politikës në botë. Pashë një nga shfaqjet më të bukura aktoriale”

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. Adelina says

    Jam e mahnitur me figuren e Henri-t te VI, krijuar nga Shakespeare, vizatuar nga regjisori Filipi dhe interpretuar nga Indrit Cobani.  Faleminderit Henry VI.

Comments are closed.