Shtëpia e filmit, në përvjetorin e ditëlindjes së saj

ARKIVI QENDROR SHTETËROR I FILMIT

Irena Asqeriu

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ruan, mbron dhe promovon një nga pasuritë më të mëdha të kombit shqiptar: filmin.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, si një nga departamentet kryesore të Kinostudios “Shqipëria e Re”, ruante me korrektesë dhe në kushte optimale të gjithë atë pasuri arkivale filmike që kishin krijuar breza të tërë kineastësh: skenaristë, regjisorë, aktorë, operatorë, piktorë, kompozitorë, rekuizitierë, shoferë etj. Ajo ka në pronësi të vet një fond të pasur arkival filmik, të vjetër, gati 100-vjeçare, me vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe me një potencial të lartë shfrytëzimi.

AQSHF-ja në fillesat e saj ka pasur pamjen e një depoje të thjeshtë, të trashëguar nga lufta, e vendosur në një ambient pranë Kullës së Sahatit, në Tiranë, e cila filloi të funksionojë si një kinematekë modeste. Në të filluan të depozitoheshin periodikisht filma nga fondi filmik i trashëguar nga shtetëzimi i kinemave private të vendit. Këtu do të përmendja: kinema “Savoja”, (sot Teatri Kombëtar), kinema “Nacional”, kinema “Gloria”, kinema “Rex”, kinema “Esperia”, kinema “Skënderbej”, kinema “Rozafat”, kinema “Imperial”, kinema “Tomori”, Kinema “A.Z.Çajupi”, kinema “Majestik” etj.

Në vitin 1947 u krijua Ndërmarrja e parë Kinematografike Shqiptare në bazë të vendimit nr. 160 të Këshillit të Ministrave, me dekretin nr. 314 të ligjit nr. 422 “Mbi shtetëzimin e kinemave”. Prej këtij momenti, puna me arkivat filmike filloi të merrte një drejtim më të specializuar dhe filmat filluan të ruheshin në kushte më të përshtatshme, sipas standardeve të përcaktuara për ruajtjen e filmave, në suporte të ndryshme.

Në bazë të dokumenteve që gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, struktura analitike dhe organizative e Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitin 1987, numëronte rreth 645 punonjës, nga të cilët: 274 nëpunës (me shkollë të lartë), 178 punonjës të disiplinuar (me shkollë të mesme) dhe 198 fuqi punëtore. Departamenti i Arkivit të Filmit numëronte në atë periudhë 10 punonjës: kinoarkivistë, montazhierë, restaurues filmi, magazinierë të depove filmike dhe kontrollor filmi. Pa angazhimin, përkushtimin dhe profesionalizmin e disa brezave të arkivistëve, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në arkivin e filmit, nuk do të ishte mundësuar sigurimi i kësaj pasurie filmike arkivale me vlera të mëdha kombëtare.

Prej vitit 1947 deri në vitin 1997, rreth 50 vjet, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit do të funksiononte si një nga departamentet kryesore të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Me urdhrin nr. 86, datë 29 prill 1997 të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Gruas krijohet Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF) si institucion buxhetor në varësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Gruas dhe shkëputjen e këtij institucioni nga “Albafilm Studio”, e cila në atë kohë trashëgonte gjithë pasurinë kombëtare filmike që ishte krijuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Me këtë akt normativ, veprimtaria arkivore në AQSHF-ja dhe puna me dokumentet mori karakter institucional.

Pas shumë përpjekjesh – një letërkëmbim i pasur me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Gruas, “Albafilm Studio” dhe Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ide, mendime, sugjerime për mënyrën e ndarjes së pasurisë arkivale filmike, krijimin e një buxheti të pavarur etj., – do të niste puna për një organizim të ri, me detyra të reja funksionale për secilin punonjës, lidhje me kinematekat e huaja, pjesëmarrje në aktivitetet që organizonte FIAF (Federata Ndërkombëtare e Arkivave të Filmit), ku AQSHF-ja ishte anëtare me të drejta të plota, organizimi i aktiviteteve me një frymë të re bashkëpunimi, akses në shfrytëzimin e arkivave, dixhitalizimin e arkivave filmike etj.

