David Beckham në Shtëpinë e Bardhë, vihet në lojë nga Obama

Futbollisti i njohur britanik, David Beckham, i cili luan me amerikanët e  LA Galaxy, së bashku me shokët e tij të skuadrës kanë qenë për një vizitë së fundmi në Shtëpinë e Bardhë. 37-vjeçari i njohur jo vetëm për aftësitë e tij futbollistike, por më së shumti i cilësuar si një nga futbollistët më simpatikë dhe më të parapëlqyer nga tifozet femra, madje jo vetëm në futboll, por më tepër jashtë tij, duke u bërë pjesë shpesh e thashethemeve të showbizit. Kjo, edhe prej faktit se është bashkëshorti i ish-‘Spice girls’, Victoria Beckham, gjë që e ka ekspozuar shumë më tepër futbollistin përpara mediave në të gjithë botën.

Vizita e Beckham në Shtëpinë e Bardhë kishte si qëllim marrjen e një çmimi nga presidenti i SHBA, Barack Obama në formën e një falënderimi për fitimin e kampionatin ‘Major League Soccer’, në SHBA për këtë sezon nga ana e skuadrës së tij, LA Galaxy. Në fakt, Beckham, i cili është shquar gjithmonë si një mashkull i pashëm që kujdeset shumë për pamjen e jashtme, në prezantimin e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë nuk është se dukej në maksimumin e formës, më tepër dukej sikur kishte harruar të rruhej meqenëse mjekra që mbante nuk është se i jepte hijeshi.

Presidenti 50-vjeçar i SHBA, i cili është shquar gjithmonë për sportivitetin në sjelljen e tij dhe batutat me të cilat shumë shpesh i shoqëron edhe takimet më serioze, nuk e ka lënë Beckham-in të ikë aq lehtë. Pasi ka pozuar në një foto me skuadrën e LA Galaxy, duke mbajtur në duar një bluzë me numrin 1, ku shënohej emri i tij, ka filluar të ngacmojë Beckham, duke i thënë se në moshën që është ai, 37 vjeç, gjysma e djemve të ekipit mund të kishin qenë të tijtë dhe për të kthyer me të qeshura situatën shtoi: “Po plakemi David, megjithëse ti mbahesh shumë më mirë se unë”.



Më tej Obama filloi të bënte shaka me karrierën prej modeli të Beckham, dhe më pas shtoi: “Ai është kaq  i ashpër. Kjo është një gjë e rrallë, se si një njeri mund të jetë kaq i ashpër në fushën e lojës të ketë gjithashtu edhe linjën e vet të të brendshmeve”. David Beckham u bashkua me LA Galaxy në vitin 2007, për një shumë prej 250 milionë dollarësh, por ai arriti të fitonte kampionatin e tij të parë  vetëm këtë vit.

Sportisti britanik i ka dhënë një nxitje shumë të madhe futbollit në Amerikë, duke qenë se në këtë vend futbolli nuk është një lojë aq popullore sa në Europë dhe ka arritur gjithmonë të mbledhë turma të mëdha tifozësh kudo që luan.

16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

 




Comments are closed.