Elvira Diamanti: Në rrezik filmat origjinalë

Një montazh rreth 40 minuta nga filmimi i parë i vitit 1911 deri më 2009-n, solli në mënyrë të sintetizuar pikat më kyçe të historisë së vendit në takimin e mbajtur për 65-vjetorin e krijimit të Arkivit të Filmit. Drejtoresha Elvira Diamanti vuri theksin te problemet me ruajtjen e negativëve origjinalë në magazinat e këtij institucioni

65 vjet arkiv 

Oliverta Lila
Takimi për 65-vjetorin e krijimit të Arkivit të Filmit ishte menduar të sintetizohej në një montazh diku 40 minuta. Një mënyrë për të treguar shkurtimisht pasurinë që ruhet në fondet e këtij arkivi, i cili nga publiku i gjerë konceptohet thjesht në filmat artistikë të para viteve ’90. Filmimi më i hershëm daton në vitin 1911. I është bërë dhuratë ish-drejtorit Artan Minarolli nga Arkivi i Malit të Zi. Zgjat rreth 12 minuta dhe tregon skamjen në Shkodrën e asaj kohe. Për efekte kohe ishin përdorur vetëm pak minuta, por Minarolli tregon se ka pamje të trishta të fëmijëve që zhveshin lëvoret e pemëve nga uria. Filmimet vazhdojnë me pamje nga Shqipëria e viteve 1914-’20, vizitën më 1926-n e Zogut në Shkodër, ngjarjet mes 1927-1937, kremtimi i 25-vjetorit të pavarësisë më 1937, një vit më vonë pak pamje nga dasma e mbretit Zog dhe festën e këtij rasti, zbarkimi i tankeve italiane më 1939-n, hyrja e trupave gjermane më 1943-n, zbarkimi i anglezëve më 1944-n, çlirimi i Shqipërisë më 1944-n, gëzimi i turmës dhe hyrja triumfuese e Enver Hoxhës. Më tej vijnë kronikat e ideologjizuara të asaj kohe, ku flitet për rindërtimin e vendit, ngritjen e hekurudhës Tiranë-Durrës, punët vullnetare, gra që vjelin duhan e marrin pjesë në ndërtim njësoj si burrat. Duke mbetur në periudhën komuniste, pjesë gjyqesh ku dënoheshin për propagandë, për spiunazh e bashkëpunim me forcat perëndimore, duke e mbyllur këtë pjesë me pak sekonda filmime nga ekzekutimi i Maliqit. Miqësia me rusët dhe përurimi i shtatores së Stalinit nga Enver Hoxha, miqësia me kinezët dhe zyrtarët shqiptarë duke festuar me valle kineze, revolucioni ideologjik i 1967-s, vdekja e Enver Hoxhës më 1985-n, fundi i viteve ’80, eksodi dhe pamjet e njerëzve që zvarriten në litar për të hipur në anije, ardhja e demokracisë dhe rrëzimi i bustit të Hoxhës, vizita e Papa Gjon Palit dhe Nënë Terezës më 1993-shin, tragjedia e Kosovës në vitin 1999, duke u përmbyllur me pranimin e Shqipërisë në NATO më 2009-n. Në momentet kritike dhe festive të vendit pas viteve ’90, ishin lënë jashtë ngjarjet e vitit 1997. Që në krye të aktivitetit, drejtoresha Elvira Diamanti u shpreh se nuk synonin të bënin histori me këtë montazh, por të sillnin momentet kryesore të vendit. “Kemi shfaqur thjesht filmimet dhe kronikat origjinale pa dashur të jemi politikë”, theksoi ajo. I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi, premtoi mbështetje për këtë institucion të kujtesës, i cili, sipas tij, në mënyrë paradoksale është ngritur në kohën që më shumë e luftoi atë dhe manipuloi historinë. E ndërsa drejtoresha tregoi se gati 80% e arkivit është dixhitalizuar dhe është lehtësisht i shfrytëzueshëm nga publiku, theksoi se sfida mbetet ruajtja e shiritave origjinalë.



Cila është problematika e fondeve që ruhen në arkiv?

