Shpenzuan 155 mijë $ për të klonuar qenin e tyre

Çifti i të moshuarve janë të lumtur, pasi këlyshi i ri ka të njëjtat sjellje si qeni i tyre i parë

Një çift të moshuarish amerikanë nuk mund ta duronin dot dhimbjen nga humbja e qenit të tyre të dashur të racës labrador, kështu që kur ai ndërroi jetë nga një sëmundje, ata vendosën ta risillnin edhe një herë… duke e klonuar.

Edgar dhe Nina Otto shpenzuan rreth 155 000 dollarë për klonimin e qenit të tyre, të quajtur Sir Lancelot. Qeni labrador 11-vjeçar ngordhi në vitin 2008, nga kanceri. Edhe pse u tronditën shumë nga vdekja e tij, pasi nuk e prisnin që të ndodhte, ata ishin të përgatitur në një farë mënyre, pasi e kishin ruajtur ADN e Sir Lancelot katër vjet para vdekjes së tij. Në këtë kohë Efgar dhe Nina dëgjuan se teknologjia e klonimit kishte filluar të zhvillohej dhe të aplikohej edhe te kafshët.

Lancelot Encore, versioni i klonuar i Sir Lancelot, të cilin e thërrasin për shkurt ‘Lancey’, ishte qeni i parë i klonuar dhe ai ka lindur në vitin 2009.

“BioArts”, kompania amerikane që realizoi klonimin, e pezulloi aktivitetin e vet në shtator 2009, por i njëjti proces vijon të zhvillohet në Korenë e Jugut.

Në rastin e klonimit të kafshëve, ADN-ja e ruajtur e kafshëve injektohet në vezën e një nëne zëvendësuese. Firma që ende vijon ta aplikojë këtë praktikë në Korenë e Jugut është e vetmja që ka perfeksionuar teknologjinë e klonimit të kafshëve edhe më tutje me metoda shkencore dhe shumë moderne.

Edhe pse në shënjestër të shoqatave në mbrojtje të kafshëve, të cilat janë kundër praktikës së klonimit të kafshëve, pasi sipas tyre është e kotë të shpenzosh mijëra dollarë për të kopjuar një kafshë ndërkohë që janë me mijëra të tilla të pastreha që kanë nevojë për një familje dhe përkujdesje, çifti i të moshuarve ndihen shumë të lumtur me vendimin e tyre. Ata shprehen se është njësoj sikur qeni i vjetër të jetë përsëri pranë tyre, pasi këlyshi i klonuar ka bartur të njëjtat sjellje dhe bën të njëjta gjeste si Sir Lanceloti i dikurshëm.

9 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.