Duke mësuar nga eksperiencat e institucioneve analoge në Europë dhe duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta, drejtuesit e Arkivit bënë të mundur që edhe në institucionin tonë të aplikohej një fizionomi e re e së ardhmes, për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të pazëvendësueshme të kësaj pasurie kombëtare. Ata bënë përpjekje maksimale dhe vendosën gurët e parë që Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit të merrte këtë pamje që ka edhe sot: me detyra funksionale të përcaktuara qartë, me një vizion të ri, me një staf të përgatitur profesionalisht, megjithëse i vogël në numër, i aftë për të mbështetur të gjitha politikat që përcaktojnë drejtuesit e institucionit, për realizimin e të gjitha aktiviteteve filmike brenda dhe jashtë vendit. Këtu do të përmendja drejtuesit e këtij institucioni ndër vite: A. Hoxha, S. Çabej, P. Beci, N. Lako, K. Hashorva, I. Xhokaxhi, A. Minarolli, E. Diamanti.

Ndër aktivitetet e shumta të organizuara në ambientet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit do të veçoja një aktivitet disi të rrallë, i cili më la mbresa dhe u bë shtysë për paraqitjen e këtij shkrimi prezantues: filmi dokumentar “Dyluftim me flakët”, realizues Dhimitër Lala. Gjatë këtij aktiviteti ndoqa me endje xhirimet shumë të bukura të këtij dokumentari (mbështetur në ngjarje reale), dhe pashë me vëmendje të madhe në shoqërinë e miqve të mi, të ftuar në këtë aktivitet, punën rraskapitëse të të gjithë grupit të xhirimit dhe grupit të punëtorëve që përpiqeshin të shuanin flakët nën presionin e ujit të furishëm dhe temperaturës përvëluese që dilte nga gryka e pusit. Në qoftë se edhe rastësisht do ta kisha ndjekur këtë dokumentar në një ambient tjetër, do të kisha rendur drejt dyerve të Arkivit Shtetëror të Filmit për të siguruar vetëm një sekuencë filmike të këtij dokumentari (sigurisht edhe të dokumentarëve të tjerë). Janë mbresëlënëse kuadro të tilla filmike kur shikon se si njerëzit luftonin me flakët. Pikërisht këto ngjarje të rralla, këta njerëz që janë fiksuar në celuloid, janë dëshmitarë, për sot e nesër, të sakrificave të panumërta të njerëzve të thjeshtë të vendit tim, të cilët përpiqeshin përditë të ndryshonin jetën e tyre, duke ngritur një mur, duke mbjellë një pemë, duke ngritur një digë, duke hapur një trase, duke ngritur një shkollë, duke ngritur një spital. Akte të tilla bëjnë krenar secilin prej nesh. Këto histori, këto ngjarje të rëndësishme në jetën e vendit, janë pak të njohura ose aspak të njohura nga publiku i gjerë, prandaj ambientet tona janë të hapura dhe ftojnë nxënësit e shkollave, institucione të ndryshme që të ndjekin materiale të ndryshme filmike në ekranin e kinemasë sonë, dhe jo vetëm në kinema, por edhe në ambientet e tjera të Arkivit. Një mundësi më shumë për të pasuruar arkivat familjare me këta filma artistikë, dokumentarë e kronikalë, për t’u lënë trashëgim brezave të ardhshëm këtë pasuri filmike të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë, sigurisht, për një pasuri të rrallë që mbetet për t’u zbuluar.

Fondi filmik i AQSHF-së, prodhimi shtetëror shqiptar, në 35 mm, ndahet në dy periudha:

Vitet 1945 – 1996: Dokumente historike: 1165 dokumentarë, 1006 kronika, 1518 materiale arkivale. Vepra artistike: 232 filma artistikë me metrazh të gjatë, 10 filma artistikë me metrazh të shkurtër, 172 filma vizatimorë.

