Carla Bruni i kthehet pasionit të vjetër, përgatit albumin e ri

Ish-Zonja e Parë, një këngë ia ka kushtuar Sarkozy, ndërsa një gazetarëve dhe thashethemeve të tyre për ish-çiftin presidencial

Ish-Zonja e Parë e Francës, Carla Bruni, pas disfatës së bashkëshortit të saj Nicolas Sarkozy në zgjedhjet e fundit presidenciale duket se ka vendosur të kthejë faqe dhe t’i kushtohet me kohë të plotë pasionit të hershëm dhe të përhershëm, këngës. Dhe këtë herë seriozisht, duke qenë se ka ndërmend të nxjerrë albumin e ri, i cili në fakt është i katërti për nga radha.
Dalja e albumit të ri pritet në vjeshtë, ndërkohë që ndër surprizat që mbart ai është një këngë dedikuar bashkëshortit të saj, ish- presidenti francez, Nicolas Sarkozy dhe gjithashtu një këngë kundër thashethemeve të gazetarëve, që të themi të vërtetën, e kanë pasur në qendër të vëmendjes Zonjën e Parë të Francës, edhe pse shpesh çifti presidencial parapëlqenin vetë të ishin protagonistë të faqeve rozë të shtypit.
Gjithashtu, albumi do të ketë edhe një këngë e cila do të vijë si përshtatje në gjuhën italiane e klasikes ‘Douce France’ e Charles Trenet, e cila do të ketë formën e një homazhi dhjetë vjet pas vdekjes së tij. Disku nuk ka përfunduar ende, shpjegon menaxheri i saj, pasi shtatzënia e Brunit solli një ndërprerje të përkohshme të projektit të ish-Zonjës së Parë të Francës. Sipas tij, Carla Bruni është autore e më shumë se 20 teksteve të këngëve të saj, të cilat janë përshtatur më pas me ritmet folk.

Një nga titujt e këngëve, “Mon Raymond, il est compliquè mon Raymond” (“Rajmondi im, është e komplikuar, Rajmondi im”) është inspiruar pikërisht nga bashkëshorti i saj, Sarkozy dhe është në thelb një parodi e jetës presidenciale në përgjithësi.

Ndërsa në këngën me titull ‘Les diseux’, Carla e ka inatin me gazetarët, të cilët nuk i duron dot më dhe i quan sipërfaqësorë dhe dashakeqës për mënyrën se si e kanë trajtuar bashkëshortin e saj gjatë fushatës së tij presidenciale, duke arritur deri aty sa të parashikojnë një divorc të saj me Sarko në fund të mandatit të tij presidencial.





Albumi sipas parashikimeve, duhet të kishte përfunduar dhe të ishte lançuar vjeshtën që shkoi, po për shkak të fushatës elektorale të Sarkozy dhe pak për shkak të shtatzënisë së Carla-s, u shty me një vit. Disku i parë i Carla Bruni ‘Quelqùun m’a dit’ i përket vitit 2002 dhe rezultoi një sukses i vërtetë edhe nga kritika, edhe nga publiku duke arritur të shiste 1,2 milionë kopje vetëm në Francë dhe më shumë se 800 mijë në vend të tjera të botës, ndërsa dy disqet e tjerë rezultuan më pak të suksesshëm.
16 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

 





Comments are closed.