“Sula”, delegatët: Dëgjuam krisma armësh Ekspertiza: Arma është pistoletë lodër

Disiplina vendos sot për incidentin. Raportet e prokurorisë

Incidenti para dhe gjatë ndeshjes së Superligës midis Shkumbinit dhe Flamurtarit, ku u dëgjuan krisma armësh, vijon të mbetet enigmatik. Delegatët e FSHF-së pohojnë se kanë dëgjuar krisma armësh në stadium, në një kohë që katër civilë janë futur në dhomën e arbitrave para fillimit të takimit. Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar dje një vërtetim për klubin e futbollit “Shkumbini”, ku bën me dije se nga ngjarja nuk ka pasur dëmtime apo të lënduar, ndërsa në vendngjarje është sekuestruar një pistoletë. Nga ekspertimi balistik ka rezultuar se arma është stimuluese zhurme (lodër) dhe nuk klasifikohet armë zjarri luftarake. Të gjitha raportet vijojnë në një kohë që Komisioni i Disiplinës në FSHF do të marrë sot një vendim për incidentin.

 

Raporti i delegatëve

“Rreth një orë përpara fillimit të takimit kanë hyrë në dhomën e arbitrave 4 civilë. Vëzhguesi i takimit, Astrit Mema, i ka thënë që të largohen. Në këtë moment ka ndërhyrë edhe delegati i ndeshjes, Petrit Brahja, i cili i ka urdhëruar të dalin jashtë. Njëri nga ata futet në tualetin e dhomës dhe aty dëgjohet një krismë. Më pas, ky person largohet nga ambientet tona, duke bërtitur. Gjatë zhvillimit të ndeshjes nuk kemi pasur asnjë problem. Në përfundim të ndeshjes, një nga ata persona ka sjellë një pistoletë për ta lënë aty, ndërsa delegati i ka thënë që ta marrë me vete. Pasi kemi lëshuar një deklaratë për policinë jemi larguar”, thuhet në relacionin e arbitrit Jubica. Ndërkohë, vëzhguesi Astrit Mema shkruan se: “Në orën 15:00, unë, delegati Brahja dhe gjyqtarët kemi hyrë në dhomën e arbitrave. Më pas, hyn në dhomën tonë zëvendëspresidenti i Shkumbinit, Dashnor Sula, së bashku me katër persona të tjerë. U kam kërkuar që të dilnin jashtë, por kam marrë përgjigjen e tyre që: nëse nuk fiton Shkumbini, nuk mund të ikni që këtu. Gjithashtu, edhe delegati Brahja u kërkoi atyre që të dilnin jashtë. Më pas, Sula hyri në tualetin e dhomës dhe shkrepi pistoletën. Në atë moment jemi mundur t’i qetësojmë gjyqtarët. Jashtë dhomës ndodheshin tre policë, të cilët nuk reaguan për të ndaluar personat civilë të hynin te dhoma e gjyqtarëve. Gjithashtu, nga dritarja nxjerr një pistoletë dhe e lë aty. Në pjesën e dytë kanë ardhur forca policore nga Tirana dhe situata ka qenë më e qetë. Rreth orës 20:00 u larguam nga stadiumi, të shoqëruar nga forcat që kishin ardhur nga Tirana, të cilët duhet t’i falënderojmë për ndihmesën që na dhanë”. Relacionet i janë vënë menjëherë pas ndeshjes në dispozicion edhe Komisionit të Disiplinës, i cili sot do të diskutojë e do të marrë vendime për këtë ngjarje kaq të rëndë. Kodi i Drejtësisë Sportive parashikon për këtë presion ndaj gjyqtarëve, humbje të ndeshjes në tavolinë dhe heqjen e tri pikëve të tjera deri në përjashtimin e skuadrës nga Superliga.

 

Provat e prokurorisë

Pas zbardhjes së relacionit nga delegatët e FSHF-së, klubi i futbollit Shkumbini, ka marrë në dorë një vërtetim nga Prokuroria e Elbasanit për ngjarjen e ndodhur në stadium. “Me aktin e ekspertimit balistik të datës 8 maj, hyrë në sekretarinë e Prokurorisë së Elbasanit në të njëjtën ditë, rezulton se arma e marrë si më sipër është një pistoletë, e cila nuk klasifikohet në armë zjarri luftarake. Nga ana e prokurorisë dhe policisë është duke u vijuar me kryerjen e verifikimeve përkatëse”, thuhet në një vërtetim për klubin Shkumbini, i cili po bën përpjekjet e fundit për t’i shpëtuar dënimit nga FSHF-ja. Një tjetër vërtetim i këtij klubi, i lëshuar po nga prokuroria, pohon se “nga shërbimet e policisë së Peqinit është ndërmarrë kryerja e një sërë veprimesh, nga të cilat rezulton se nuk ka pasur dëmtime me armë zjarrin në vendin e sipërcituar në njerëz apo objekte. Gjithashtu, po nga shërbimet e policisë, është proceduar me këqyrjen dhe marrjen e një sendi të cilësuar si pistoletë zhurme (të dyshuar si lodër) për të cilën është vendosur t’i nënshtrohet ekspertimit përkatës teknik”. S.Çobo/S.Muça

 

 

Incidenti

Delegatët: Një orë përpara fillimit të takimit kanë hyrë në dhomën e arbitrave 4 civilë. Një nga ata futet në tualetin e dhomës dhe aty dëgjohet një krismë. Largohen duke bërtitur

Pistoleta: Në përfundim të ndeshjes, një nga ata persona ka sjellë një pistoletë, ndërsa delegati i ka thënë që ta marrë me vete. Pasi kemi lëshuar një deklaratë për policinë, jemi larguar

Ekspertiza: Me aktin e ekspertimit balistik të datës 8 maj, rezulton se arma e sekuestruar në stadium është një pistoletë e cila nuk klasifikohet në armë zjarri luftarake

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.