Kreditë e këqija ulin fitimet e bankave

Fitimet e sistemit ranë nga 17.6 milionë euro që ishin në shkurt, në 13.9 milionë euro në mars

Fitimet e sistemit bankar shqiptar u ulën ndjeshëm gjatë muajit mars në krahasim me shkurtin, si pasojë e rritjes së kredive të këqija dhe rritjes së provigjoneve që bankat i lënë mënjanë për të mbuluar humbjet e mundshme nga këto kredi. Lajmi bëhet i ditur nga të dhënat statistikore të publikuara nga Shoqata e Bankave. Fitimet e sistemit të llogaritura sipas standardeve shqiptare të kontabilitetit ranë në 13.9 milionë euro për periudhën janar-mars 2012 nga 17.6 milionë euro që qenë në periudhën janar-shkurt. Fitimet në raport me kapitalin aksioner të bankave ranë nga 15.2 për qind në 8 për qind gjatë së njëjtës periudhë. Ndërkohë, kreditë e këqija u rritën në 20.1 për qind të totalit të portofolit të kredive nga 19.1 për qind që ishin në shkurt dhe “vetëm” 14.7 për qind që qenë në mars 2011. Për shkak se kreditimi përbën vetëm një pjesë të aktivitetit të sistemit bankar në Shqipëri, rritja e kredive të këqija nuk ka sjellë deri më sot probleme të mëdha. Sistemi bankar vijon të jetë me fitime dhe kapitali aksioner ekzistues mund të absorbojë edhe rritje të mëtejshme të kredive të këqija. Fitimet më të mëdha të bankave garantohen aktualisht nga investimet e depozitave të shqiptarëve në titujt e borxhit publik.

Në krahasim me një vit më parë, sistemi bankar ka reduktuar numrin e degëve dhe agjencive me dy njësi, ndërsa gjatë muajit mars u reduktua edhe numri i makinave automatike të parasë ATM.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.