Vitet 1996 – 2012 (fondi filmik i prodhimit privat shqiptar)

Dokumente historike: 10 dokumentarë në 35 mm, 144 dokumentarë në videokasetë. Vepra artistike: 33 filma artistikë me metrazh të gjatë e të shkurtër në 35 mm dhe 39 filma artistikë në videokasetë, 30 filma vizatimorë në 35 mm, 16 filma vizatimorë në videokasetë.

Fondi filmik i huaj përmban 699 tituj: 236 filma artistikë, 118 dokumentarë, 345 kronikalë.

Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, përveç fondit të pasur filmik artistik shqiptar e të huaj, dokumentarë e kronikalë shqiptarë e të huaj, filmit vizatimor që ruhen në 6 magazina të mëdha, në kushte të mira – ndodhet edhe biblioteka, salla e leximit, fototeka, videoteka, skedari, salla e kinemasë, salla e restaurimit të filmit, salla e teknikës dhe dixhitalizimit, arkivat etj.

Biblioteka kinematografike, si një qendër burimore e krijuar për të studiuar filmin si art, dokument dhe si industri, është e pasur me katalogë kinematografikë shqiptarë dhe të huaj, kritikë kinematografike mbi gjininë, historinë e kinematografisë botërore, biografitë, teorinë e buxhetit të filmit, literaturë teknike, skenarë letrarë për filma artistikë dhe kinokomedi, koleksioni i partiturave të muzikës së filmave, përkthime të botimeve të huaja të fushës së artit, katalogë dhe materiale dokumentare të 12 festivaleve të filmit artistik e dokumentar shqiptar dhe të huaj, relike, diploma, medalje dhe kupa të ndryshme të fituara në festivale ndërkombëtare të filmit etj. Ajo numëron afërsisht 3200 tituj librash e revistash, si dhe pothuajse të gjitha kupat e festivaleve të filmit artistik dhe dokumentar.

Në arkivat e AQSHF-së ruhen të gjithë skenarët tekniko regjisorialë që kanë lidhje me prodhimin e filmit dhe çdo skenar letrar filmi që nuk është hedhur në prodhim për arsye të ndryshme. Kështu studiohet jo vetëm procesi kulturor historik, nëpërmjet së cilës ka ecur kinemaja shqiptare, por edhe mentaliteti i atëhershëm i seleksionimit të temave dhe skenarëve që kanë siguruar prodhimin e filmit. I gjithë fondi i bibliotekës tashmë është hedhur në databasë, gjë që lehtëson maksimalisht kërkimin e shpejtë të librit shqiptar dhe të huaj.

Në të njëjtin ambient me bibliotekën është vendosur gjithashtu edhe salla e leximit me kushte komode për një punë të mirëfilltë shkencore. Arkivat moderne të filmit nëpërmjet softuerit për zhvillimin e një skenari, ndihmojnë sot të gjithë të rinjtë për të shtjelluar teknikisht dhe vizualisht idetë e tyre filmike. Numri i studiuesve në sallën e leximit vjen duke u rritur dhe studiuesit janë veçanërisht të fushës së artit dramatik, aktorë, regjisorë të rinj, të cilët kanë interes të madh të njohin nga afër këtë fond filmik dhe këtë pasuri kombëtare të veçantë, por me prirje drejt hapjes së arkivave për publikun e gjerë, i cili vazhdimisht kërkon të sigurojë arkiva filmike shtetërore ose private.

Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ka mbi 6100 foto të trashëguara nga themelimi i Ndërmarrjes Kinematografike Shqiptare, – më vonë quajtur Kinostudio “Shqipëria e Re”, – të cilat kanë vlera të mëdha arkivale. Edhe fototeka, e sistemuar kohët e fundit, ndihmon lexuesit të gjejnë në një kohë të shpejtë foto të ndryshme. Pjesë e këtij fondi të vyer janë foto të rilindësve tanë, të kinemave e qyteteve të vendit, të personaliteteve të ndryshme, foto nga Lufta Nacionalçlirimtare, albume me foto gjatë fotoprovave dhe albume me fotot e aktorëve e mjediseve dhe atelieve të ndryshme ku janë xhiruar filmat etj.

