Niger, vendi më i keq për të qenë mama

Organizata “Save The Children” ka bërë një klasifikim të 165 vendeve ku mbizotërojnë kushtet më të këqija për mamatë

Renditja merr në konsideratë një sërë faktorësh, duke përfshirë këtu shëndetësinë, arsimin, statusin ekonomik dhe ushqyerjen

Për nënat, vendet më të mira për të jetuar janë Norvegjia, Islanda, Suedia, Zelanda e Re, Danimarka dhe Italia

Shteti afrikan i Nigerit është klasifikuar si vendi më i keq në botë për të qenë nënë, të paktën sipas “Save the Children”. Organizata ka përpiluar renditjen vjetore që krahason kushtet e jetës për nënat në 165 vende dhe nga ky klasifikim i pari është renditur Nigeri. Renditja merr në konsideratë një sërë faktorësh, duke përfshirë këtu shëndetësinë, arsimin, statusin ekonomik dhe ushqyerjen. Në shtetin afrikan një fëmijë në tre është i kequshqyer dhe një në shtatë fëmijë vdes para moshës 5 vjeç.

Në fakt, Nigeri po përjeton një krizë ushqimore aq të rëndë saqë ka zënë vendin e Afganistanit, që ishte në fund të renditjes së organizatës “Save the Children”. Pas dy vjetësh, në vendin e fundit, Afganistani ka fituar pozicion të ri falë një investimi më të madh në fushën e shëndetësisë. Sipas organizatës, kriza ushqimore është zhvendosur në zonën e Sahelit dhe po kërcënon seriozisht jetën e një milion të rinjve.

Për nënat vendet më të mira për të jetuar janë: Norvegjia, Islanda, Suedia, Zelanda e Re, Danimarka dhe Italia. “Nëse një nënë është e varfër, e mbingarkuar me punë, e paarsimuar dhe me shëndet të dobët, nuk mund të jetë në gjendje të ushqejë fëmijën me gji ashtu siç duhet”, shkruhet në raportin e organizatës. “Kemi nevojë urgjente për një bashkëpunim global që kequshqyerja të përkthehet në projekte ushqyese për të siguruar shëndetin dhe mbijetesën e nënave dhe fëmijëve”, thotë Brendan Cox e “Save the Children”.

Në Norvegji, një grua shkollohet 18 vjet, ndërsa në Niger vetëm 4 vjet. Po ashtu në Niger, në nivel politik vetëm 14% e vendeve në Parlament janë zënë nga femrat, në krahasim me 40% të vendeve të kuvendit norvegjez. Vetëm 5% e femrave në Niger përdor metodat moderne kontraceptive, ndërkohë që në Norvegji i përdorin 4 në 5 femra. Edhe eksperienca e lindjeve shënon distanca të largëta me vendet e zhvilluara: 100% e lindjeve në shtetin skandinav bëhen me ndihmën e stafit të kualifikuar mjekësor. Në Niger mjekët e kualifikuar janë të pranishëm vetëm 1 në 3 raste lindjeje, ku 1 në 16 nëna vdes për shkaqe që lidhen me shtatzëninë ose lindjen (në Norvegji rreziku i vdekshmërisë amësore është 1 në 7600 raste).

Te vendet e zhvilluara futen Portugalia (që sipas organizatës është renditur në vendin e 15), më pas vjen Spanja (16) dhe Greqia (në vendin e 20). Renditjes së organizatës “Save the Children” i është bashkangjitur edhe Afganistani (28% vend i keq), Angola (38%) dhe Mozambiku (39%). Paga mesatare e femrave nuk shkon më shumë se 49% krahasuar me të njëjtën punë që bëjnë meshkujt. Mes vendeve të zhvilluara, figurë të keqe bëjnë vetëm Austria (40%), Japonia dhe Malta (45%), ndërkohë që 2 në 3 vende regjistrojnë një përqindje më të lartë se 60%.

Vetëm 51% e femrave europiane përdor metodat kontraceptive moderne, një përqindje më e ulët në krahasim me vendet si Botsvana (42%), Zimbabve (58%), Egjipti (58%) dhe Tunizia (52%). Siç u përmend edhe më lart, sipas organizatës “Save the Children”, Norvegjia është vendi më i mirë në botë për të qenë mama, ndërsa Nigeria më i keqi, duke i rrëmbyer vendin Afganistanit.

 

Raporti

“Nëse një nënë është e varfër, e mbingarkuar me punë, e paarsimuar dhe me shëndet të dobët, nuk mund të jetë në gjendje të ushqejë fëmijën me gji ashtu siç duhet”

Vetëm 5% e femrave në Niger përdor metodat moderne kontraceptive, ndërkohë që në Norvegji i përdorin 4 në 5 femra

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.