“Man in Black 3” kthehet në 3D, por me një “vizitë” në të shkuarën

Në 23 maj vjen filmi i tretë i sagës fantastiko-shkencore me tre agjentë, Smith, Lee Jones e Brolin

Pamja që do të ofrohet për publikun do të jetë përsëri e njëjtë si në dy filmat e parë; në plan të parë do të dalin armët dhe misionet sekrete, kostumet e errët dhe syzet e diellit, por agjentët e famshëm të ‘Man in Black 3’, veç kësaj do të udhëtojnë prapa në kohë dhe do të kthehen në origjinë, duke zbuluar sekrete kozmike dhe personale të protagonistëve.
10 vjet pas kapitulli të dytë, agjentët J e K, respektivisht Will Smith e Tommy Lee Jones, mbërrijnë në kinema më 23 maj duke iu përmbajtur karakteristikave të pangatërrueshme të sagës: aksion, batuta humori, efekte speciale dhe gjetje shumë origjinale, por për ta mbyllur trilogjinë e regjisorit Barry Sonnenfeld, ata kanë bërë një ‘hedhje’ në të kaluarën, duke eksploruar fillimet e tyre, lindjen e raportit mes të dyve si dhe elementet që i kanë mbajtur të bashkuar si kolegë dhe miq në kaq vite.
Agjenti K, i cili asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq i mbyllur dhe fjalë pak, duket sikur do t’i mbajë diçka të fshehte agjentit J.
Alieni “Boris”, një personazh i tmerrshëm i episodeve të para, mban në duar një gjallesë vdekjeprurëse dhe është kthyer në Tokë për t’u hakmarrë.
Në vitin 1969, K e kishte arrestuar, por tani, i arratisur nga burgu në Hënë, monstra e frikshme kthehet pas në kohë për ta vrarë agjentin dhe për të ndryshuar në këtë mënyrë historinë. Në këtë moment, është detyra e J që të mbajë situatën nën kontroll dhe të shpëtojë mikun e tij si dhe botën mbarë nga rreziku i alienëve.
Duke u kthyer pas në kohë, në vitin 1969, Smith takon një mikun dhe kolegun e tij të dikurshëm, i cili interpretohet nga Johs Brolin, një agjent shumë i përgatitur, i ngjashëm për nga pamja e jashtme, por edhe nga sjellja me Tommy Lee Jones, i cili e interpreton atë 30 vjet më vonë. Agjencia sekrete e ‘Man in Black’, makinat, armët, e mbi të gjitha alienët, kanë një pamje të vjetruar, duke u frymëzuar nga filmat fantashkencë të viteve ‘60.
Truket e shumta, kostumet dhe efektet speciale nuk kanë për t’i zhgënjyer as këtë herë fansat e shumtë, ashtu si edhe situatat argëtuese plot humor dhe batuta në të cilat gjendet Will Smith, shumë i lumtur që rikthehet si agjent special.
16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

 





Comments are closed.