Si në të gjitha arkivat e botës është sindroma “Vineger”, era e uthullës që vjen nga materiali filmik, e cila sa më shumë të thellohet, aq më shumë rrezikshmëri përbën. E kemi kuptuar se dixhitalizimi nuk është shpëtimi i materialit filmik. Ruajtja e origjinalit është sfida më e madhe që ne kemi dhe kjo kërkon një sërë kushtesh për sa u përket magazinave si ndërtesë, ruajtjes së lagështirës së duhur dhe ne kemi bërë projekte për të shpëtuar, ruajtur dhe riparuar origjinalin. Mora fjalën e ministrit se do të kemi mbështetje jo vetëm nga ministria, por do t’u drejtohemi të gjithë miqve tanë të ambasadave.

Cilat filma janë në gjendje më kritike?

Janë tre filmat shqiptarë “Ballë për ballë’, “Liri a vdekje” dhe “Në shtëpinë tonë”, të cilët kur janë larë, janë përdorur solucione të gabuara. Filmi “Mësonjëtorja” kishte të njëjtin problem, por u riparua. Këta kërkojnë kosto për t’u riparuar, por mendoj se nuk është kaq emergjent problemi i tyre se sa është magazina ku ruhet negativi. Ne duhet të ruajmë negativin me çdo kusht, pastaj me të mund të bësh çfarë të duash.

Çfarë ndërhyrjesh parashikojnë projektet?

Janë ndërhyrje që duhen bërë në themelin e godinës për të ikur lagështia, duhet riparua gjithë mbështjellja e filmit, sepse tashmë e gjithë bota ka filluar t’i vërë në kuti plastike bashkë me solucionin që thith lagështirën e nuk i ka më si ne në kuti metalike. Pastaj duhet menduar për temperaturën e përshtatshme dhe ajo që do të përbënte luksin është rishikimi i këtyre materialeve. Unë i kam parë në një laborator grek, ku kemi çuar një akt të vogël dhe materialet vijnë si të sapoxhiruara: pastrohen vijat, vijnë ngjyrat në kontrast të plotë dhe zëri po ashtu. Jemi në hapat e parë të një projekti shumë ambicioz, financuar nga Komisioni Europian për Ruajtjen e Trashëgimisë Audiovizuale dhe Filmike të Ballkanit Perëndimor. Unë kam synimet e mia për të shtuar arkivin me material filmik, por kjo është për një kohë më të mëvonshme, sepse janë të tjerat më emergjente.

Sa është pasuruar arkivi vitet e fundit?

Janë dy probleme: ne nuk kemi një grup xhirimi për të pasur materialet tona nga ato që ndodhin çdo ditë, por edhe po ta kishim ato do të mbeteshin në mënyrë dixhitale, sepse nuk kemi më një laborator, të cilin fatkeqësisht e kemi prishur dhe së dyti, marrja e materialeve që ekzistojnë mbi Shqipërinë në arkivat e vendeve të tjera, mbetet prioritet, por ka një kosto financiare ende të papërballueshme.

 

 

Arkivi në terr

 

Ndonëse kishte vetëm pak minuta që kishte filluar aktiviteti, sapo drejtoresha Elvira Diamanti po i jepte fjalën ministrit të Kulturës, z. Aldo Bumçi, Arkivi i Filmit u përfshi nga terri. Një zhurmë përfshiu natyrshëm sallën e kinemasë, teksa po mundoheshin të kuptonin nëse ishte një dritë e fikur pa dashur, një gabim teknik i punonjësve apo diçka tjetër. E ndier në siklet, Diamanti njoftoi se ishte një ndërprerje energjie. “Nuk ka ndodhur më parë” dhe minutat pasuan me telefonata për të rikthyer dritat. Përndryshe materiali filmik i parashikuar për 65-vjetorin e AQSHF-së nuk mund të shfaqej. Disa nga kineastët e pranishëm, ironikisht e çuan fjalën te gjeneratori. “Na mungojnë shumë gjëra të tjera e jo më gjeneratori, që deri tani nuk na është dashur. Nuk kemi as pastruese”, përgjigjet drejtoresha Diamanti. Pas telefonatave, energjia rikthehet dhe aktiviteti vazhdoi.





Comments are closed.