Në AQSHF ndodhen edhe koleksione speciale. Ajo grumbullon çdo dokument arkivor të vetë kineastëve, dorëshkrime të tyre, korrespondenca, artikuj gazetash dhe çdo material tjetër të shkruar mbi prodhimin dhe krijimin e filmit. AQSHF-ja ka xhiruar në video disa kujtime të pionierëve të parë të kinemasë dhe ka marrë të dhëna të dëshmitarëve okularë të kohës për vëllezërit Manaki, me kombësi shqiptare. Punonjësit e këtij arkivi bëjnë përpjekje të vazhdueshme për pasurimin e fondit arkival filmik me dokumentacion filmik, dorëshkrime dhe foto për funksionimin e kinemave të para deri më sot, si dhe sigurimin e dokumentarëve privatë, relikeve të veçanta, medalje, kupa, foto, artikuj gazete etj., që dëshmojnë për ecurinë e kinematografisë shqiptare.

Holli kryesor ku janë ekspozuar fotografi të aktorëve dhe postera të filmave të ndryshëm, si dhe aparaturat: aparat projeksioni për filmat në 35 mm, kamera, aparat ndriçimi, tavolinë kontrolli, maviolë, altoparlant etj., së bashku me sallën e kinemasë me 80 vende, përbëjnë një ansambël të shkëlqyer për të ofruar aktivitete nga më të larmishmet, si: shfaqje filmash artistikë, dokumentarë, kronikalë e vizatimorë shqiptarë e të huaj, promovime librash e katalogësh të botuar me financim të AQSHF-së, QKK-së apo kompani private, kujtesë në përvjetorë të aktorëve, regjisorëve, skenaristëve, operatorëve etj.

Me iniciativën e AQSHF–së në ambientet e saj janë festuar, kujtuar e respektuar protagonistë të nderuar të kinemasë shqiptare. Promovimi i vlerave të personaliteteve të tilla jo vetëm është bërë prezent me anë të realizimit të katalogëve, albumeve, dhe veprave filmike kushtuar atyre, por ka treguar për secilin prej tyre kontributin, vlerën dhe talentin individual në shërbim të kinemasë shqiptare. Kështu janë festuar e vlerësuar personalitete të tilla si: R. Larja, Dh. Anagnosti, M. Xhepa, F. Radi, H. Hakani, M. Kraja, H. Ferhati, A. Xhara, I. Dede. K. Gjonaj, V. Musta, K. Traboini, D. Muça, Dh. Lala etj.

Koleksionet tona të aparaturave të ekspozuara në vazhdimësi, në shërbim të publikut, edhe pse ato paraqesin mangësi, dëshmojnë për atë punë të madhe dhe të mundimshme që kanë bërë breza të tërë kineastësh për realizimin e filmave artistikë, dokumentarë e vizatimorë, por na lejojnë njëkohësisht të familjarizohemi me këto objekte të veçanta dhe të rëndësishme që paraqesin etapa të ndryshme, nëpërmjet të cilave ka ecur dhe është rritur kinemaja shqiptare ndër vite. Duke i vëzhguar ato për një kohë të gjatë, nuk ka sesi të mos ndiesh nga afër dhe të përfytyrosh mënyrën, sjelljen, debatet, përkushtimin e grupit të xhirimit, dhe pse jo, aty për aty të mund të fantazosh pjesë të komunikimit të tyre dhe marrëdhënieve njerëzore të shkëlqyera që kishin të gjithë krijuesit që merrnin pjesë në realizimin e një filmi. Ndjesia e të qenët i pranishëm gjatë xhirimeve të një filmi është e madhe, dhe këtë e provon vetëm po të vizitosh Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

 

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.