Lanabregasi i shitet Ujësjellësit për 15 milionë euro

Naço thotë se do të shesë edhe katër hidrocentrale të tjera në qershor

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i shiti dje hidrocentralin e Lanabregasit në Tiranë kompanisë Ujësjellës-Kanalizime sh.a, një lëvizje kjo pa efekt financiar, pasi pronari i mëparshëm i hidrocentralit ishte KESH sh.a dhe pronari i ardhshëm do të jetë gjithashtu një kompani nën pronësinë e shtetit. Lanabregasi është një hidrocentral që u vu në punë për herë të parë në vitin 1947 (u ndërtua gjatë luftës me teknologji austriake) dhe që prodhon energji, duke shfrytëzuar ujin e ujësjellësit kryesor të Tiranës. Ai ka fuqi të instaluar prej 5 MW dhe prodhon rreth 37 milionë kWh në vit. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, për vitin 2012 hidrocentrali do ta shesë energjinë e prodhuar te KESH sh.a me çmimin 6.6 lekë për kah, ndërsa në total do të ketë të ardhura prej 271 milionë lekësh (rreth 1.9 milionë euro).

Si të gjitha ndërmarrjet publike, Lanabregasi është i mbingarkuar me punonjës, pasi shpenzon një të katërtën e të ardhurave ose gjysmë milion euro në vit për personelin.

Ujësjellësi i Tiranës do ta përdorë një pjesë të energjisë së hidrocentralit për nevojat e veta, pra për të furnizuar stacionet e pompimit.

“Është e vetmja kompani në Shqipëri dhe e para që realizon një blerje të tillë, e cila do të jetë në varësi të saj dhe do të ndihmojë për plotësimin e nevojave në energji elektrike në të gjitha burimet dhe stacionet e pompimit, impiantin e Bovillës dhe aty ku ne e përdorim energjinë elektrike”, u shpreh Drejtori i UKT, Sahit Dollapi.

Hidrocentrali Lanabregas ka bërë remont total, duke parë gjendjen teknike dhe perspektivën e mundësinë për fuqizimin e rritjen e fuqisë instaluese e të prodhimit, si dhe të drejtën ekskluzive të shfrytëzimit të këtij burimi ujor e të rezervuarit të HEC Lanabregas, gjatë negocimit të kontratës ndërmjet palëve u ra dakord që çmimi i shitjes së 100% të aksioneve të kësaj shoqërie të jetë 15 milionë euro.

 

Privatizime të tjera

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço deklaroi se ka ndër mend të ecë përpara me projektin e shumëdebatuar të privatizimit të katër hidrocentraleve të vegjël e të mesëm.

“Ka më se një vit që METE ka përgatitur të gjitha procedurat ligjore krahas privatizimit dhe shitjes së HEC-eve të tjera si Ulëza, Shkopeti, Bistrica 1, Bistrica 2, garë e cila do të hapet në datat 4 – 6 qershor”, tha Naço.

Të katër hidrocentralet shpresohet të shiten për 100-150 milionë euro me qëllimin që të mbushet buxheti i shtetit në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ekspertët e kanë kritikuar ashpër vendimin për privatizimin e këtyre hidrocentraleve, për shkak se nuk ka asnjë arsye reale për privatizimin e tyre, përveç mbushjes së buxhetit për zgjedhje.

Katër hidrocentralet që qeveria dëshiron të privatizojë për 100-150 milionë euro, mund të kushtojnë dy herë më shumë në rast se do të ndërtohen tani dhe kanë një jetëgjatësi prej së paku 250-300 vjet.

Nën presionin e mungesës së të ardhurave të kënaqshme nga taksat e zakonshme, qeveritë shqiptare kanë dëshmuar vazhdimisht në të shkuarën se janë të gatshme të shesin pronat më të mira publike sa herë të afrojnë zgjedhjet. Studime shkencore të kryera nga profesorë të ekonomiksit kanë vërtetuar se privatizimet kryen pothuajse tërësisht para zgjedhjeve, gjë që tregon papërgjegjshmërinë e qeverisë së sotme dhe atyre të së shkuarës.

Qeveria po shpreson gjithashtu që së bashku me hidrocentralet të shesë edhe kompaninë shtetërore të prodhimit të naftës “Albpetrol”. Në rast se të dyja shitjet janë të suksesshme, qeveria do të arkëtojë mjaftueshëm para për të shpenzuar para zgjedhjeve të vitit 2013. Gj. Erebara

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.